100210 interview stefanidis griechenland
16 Shkurt 2010DLF: Rregulla të rrepta kursimi për Greqinë. Sa janë gati ta pranojnë në Greqi faktin, që masat janë të domosdoshme?
Stefanidis: Po tek popullata ka mbërritur mesazhi, se në Evropë janë relativisht të tronditur dhe mediat kanë shkruar shumë për Greqinë. Por në se ky mesazh ka mbërritur siç duhet në çdo shtëpi, kjo mund të vihet në pikëpyetje.
DLF: Ka edhe shenja që BE po përgatit ndihma për Greqinë dhe laureati amerikan i çmimit Nobel për ekonominë Joseph Stiglitz ka thënë, se Greqia e gjen rrugën nga kriza edhe pa ndihmën e partnerëve të BE-së. A jeni edhe ju aq optimist sa ai? A është e mundur pa ndihmë?
Stefanidis: Si grek unë në parim jam optimist. Ne ia dolëm edhe me lojërat olimpike 2004, megjithëse shumë mendonin, se nuk do të bëhej dot. Por megjithatë dyshimi është me vend, sepse kjo krizë, që sundon tani në Greqi, pra rreziku i falimentimit shtetëror, nuk është rrjedhojë e krizës financiare, por është pasojë e politikës së punës së padeklaruar, e nepotizmit dhe e korrupsionit, që gëlojnë prej 30 vjetësh apo prej më shumë se 30 vjetësh, që kur Greqia është përsëri demokraci, prej vitit 1974, dhe ato kanë sjellë këtë rezultat.
DLF: Kjo do të thotë se diçka nuk është në rregull në Greqi. Si e shpjegoni këtë?
Stefanidis: Unë këtë e shpjegoj me atë që në Greqi p.sh. nuk funksionon më asgjë, pa dhënë rryshfet. Nëse do të ndërtosh një shtëpi, nëse shtrohesh në spital, apo për gjërat e përditshme, për shkresa në zyra etj., paguhen para, që punët të kryhen.
DLF: Tani shtroj pyetjen, si dilet nga ky rreth vicioz, n.q.s. diçka e tillë praktikohet. A keni ndodnjë ide, si mund të dilet prej saj?
Stefanidis: Jo nuk kam. Së paku qeveria e re greke e ka kuptuar se diçka duhet bërë gjithsesi. Nuk ka qenë gjithmonë kështu në qeveritë paraardhëse. Por kjo nuk mjafton. Nuk besoj se mjafton vetëm një plan kursimi, sepse grekët javët e ardhshme do të demonstrojnë me siguri në rrugë. Bujqit kanë filluar, nëpunësit do të vazhdojnë, punëtorët. N.q.s. thuhet se francezët janë grevistë të apasionuar, unë mund të them, në Evropë, atëherë grekët janë si të thuash zbuluesit e grevës. Ata dalin në rrugë edhe për gjëra të vogla dhe kjo do të thellohet javët e ardhshme. Mendoj se javët e ardhshme do të jenë një fazë vendimtare për politikën greke të katër viteve të ardhshëm.
DLF: Por ndryshimi i mentalitetit, që është i domosdoshëm, a vihet re ai gjëkundi?
Stefanidis: Po si të them, gradualisht grekëve, apo secilit në Greqi po i bëhet ngadalë e qartë se duhet të ndryshojë diçka. Kryeministri Jorgos Papandreu ka thënë vetë, se n.q.s. nuk ndryshojmë asgjë, atëherë do të mbytemi dhe n.q.s. këtë e thotë një kryeministër, atëherë e keqja ka marrë dhenë.
DLF: Sikur të ishit këshilltar i komisionit të BE-së dhe si njohës i mentalitetit grek, çfarë do të këshillonit? Çfarë duhet të bëjë komisioni i BE-së?
Stefanidis: Ai po merr masat më ekstreme duke vënë gati nën kontroll buxhetin grek. Brukseli thuajse qeveris në Athinë! Këshillë? Nuk mund të bëhet shumë. Duhet shpresuar se grekët e kanë kuptuar kohën. Nuk është e mundur të kesh një jaht në portin e jahteve në Athinë dhe të deklarosh se fiton 10 000 euro bruto në muaj. Kjo nuk shkon. Nuk mund të ndalosh Bentley para një bari në Selanik apo Athinë dhe të paguash vetëm 8000 euro bruto në vit taksa. Kjo në të ardhmen nuk do të funksionojë më. Duhet gjetur përsëri një këmbim i drejtë me shtetin.
Problemi vendimtar në Greqi është se grekët nuk kanë aspak besim te shteti i tyre. Shkak për këtë është se në 30 vitet e fundit, secila parti që ka qenë në pushtet Nea Demokratia apo Pasoku, konservatorët apo socialistët, kanë mbështetur klientelën e tyre dhe ky sistem i mbështetjes reciproke përhapet prej 30 vjetësh dhe tani duhet të zhduket me një goditje. Nëse kjo do të funksionojë, është natyrisht pyetja e madhe. Javët e ardhshme do të merren disa vendime.
DLF: Po na lini disi të befasuar, Zoti Stefanidis. Si grek a jeni ende krenar për vendin tuaj?
Stefanidis: Po sigurisht! Ndoshta tani mund të duket paradoks, por siç thashë në fillim pak optimizëm duhet të mbetet. Në vitin 2004 shumë thonin: oh Zot i madh, edhe gjashtë muaj deri në hapjen e olimpiadës, nuk janë gati stadiumet, nuk ka vende parkimi, autobuzë nuk ka dhe ku ta di unë çfarë, dhe në verë olimpiada qe e mrekullueshme. Ndoshta do të arrihet të evitohet falimentimi i shtetit. N.q.s. grekët i prek në sedër, në sedrën nacionale, atëherë mund ta merrja me mend, se mund të bëhej diçka.
Autor: Jochen Spengler / Angelina Verbica
Redaktoi: Eliana Xhani