1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Historia mes nderit dhe ndershmërisë

13 Tetor 2010

Mbrëmë në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë u zhvillua një panel diskutimi shqiptaro gjerman: “Historia mes nderit dhe ndershmërisë – a duhet të jetë pjesë e muzeumeve periudha komuniste e Shqipërisë”.

A duhet të jetë pjesë e muzeumeve periudha komuniste e Shqipërisë?
A duhet të jetë pjesë e muzeumeve periudha komuniste e Shqipërisë?Fotografi: Bundesstiftung Aufarbeitung

Organizatorët e panelit të diskutimit e kishin konceptuar aktivitetin në dy pjesë kryesore. Në fillim dy ekspertët nga Gjermania, dr. Hans-Jörg Czech, historian dhe ish drejtues ish i Muzeut Historik Gjerman, Berlin dhe kolegu i tij, dr. Peter Jahn, ish drejtues në Muzeu gjermano – rus dhe Memorialit të Luftës po në Berlin sollën përvojën e vëndit të tyre për zgjidhjen e problemeve të ngjashme. Se si u veprua në Gjermani me trajtimin e dy periudhave historike, të nacional socializmit dhe të komunizmit në ish Republikën Demokratike Gjemane, DDR. Për dr. Czech këto nuk ishin procese të lehta për t'i fiksuar në memorien e publikut. “Ishte i qartë synimi për t'i shndërruar muzetë nga mjedise ideologjike në historike. Duke parë nga perspektiva ne dëshironim të mbanin të gjallë atë që kishte ndodhur në Gjermani”.

Paneli i diskutimit “Historia mes nderit dhe ndershmërisë – a duhet të jetë pjesë e muzeumeve periudha komuniste e Shqupërisë”Fotografi: DW

Duke plotësuar kolegun e tij, dr Peter Jahn vuri theksin tek objektivi i qartë për “të rindërtuar atë që ka ndodhur dhe jo të ndërhyhet për ti treguar ngjarjet në mënyrë të njëanshme. Ishte një proces ku parapriu një diskutim i gjërë në publik, ku si të thuash pati një paqe me vetveten, që ndikonte drejtëpërdrejtë për paqen sociale në vend”.

Më pas vëmendja kaloi në realitetin shqiptar, në problemet që hasen prej kohësh në trajtimin e periudhës së diktaturës komuniste. Dr. Ardian Klosi, publicist e studiues, pëmendi një gjendje pezullimi të aktivitetit muzeal, sipas tij, si në një gjëndje letargjike kur është puna për të treguar periudhën e diktaturës. “Më mirë të tregohet pak se sa të fshihet fare dokumentacioni dhe eksponatet e asaj kohe. Le t'i shikojnë vetë qytetarët, të përjetojnë, të ngacmohen, të gjykojnë në mënyrën e tyre nga ato që shohin për një periudhë që nuk e kanë jetuar dhe kanë interest a njohin”.

Dr. Peter Jahn, ish drejtues në Muzeu gjermano – rus dhe Memorialit të Luftës në BerlinFotografi: DW

Arkitekti Maks Velo, një ish i dënuar politik në kohën e diktaturës është kritik për qëndrimin që ka në Shqipëri ndaj historisë dhe pasqyrimin e tyre në stendat e muzeve. Ka patur dhe ka inteferenca politike, thotë Velo për DW. Dhe për fat të keq sipas tij, kjo ka qënë si përpara vitit 1990 ashtu dhe më pas në kohën e trazicionit.

“Për mua nuk do të bëhet përderisa historia iu nënshtrohet tërrësisht interesave politike. Përsonalisht mendoj se nga dy ekspertët gjermanë kishte një vizion të kapur drejt dhe i arrirë që pot ë realizohej këtu tek do të ishte shumë mirë”.

Për këshilltarin e kryeministrit, Prof. Neritan Ceka, arkeolog, në Shqipëri ka ngatërresa të mëdha mes nocionit të të shkruarit të historisë dhe pasqyrimit të saj muzeal. “Në rastin e parë gjithshka bëhet nëpermjet artikujve e studimeve, në një kohë që për rastin e muzeve ka rëndësi të dorës së parë ekspozimi i objekteve për ti treguar vizitorëve të interesuar periudha të ndryshme historike”.

Dr. Hans-Jörg Czech, historian dhe ish drejtues ish i Muzeut Historik GjermanFotografi: DW

Mjaft të frytshëm këtë lloj diskutimi mes ekspertëve shqiptarë e gjermanë e konsideron dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Luan Malltezi. Ai tregon për DW arësyet kryesore se përse ecën me ngadalë pasqyrimi muzeal i periudhës së diktaturës komuniste në Shqipëri.

“Për arësye se jeta politike këtu është mjaft e ashpër, por dhe qëndrimet e vlerësimet e historianëve janë të skajshme mes tyre. Dhe vetë brezi nuk e kupton rëndësine e kohës që kalon. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse humbim vlera të mëdha, këto objekte që ne lëmë pas me pavemendje, të themi që pas 200 viteve ato mund të jënë material jashtëzakonisht të rëndësishme”.

Stephan Dömpke, nga Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës, që moderoi punimet e panelit paralajmëroi se do të ketë një diskutim të ngjashëm brenda kësaj jave në Gjirokastër. “Takime të tilla në rang ekspertësh nga Shqipëria dhe Gjermania do të zhvillohen dhe në të ardhmen, për të planifikuar dhe veprime konkrete në gjallërimin e muzeve, si vendet më të përshtatshme për të kujtuar dhe studjuar atë që ka ndodhur afër dhe larg në kohë”.

Paneli i diskutimit “Historia mes nderit dhe ndershmërisë – a duhet të jetë pjesë e muzeumeve periudha komuniste e Shqupërisë” u mbështet nga Ambasada e Gjermanisë në Tiranë dhe Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin me qëndër në Gjirokastër.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW