1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë kontroll, më pak rrezik

Daphne Grathwohl/Elert Ajazaj15 Tetor 2012

Më shumë kontroll, më shumë kapital dhe mundësia për të ndarë sektorë investimesh të kërcënuara prej falimentimit, për stabilizimin e sektorit bankar. Përfaqësuesi i bankave Gerhard Hofmann e sheh këtë në mënyrë kritike.

Gerhard Hofmann
Gerhard HofmannFotografi: BVR

DW: Zoti Hofmann, së afërmi u prezantuan në Bruksel të ashtuquajturat plane Liikanen. Ato parashikojnë një ndarje të investment banking-ut me më shumë rreziqe nga biznesi tradicional me klientët privatë. Sektori gjerman i shërbimeve të kredisë është skeptik. Përse?

Gerhard Hofmann: Nuk ka një refuzim strikt, por kundërshtime kritike të ndryshme: Çështja qendrore është nëse zhvendosja e aktiviteteve tregtare të një banke, e propozuar prej grupit Liikanen-Gruppe, do t'i ulte realisht rreziqet për sistemin financiar në tërësi. Të gjithë janë për atë që problemi "too big too fail", pra që një bankë është tepër a madhe për të dalë nga tregu, të zgjidhet. Mirëpo nuk është e qartë nëse propozimet Liikanen janë të dobishme për këtë. Natyrisht, ne duhet t'i shqyrtojmë të gjitha propozimet, por plani Liikanen është në masë të madhe i motivuar politikisht. Nëse e sjell ai vërtet këtë sukses kjo duhet analizuar njëherë.

Edhe Liikanen-i vetë e pranon që sistemi i dyfishtë i bankave nuk do ta kishte shmangur krizën financiare. Për shembull, Lehman Brothers në SHBA ishte një bankë e pastër investimesh dhe shkaktoi megjithatë rreziqe masive që prekin sistemin në tërësi. Anasjelltas pati një sërë bankash tregtare, si për shembull Washington Mutual apo financuesi i hipotekave Countrywide, të cilat me falimentimin e tyre shkaktuan rreziqe që prekën sistemin në tërësi.

Edhe në SHBA dhe në Britaninë e Madhe ka propozime për një sistem të dyfishtë të bankave, mirëpo sektori gjerman i shërbimeve të kredisë argumenton se kjo nuk i shkon sistemit bankar gjerman. Përse shkakton dëm në Gjermani në sistem i dyfishtë i bankave?

Në Gjermani ka një traditë shumë të gjatë dhe të suksesshme të parimit të bankës universale. Në kohën pas Luftës II Botërore për dekada me radhë ky parim u mbajt lart (edhe politikish) dhe u pa si shumë i favorshëm, për të garantuar furnizimin optimal të ekonomisë dhe të klientëve privatë me shërbime financiare. Edhe kompensimi i rrezikut shihej pozitivisht. E rëndësishme është që kriza financiare dhe ajo e huave shtetërore nuk kanë të bëjnë aspak me sistemin e dyfishtë të bankave ose me atë të bankës universale.

Paralelisht ka përpjekje të tjera në çështjen e rregullimit të bankave. E përmbledhur thjesht: Ndër të tjera bankat duhet të grumbullojnë më shumë kapital të tyre, për të amortizuar më mirë sesa në të kaluarën rreziqet. A është ky sipas jush një instrument kundër krizës financiare?

Parimisht ne kemi qëndrim pozitiv ndaj kësaj, megjithëse kërkesat për kapital që vendosen aktualisht paraqesin një sfidë të madhe për shumë banka. Por është e domosdoshme, për të stabilizuar edhe më tej sistemin bankar dhe për të rikthyer besimin.