1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Homofobi në Hungari: "Shumë i besojnë propagandës absurde"

14 Tetor 2022

Dita kur kryeministri hungarez Viktor Orban i quajti homoseksualët pedofilë, ishte një ditë kthese në jetën e kolumnistit të Deutsche Welles, fotografit Zsolt Reviczky.

Demonstration gegen das so genannte Gesetze gegen Homo-Propaganda
Demonstratë kundër ligjit të quajtur ligj kundër propagandës homoseksualeFotografi: Zsolt Reviczky

Atë mëngjes tetori 2020 unë ndodhesha në banesën time në Budapest kur hapa radion për të dëgjuar radion shtetërore hungareze. Kryeministri hungarez Viktor Orban flet shpesh atje dhe unë e dëgjoj. Atë mëngjes në një bisedë ai barazoi homoseksualitetin me pedofilinë. Ai tha se hungarezët janë një popull i duruar sa i përket homoseksualitetit, por edhe kjo ka kufi dhe kufiri thotë: "Lerini rehat fëmijët tanë!" 

Nuk isha në gjendje ta mblidhja veten kur dëgjova se si Orbani krahasoi homoseksualët me ngacmuesit e fëmijëve. Ishte e tmerrshme të dëgjoje këtë gënjeshtër të llahtarshme që ai lëshonte para dëgjuesve të shumtë. Për mua ky moment shënoi kthesën në stilin tim të jetës në Hungari. Unë pyeta veten: Sa të rinj homoseksualë, që sapo kanë zbuluar seksualitetin e tyre dhe janë në dëshpërim, do të bien tani në mendime suicidale? 

Fjalët e Orbanit ishin pika paraprake kulminante e retorikës homofobe. Deri disa vjet më parë homofobia nuk luante ndonjë rol në Hungari, por në vitet 2017, 2018 Orbani filloi ta kthente homofobinë në temë të një fushate të gjerë. Kjo nuk dëgjohej në ato kohë nga aq shumë veshë sa dëgjohet tani. Por Orbani është një njeri që përpiqet në mënyrë konseguente të luftojë çdo lloj solidariteti në shoqëri dhe të nxisë njerëzit kundër njeri- tjetrit, një gjë që funksionon relativisht mirë edhe për këtë temë. 

Urrejtja në rritje  

Që me nxjerrjen e ligjit kundër së ashtuquajturës Homo-Propaganda në vitin 2021, shoqëria është duke u kontaminuar gjithnjë e më shumë. Ndërkohë një pjesë e njerëzve në Hungari e lidhin homoseksualitetin vërtet me pedofilinë. Unë mendoj se shoqëria hungareze ndodhet në një moment kthese, ku fryma kundër homoseksualëve po keqësohet, urrejtja kundër nesh po bëhet gjithnjë e më e madhe.  

Tek unë personalisht nuk shihet patjetër që jam homo, por në rrethin e miqve të mi, ata që kanë diçka femërore kanë pasur përvojë negative. Në vitin 2021, një shok imi u sha në qendër të Budapestit nga një grup burrash homofobë dhe u qëllua prej tyre aq keq, sa iu desh të shkonte në spital.  

Fotografi: Reviczky Zsolt

"Propaganda homofobe është mëkat" 

Asnjëherë nuk ka qenë e lehtë të jesh homo ose lezbike në Hungari. Por unë personalisht kam pasur fat. Unë jam rritur në një familje ku homoseksualiteti nuk ka qenë problem dhe ndaj meje nuk është ushtruar presion. Kur zbulova se jam homoseksual fillimisht mu duk diçka e natyrshme. Kjo ka qenë në kohën e adoleshencës, kur isha 13, 14 vjeç. Mua më ra vetë në sy se nuk kisha rënë në dashuri me mësuesen simpatike të fizikës, por me mësuesin e sportit. Megjithatë e mbajta homoseksualitetin tim sekret. Një vit më vonë edhe unë kisha turp dhe kur u bëra 16 vjeç fillova të kisha mendime vetëvrasjeje. Me këtë gjë luftojnë shumë të rinj homoseksualë. Pikërisht për këtë gjë unë mendoj se është mëkat i madh, të bësh propaganda homofobe, sepse të rinjtë homoseksualë janë shumë të ndjeshëm dhe të thyeshëm. 

Të mos jetoj më me mashtrime  

Unë personalisht i kam lënë ato kohëra pas shpine. Më pas unë e provova me vajza. Unë kam pasur dy shoqe dhe me secilën prej tyre kam pasur marrëdhënie të mira. Kjo ishte rruga me të cilën, kur e mendoj sot, unë e bëra për t'i shpëtuar presionit të shoqërisë. Shumë homoseksualë ndjekin këtë rrugë, kanë grua, fëmijë, familje. Por në fund të fundit nuk është kjo ajo që duan, kjo dëmton të gjithë pjesëmarrësit. Kur unë ndodhesha me shoqen time të dytë para vendimit të martohesha apo jo, unë vendosa të mos jetoja më në gënjeshtër. Në atë kohë isha 25 vjeç. 

