1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Holanda pas zgjedhjeve të reja

Ruth Reichstein / Angjelina Verbica13 Shtator 2012

Kundërshtarët evropianë të Wilders-it, që i bëri të nevojshme zgjedhjet, u dënua nga votuesit. Holandezët kanë zgjedhur ato parti, që ndjekin një kurs proevropian: VVD dhe socialdemokratët .

Fotografi: picture-alliance/dpa

Deri në orët e hershme të mëngjesit mbështetësit e VVD festuan kryetarin e tyre dhe ish-kryeministrin e deritanishëm Mark Rutte në Hagë. Pas pritjeve disa orëshe u bë e qartë: VVD fitoi me 41 vende zgjedhjet parlamentare në Holandë, me dy vende para frontit socialdemokrat. "VVD në histori nuk ka qenë kurrë kaq e madhe sa sonte. Kjo është një mbështetje e pabesueshme për mua dhe programin tim", tha Mark Rutte pak para mesnatës, kur mbërriti në plazhin e Sheveningenit.

Holanda nuk lëviz nga kursi i kursimeve

Kandidati kryesor për VVD i la mbështetësit e tij një kohë të gjatë të prisnin dhe iu desh më shumë se dhjetë minuta, për të çare përmes turmës entuziaste, për t'u ngjitur në skenë. Fjala e tij u ndërpre shpesh nga thirrje entuziaste të VVD. Kjo është hera e parë, që kjo parti është forca kryesore në dy zgjedhje radhazi.

Turma entuziaste e VVD-së pas fitoresFotografi: dapd

Me fitoren e VVD-së Holanda sipas të gjitha gjasave vazhdon t'i qëndrojë besnike kursit të kursimit dhe në nivel evropian mbetet aleate e qeverisë gjermane: "Është një vendim i qartë i votuesve pro disiplinës buxhetore dhe për mbajtjen e limitit trepërqindësh të borxhit të paraparë nga BE", tha ish ministri i Jashtëm holandez dhe politikani VVD, Uriel Rosenthal.

Edhe pse socialdemokratët, forca e dytë politike në Holandë, duan që përveç objektivave të kursimeve dhe investimeve të zbatojnë edhe një "politikë më sociale", edhe kandidati i tyre kryesor, Diederik Samsom, gjatë fushatës mbrojti në mënyrë të përsëritur anëtarësinë në BE dhe ndihmën për vendet debitore. Pra Angela Merkel nuk ka për të patur kundërshtim nga Haga.

Geert Wilders nuk dorëzohet megjithë humbjen në zgjedhje

Një shuplakë të vërtetë mori populisti i djathtë Geert Wilders nga votuesit. Partia e tij e Lirisë humbi nëntë vende në krahasim me vitin 2010. Thirrjet e Wildersit për tërheqje nga Bashkimi Evropian me sa duket nuk i arritën zgjedhësit. Të gjitha partitë demokratike e përshëndetën rënien e Partisë së Lirisë. Ajo i kishte bërë të nevojshme zgjedhjet, vetëm për shkak se nuk donte të mbështeste më qeverinë e pakicës të VVD në çështjen e paketës së shpëtimit për Greqinë. "Votuesit kanë treguar, se t'ia mbathësh me vrap nuk është rruga e duhur," tha Rosenthal, politikan i VVD-së.

Pamje nga protestat kundër Geert Wilders në HagëFotografi: Reuters

Geert Wilders e pranoi në fakt humbjen, por kërkoi nga përkrahësit e tij, të mos largohen nga kursi i deritanishëm. "Në vitet e ardhshme njerëzit do ta kuptojnë se euro është një gabim i madh. Beteja nuk është akoma e humbur Unë luftoj për t'i mbrojtur njerëzit nga Evropa."

Pak gjasa për një koalicion dypartiak

Humbësi i dytë është socialisti Emile Roemer. Pak javë më parë ai mundi të shpresonte për postin e kryeministrit. Partia e tij ishte në krye në sondazheve në maj. Sipas tyre ai mund të merrte deri në 38 vende. Por në javët e fundit Roemer ra në sondazhe. Sidomos me shfaqjet e tij në debatet televizive ai nuk mundi të bindë votuesit. "Njerëzit i duan në fakt idetë e Roemer-it. Por ata nuk i besojnë atij, që të jetë kryeministri i ardhshëm. Ata nuk e shohin atë në takimet në Bruksel, në anën e Angela Merkel-it dhe Francois Holande", thotë Andre Krouwel, një analist politik i universitetit të Lirë të Amsterdamit. Ajo analizon prej vitesh motivet e elektoratit holandez. "Roemer-it i mungon përvoja. Ai është një politikan lokal. Kriza e euros është pak larg për të." Partia e Roemer-it fitoi vetëm 15 vende, por ka gjasa, që së bashku me atë të Wilders-it të jetë forca e tretë. "Unë jam krenar për rezultatin tonë dhe ne shpresojmë, se ne do të ulemi së bashku në tryezën e koalicionit", tha deputeti i PS, Renske Leijten.

Në foto, Emile RoemerFotografi: DW

Të enjten paradite liderët e partive u takuan me ftesë të kryetarit të Parlamentit holandez në Hagë, për të diskutuar mbi koalicionet e mundshme. Me përparësinë e liberalëve dhe socialdemokratëve për të qeverisur do të mjaftonte një koalicion dypartiak. Megjithatë kjo konsiderohet e pamundur. Të dy kandidatët kryesorë e kishin përjashtuar atë para zgjedhjeve. Ata preferojnë të marrin parti të tjera më të vogla në qeveri. Shans të mirë kanë liberalët e majtë të D66, e cila arriti dymbëdhjetë vende, dhe kristiandemokratët me 13 vende.

E qartë është se dy partitë më të forta duhet të bashkëpunojnë në çdo rast. Të gjitha kombinimet e tjera, edhe me shumë parti, nuk arrijnë shumicën e kërkuar prej 75 vendesh në parlamentin holandez. Disa politikanë i kanë bërë thirrje Rutte-s dhe Samsom-it për të formuar shpejt një qeveri funksionale. Në zgjedhjet e fundit në vitin 2010 kaluan katër muaj, derisa u krijua koalicioni.