1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Holanda përgjegjëse në rastin e Srebrenicës

7 Korrik 2011

Një gjykatë në Hagë e bëri shtetin holandez përgjegjës për vrasjen e tri myslimanëve në masakrën e Srebrenicës, në vitin 1995 dhe e dënoi me pagesë dëmshpërblimi. Vendimi erdhi papritur për të dyja palët.

Varr masiv në Srebrenicë
Varr masiv në SrebrenicaFotografi: AP

Korrik 1995: Serbë të Bosnjës vrasin në Srebrenicë, në Bosnjën Lindore rreth 8000 boshnjakë, megjithëse ky vend në fakt bënte pjesë në zonat e mbrojtura të OKB-së. Për kontrollin e kësaj zone mbrojtjeje kompetencën e kishin ushtarët holandezë. Por për shkak të numrit të madh të forcave serbe që po afroheshin, holandezët u tërhoqën. Dhe i lanë boshnjakët në fatin e tyre. Që prej 16 vjetësh përpiqen tani të afërmit e të masakruarve, të hedhin në gjyq Kombet e Bashkuara dhe shtetin holandez.

Gjykata shpall Holandën përgjegjëseFotografi: picture alliance/dpa

"Sepse të dyja organizatat, Kombet e Bashkuara dhe shteti hollandez nuk bënë atë që duhet të bënin në bazë të mandatit të tyre, e pikërisht të mbronin popullatën civile", thotë avokati Axel Hagedorn. Ai përfaqëson shumë nëna të Srebrenicës. Deri tani, të gjitha aktpadijet e tyre qenë hedhur poshtë. Shteti holandez pati argumentuar gjithmonë se ushtarët e tij patën qenë nën komandën e OKB-së, pra Holanda nuk mund të bëhet përgjegjëse për atë që ndodhi në Srebrenicë. Por gjykata e revizionit në Hagë arriti sot pikërisht në përfundimin e kundërt:"Një vend që ia vë në dispozicion trupat e tij OKB-së dhe ia nënshtron urdhërave të OKB-së, mund të bëhet megjithatë përgjegjës për atë që bëjnë trupat në vendin, ku zhvillohet misioni paqeruajtës", shprehet avokatja Lisbeth Zegveld, e cila luftoi për vendimin e fundit të gjyqit, më saktë për të afërmit e tri burrave, të cilët u vranë atëherë në Srebrenicë. Shteti holandez duhet të paguajë tani dëmshpërblim në një shumë që nuk u tha. Për shembull për Hasan Nuhanoviqin. Ai punonte atëherë si përkthyes për trupat holandeze, të cilat nuk penguan që vëllai dhe babai i tij të vriten. Paditësi i suksesshëm tha tani në radion holandeze:"Unë nuk di ç'të them, me të vërtetë nuk di. Isha përgatitur që vendimi të ishte negativ. Pra për një vendim pozitiv nuk isha përgatitur."

Tmerri i SrebrenicësFotografi: picture-alliance/dpa

Vendimi ka lidhje shprehimisht vetëm për tri raste të veçuara. Por të afërmit e mijëra viktimave të atëhershme tani shpresojnë se edhe ata do të kenë sukses me aktpadijet e tyre. Dhe avokati Axel Hagedorn pret një hap të rëndësishëm simbolik: "As Kombet e Bashkuara, as shteti hollandez nuk kanë kërkuar ndonjëherë falje për atë që ka ndodhur, nuk kanë thënë as "na vjen keq", as 16 vjet më vonë. Kjo natyrisht është e hidhur."

Autor: Andreas Reuter/ Auron Dodi

Redaktoi: Bahri Cani