1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

120509 Köhler Bilanz

23 Maj 2009

Ndryshe nga të gjithë paraardhësit e tij Këhler ka doktoruar në ekonomi dhe përpara mandatit si president nuk ka qenë i angazhuar si politikan.

Presidenti Horst Koehler, dhe e shoqja me Eva Luise duke biseduar me një fëmijë, pjesëmarrës në "Festen për shkencëtarët e vegjël"
Presidenti Horst Köhler, dhe e shoqja me Eva Luise duke biseduar me një fëmijë, pjesëmarrës në "Festen për shkencëtarët e vegjël"Fotografi: AP

Bilanci i punës së një presidenti nuk matet me realizimin e reformave të sukseshme, me ligjet e rëndësishme apo me përballimin e krizave qeveritare. Në radhë të parë puna e presidentit vlerësohet nga prestigji që ka fituar ai në popull. Në këtë drejtim Horst Këhler ka arritur shumë. Burri i parë i shtetit është njëkohësisht edhe politikani më i dashur në vend. "Ndoshta, sepse ai nuk bën bujë për të tërhequr vëmendjen si i rëndësishëm, sepse nuk do të paraqesë diçka tjetër, përveç asaj që është, ai është i sinqertë," kështu shkruan gazeta "Süddeutsche Zeitung" për Këhler-in.

Sipas kancelares Merkel "Këhleri u ka hyrë në zemër njerëzve në Gjermani. Kësaj ia ka arritur me mënyrën e çiltër si u drejtohet atyre dhe me mënyrën se si nxjerr në pah edhe të vërtetat e pakëndshme."

Ai ka fituar pikë simpatie në popull me kritikën e tij herë më shumë e herë më pak të drejtpërdrejtë ndaj politikës jo me këmbë në tokë të Berlinit. Berlini politik është hakmarrë ndaj tij duke e shpotitur kreun e shtetit megjithëse jo drejtpërdrejt si "një drejtor banke kursimesh". Faktikisht Këhler ka drejtuar për vite të tëra Lidhjen e Arkave gjermane të Kursimit. Ndryshe nga të gjithë paraardhësit e tij Këhler ka doktoruar në ekonomi dhe përpara mandatit të parë si president nuk ka qenë i angazhuar si politikan, por si nëpunës i nivelit të lartë, së fundi si shef i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Edhe sot e kësaj dite ai është disi i huaj në biznesin e politikës së Berlinit. 66-vjeçari nuk ka shkëlqyer përmes vizioneve të mëdha apo fjalimeve elektrizuese. Ai nuk është orator i mirë, një mangësi e madhe kjo për një president, prej të cilit i gjithë orientimi pritet nga fjalët. Këhler e kompenson këtë me punë, me përpjekjet e spikatura për të gjetur përgjigje ndaj problemeve, me kurreshtje të sinqertë atje ku politikanët me stazh të gjatë shtiren sikur tregojnë interes rutinë.

Köhler në Butare, Ruandë, gjatë inagurimit të një shkolleFotografi: picture-alliance/ dpa

Brenda vendit ai është angazhuar veçanërisht për një arsimim më të mirë të të rinjve duke përfshirë edhe të rinjtë migrantë. Në planin ndërkombëtar ai ka tematizuar sfidat e globalizimit, thellimin e hendekut mes të varfërve dhe të pasurve në botë duke u angazhuar veçanërisht për Afrikën, ku ka qenë shpesh.

Dy herë ai ka refuzuar të nënshkruajë ligje të koalicionit qeverisës me bazë të gjerë (të përbërë nga dy partitë e mëdha kristian-demokrate/kristiansociale dhe ajo social-demokrate). Disa herë të tjera ai ka dyshuar në lidhje me kushtetueshmërinë e ligjeve, por vendimin e fundit ia ka lënë Gjykatës Kushtetuese.

Ndoshta se ai nuk bën bujë për të tërhequr vëmendjen si i rëndësishëm dhe nuk do të paraqitet ndryshe nga ç'është, Köhler është politikani më i dashur në Gjermani.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Veprimi më i rëndësishëm i Këhlerit gjatë mandatit presidencial ka qenë shpërndarja e Bundestagut (parlamenti gjerman)në korrik 2005 me kërkesën e parardhësit të kancelares Merkel, Gerhard Shrëder. Fakti që kancelari Shrëder më parë kishte inskenuar me vetëdije dështimin e mocionit të votëbesimit në Bundestag, e dëmtoi dinjitetin e parlamentit. Megjithatë Këhleri dha dritën e gjelbër për zgjedhje të reja. Por edhe shumica e gjermanëve kështu do të kishte vendosur.

Etiketa si "neoliberal", që i ka mbetur Këhler-it nga e kaluara e tij si shef i FMN-së, është zbehur kohët e fundit. Fjalimi i tij në Berlin lidhur me krizën financiare dhe ekonomike në mars të 2009-s ishte një pretencë për një shtet të fortë, i cili duhet t' i vendosë rregulla tregut, sepse liria e pakufizuar bart shkatërrim. Këhler ka gjithnjë e më shumë dyshime nëse zhvillimi ekonomik është "zgjidhja e problemit dhe nxitësi i paqes" dhe madje ai shfaq simpati për një new green deal.

Autor: Bernd Gräßler/Pandeli Pani
Redaktoi: Sonila Harasani