U deshën pesë vjet të tjera, derisa pata partnerin e parë homoseksual, kur isha 30 vjeç, në një kohë kur mu desh të largohesha nga vendi për të shkuar në SHBA. Kisha marrë atje një bursë, dhe atje pata edhe marrëdhënien e parë homoseksuale. Dhe që nga ajo kohë unë bëj një jetë të zakonshme homoseksuale. 

"Shumica nuk na kupton" 

Pak më vonë unë i tregova prindërve. Unë kam marrë gjithnjë shumë dashuri prej tyre, prandaj e dija që nuk do t'i kisha punët pisk. Im atë nuk ka qenë asnjë herë me rezerva. Ime më ishte në fillim pak e shqetësuar, për shkak të presionit shoqëror, por me kalimin e kohës dhe kjo i kaloi.  

Edhe në rrethin e miqve dhe të të njohurve nuk kam pasur asnjëherë përvojë të keqe. Por unë nuk i them kujtdo njeriu që jam homoseksual. E vërtetë është po ashtu që unë dhe shoku im ecim rrallë dorë për dorë rrugëve të Budapestit. Për fat të keq pjesa më e madhe e shoqërisë nuk e kupton sa e dhimbshme dhe e rëndë është që të duhet vazhdimisht të mendohesh mirë si të sillesh me njeriun e dashur kur ndodhesh në publik, ndërkohë që për shumë çifte heteroseksuale është e zakonshme që të mbajnë duart e njeri-tjetrit. 

Pakicat kundër pakicave 

Për fat të keq mendime të tilla janë shtuar në atmosferën e mbushur me propaganda homofobe të regjimit të Orbanit. Ndërkohë ka arritur puna deri aty sa të thuhet se kur Perëndimi të fillojë të sundojë në Hungari, fëmijët do të detyrohen të bëjnë operacione për transformim gjinor. Unë mendoj se një pjesë e shoqërisë hungareze i beson madje kësaj propagande absurde. Unë nuk arrij ta kuptoj aspak këtë gjë.  

Për fat të keq duhet të them se edhe brenda për brenda pakicave si e jona ndodhin situata, ku shihet se ne nuk jemi duke mësuar nga nxitja e urrejtjes kundër nesh. Mua më kujtohet një mbrëmje kur ndodheshim me pushime dhjetë vjet më parë me shoqërinë, pjesa më e madhe intelektualë, gjysma e tyre homoseksualë. Ne ishim duke ngrënë, duke pirë, duke bërë muhabet kur papritur ra fjala për problematikën e romëve në Hungari. Për mua ishte shumë e dhimbshme të shihja se si gjithë shokët e mi homoseksualë përsëritën gjithë spektrin e stereotipeve kur folën për romët, duke thënë se ata nuk duan të punojnë, se vetëm lindin fëmijë për të marrë ndihmën sociale, se janë hajdutë e kështu me radhë. Për mua është e trishtueshme të shoh sa të pamëshirshëm janë pakicat me njera-tjetrën. 

Ku të shpie fryma publike? 

Fotografi Zsolt ReviczkyFotografi: privat

Në përgjithësi gjendja në Hungari është për ne shumë shtypëse. Unë e dua vendin tim, Hungaria është një vend fantastik me një kulturë të mrekullueshme. Por, është e trishtueshme që një pakicë të ndodhet në vitin 2022 në një situatë të tillë si kjo e jona, kundër së cilës zhvillohet një diskutim i tillë i mbushur me urrejtje. Unë kam një marrëdhënie të lumtur, një familje që më do, dhe një rreth të mirë miqsh, që më mbështet dhe më jep krah. Por nëse shoku im nuk do të duhej të qëndronte këtu për arsye profesionale, unë do isha larguar prej kohësh nga ky vend. Sepse diskutimi i përhershëm homofob, që vjen nga lart më pengon shumë në jetën e përditshme dhe në stilin tim të jetës. 

Është e trishtueshme të shohësh se si një qeveri që e quan veten kombëtare detyron kaq shumë hungarezë të largohen nga vendi, sepse nuk durojnë dot më të jetojnë këtu. Se ku çon kjo frymë publike, mbetet ta shohim. Ka ndodhur shpesh në historinë e Hungarisë që kohëra të tilla të mbushura me urrejtje kanë çuar në zhvillime shumë të këqija. Nëse shoh që kjo do të ndodhë, pavarësisht dashurisë për atdheun, unë me siguri do të largohem nga Hungaria. 

 

Zsolt Reviczky, 54, ka studiuar shkencat inxhinjerike por punon prej dy dekadash si fotograf. Pas një shkollimi si fotograf në vitin 1999, ai filloi të punonte në një gazetë buldevardeske të Budapestit, në Mai Nap. Pas vitit 2005 ai punoi për një gazetë liberale të majtë, të përditshmen Nepszabadsag, e cila u ble në vitin 2016 nga një person besnik i Orbanit, dhe u mbyll pak kohë pas blerjes. Që nga viti 2017, Reviczky punon si fotograf në të përjavshmen e pavarur HVG. Të gjitha fotografitë në këtë artikull dhe në galeri janë të tij.