1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Homofobia në Rusi në rritje

Eliana Xhani6 Nëntor 2013

Ligji për ndalimin e propagandës homoseksuale shkakton frikë, thonë të prekurit. Ai forcon qendrimet homofobe në shoqërinë ruse.

Fotografi: Getty Images

Në Rusi ka qenë gjithnjë e rrezikshme të flasësh hapur për seksualitetin. Por ndërkohë është bërë shumë e rrezikshme, ankohen përfaqësues të shoqatave ruse të homoseksualëve, dyseksualëve dhe transseksualëve (LGTB). Ligji i miratuar në qershor 2013 për ndalimin e propagandës homoseksuale e ka ashpërsuar gjendjen edhe kështu të vështirë të homoseksualëve në Rusi. Edhe vetëm dyshimi për prirje homoseksuale e vë personin në fjalë në shënjestër të homofobëve.

Ligji i kritikuar ashpër ndërkombëtarisht parashikon dënim për shprehje pozitive mbi homoseksualitetin në prani të të miturve. Ai parashikon gjoba nga 100 euro për persona privatë deri në 23.000 euro për firma dhe organizata. Për media të dyshuara për "propagandë" parashikohen madje dënime deri 20 herë më të mëdha. Edhe të huajt përballen me pasoja të ngjashme në Rusi. Veç kësaj ata kërcënohen nga dënime me heqje lirie deri në 15 ditë dhe largimin nga vendi.

Kritikë ndaj kodit penal në fuqi

Demonstrata kundër homoseksualëveFotografi: picture alliance / dpa

Që atmosfera për homoseksualët në Rusi është tejet e parehatshme, e konfirmon në bisedë me DW Valerij Sosajev nga lëvizja shoqërore "Rrjeti LGTB rus" në Shën Petërburg. "Ligji u mundëson grupimeve radikale të shmangin dënimet në rastet kur ushtrojnë dhunë mbi homoseksualët", thotë Sosajev. Vetëm gjatë debatit për ligjin në Rusi janë kryer 17 vrasje, për të cilat autorët kanë dhënë si shkak homofobinë.

Një studim i "Rrjetit rus LGTB" konstatoi se gjykatat në rastet e krimeve me motiv homofobinë japin në pjesën më të madhe dënime minimale. Sipas kodit penal në fuqi homofobia nuk paraqet rrethana të rënduara, ankohet Sosajev. Për shembull aktualisht dy sulme kundër homoseksualëve në Shën Petërburg, u cilësuan nga hetuesit vetëm si akte rrugaçërie.

Mosbesim tek autoritetet

Andrey Obolensky -aktiviste për të drejtiat e njeriutFotografi: DW/E. Winogradow

Për shkak të një qendrimi të tillë ndaj akteve penale homofobe, homoseksualët nuk kanë besim tek policia. "Rrjeti rus LGTB" arrin në përfundimin se vetëm 20 për qind e homoseksualëve do t'i drejtoheshin policisë në rast aktesh dhune ndaj tyre. Policët shpesh janë edhe vetë homofobë, theksoi drejtori i "Shoqatës Ylberi" në Moskë, Andrej Obolenskij. Sipas tij homoseksualët rusë ndihen edhe për këtë arsye pa mbrojtje të mjaftueshme nga lëvizja "Occupy pedofilyay", e cila "kryen gjueti ndaj homoseksualëve". "Këto janë grupe të mirëfillta huliganësh", thotë Obolenskij. Në Moskë dhe Shën Petërburg nuk ka asnjë vend ku homoseksualët mund të jenë të sigurtë.

I riu homoseksual Alex e provoi në lëkurën e tij sa e rrezikshme është situata në Moskë. Ai dhe shoku i tij në mars të këtij viti u rrahën në mënyrë brutale nga të panjohur në një metro të kryeqytetit, ndërkohë që bisedonin për një festë homoseksualësh. Siç i tregoi vetë Alex DW-së, policët e thirrur për ndihmë konstatuan vërtet homofobinë si motiv të dhunës, por kishin dhënë të kuptohej se askush nuk do të merrej më tej me rastin. Padia e Alex-it për një kohë të gjatë u injorua nga autoritetet. Vetëm në muajin shtator pati lëvizje në trajtimin e saj. Por homofobia si motiv i veprës penale nuk ndeshet në dosje, thotë Alex.

Homoseksualët braktisin vendin

Sergey Gubanow -aktiviste për të drejtat e njeriutFotografi: DW/E. Winogradow

Edhe homoseksualët që nuk janë aktivistë të organizatave LGTB, konstatojnë se që prej miratimit të ligjit për ndalimin e propagandës homoseksuale, homofobia në shoqërinë ruse është shtuar. Sergej Gubaniv e tregon hapur orientimin e tij homoseksual. "Unë përballem shumë shpesh me agresion, deri tani vetëm verbal", tha ai në bisedë me DW. "Kur shëtis me shokun tim nëpër Moskë, na duhet të dëgjojmë vazhdimisht sharje kundër homoseksualëve", thotë Gubanov.

Gjithnjë e më shumë homoseksualë duan të largohen nga Rusia për shkak të ligjit të kontestuar. Gubanov tha se gjatë gjashtë muajve të shkuar shumë shokë të tij ishin transferuar jashtë vendit. Ai është i bindur se pushteti shtetëror e ka arritur qëllimin me ligjin në fjalë: "Nga njëra anë ka mbjellë frikë dhe nga ana tjetër urrejtje."