Holanda heq dorë nga kontrolli i Nexperia-s
19 Nëntor 2025
Në mosmarrëveshjen për prodhuesin e gjysëmpërçuesve Nexperia, i cili është i rëndësishëm për industrinë automobilistike, Holanda u afrua me Kinën: qeveria e Hagës ka njoftuar se do të heqë dorë nga kontrolli i kompanisë, të cilën e bleu në fund të shtatorit, një masë që Kina e kishte kërkuar. "Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit, e konsideroj të përshtatshme të ndërmarr një hap konstruktiv," tha Ministri i Ekonomisë Vincent Karremans. Qeveria e tij mirëpret masat e marra nga Kina për të siguruar furnizimin me gjysëmpërçues në Evropë.
Javë pasigurie
Kompania kineze ka selinë e saj evropiane në Nijmegen (Holandë) dhe prodhon gjysmëpërçues, të cilët janë veçanërisht të rëndësishëm për industrinë automobilistike.
Në fund të shtatorit, ministri holandez i Çështjeve Ekonomike ndërhyri në menaxhimin e kompanisë për shkak të rezervave të forta për pronarin kinez.Qeveria holandeze deklaroi se Nexperia kishte mangësi në drejtimin e sipërmarrjes që paraqisnin një "kërcënim për mbrojtjen e njohurive dhe kapaciteteve teknologjike të rëndësishme në Holandë dhe Evropë". Ai e justifikoi masën me drojën se kompania mëmë kineze Wingtech donte të transferonte teknologjinë dhe prodhimin në Kinë. Kjo do të kishte ndikuar edhe në fabrikën e Nexperia-s në Hamburg të Gjermanisë. Wingtech nga ana e saj njoftoi se do të ndërmerrte veprime ligjore për këtë çështje.
Masa e kundërmasa
Pas kësaj ndërhyrjeje, Pekini vendosi kufizime në eksportin e gjysëmpërçuesve të Nexperia-s, të cilat ndikuan edhe tek prodhuesit evropianë të automjeteve. Kina më pas njoftoi një lehtësim të ndalimit të eksportit, por këmbënguli që Holanda të reduktojë masat e kontrollit që kishte marrë.
Nexperia më parë ka qenë pjesë e grupit Philips dhe prodhon gjysmëpërçues për produkte të përditshme si automjetet dhe frigoriferët. Kompania gjithashtu ka një fabrikë në Hamburg.
aud (dlf, tgsch)