190411 Studentenhotel
23 Prill 2011
Semestri veror 2011 sapo ka filluar në universitetet gjermane ndërkohë që shumë studentë ende nuk kanë gjetur një çati mbi kokë. Konviktet e studentëve nuk mjaftojnë. Problemi është që gjendja gjatë vitit të ardhshëm do të vështirësohet edhe më shumë, sepse në vitin 2012 maturën do ta kryejnë dy gjenerata: njëra, e cila në shkollën e mesme ishte 13 dhe tjetra 12 vite. Prandaj edhe kërkesat për një vend në konvikt janë shtuar. Po si po e zgjidhin këtë situatë disa studentë?
Në një dhomë hoteli Jens Pasen, i cili po pastron tavolinën e punës, ka mjaft hapësirë për të jetuar dhe punuar. 23 - vjeçari studjon gjermanishten dhe anglishten. Dhoma duket e renovuar dhe e pastruar dhe ka një banjë të veçantë. E veçanta është që ai është vendosur në hotelin "Bockhorn". Të paktën kështu shkruan në hyrje. “Kjo është një dhomë e madhe, ndërsa së bashku me dhomën tjetër poshtë, janë 27,5 metra katrorë. Në mëngjes së bashku me shoqen time më të mirë kemi ardhur këtu. Pasi nuk kishte njeri tjetër, kemi marrë dhomat më të mëdha, të cilat natyrisht janë edhe më të shtrenjtat." Kam qenë përpara në një konvikt, i cili do të rrënohet dhe atje do të ndërtohet një godinë e re. Shkova në organizatën e studentëve dhe pyeta: ku mund të sistemohem? Ata më propozuan këtë vend ku unë gjeta një dhomë, thotë Jens.
Hoteli u kthye në konvikt
Organizata e studentëve në Mynster ka marrë me qira hotelin e dikurshëm Bockhorn për pesë vitet e ardhshme. Ai është një prej tri hoteleve të zbrazëta, ku tani do të vendosen studentët. Organizata e studentëve në Mynster ka në dispozicion rreth 5000 dhoma në 22 godina, por as kjo nuk mjafton, thotë zëdhënësi i saj Gisbert Schmitz.
Schmitz: “Ne vlerësojmë se kemi nevojë edhe për 1000 vende të tjera. Në fakultete flitet për numra të ndryshëm të studentëve që do të pranohen, por ende nuk është e qartë se cili do të jetë numri i saktë.“
60 milionë euro ka investuar organizata e studentëve në Mynster gjatë 10 viteve të fundit, shumicën për vendbanimin e studentëve. Para për ndërtimin e godinave të reja nga landi i Renanisë Veriore - Vestfalisë për disa vitet e ardhshme nuk do të ketë. Ndërkohë që vitin e ardhshëm në studime priten dy gjenerata të shkollave të mesme: ajo që maturon pas 13 dhe tjetra pas 12 viteve. Schmitz: “Ka qytete, të cilat janë të lumtur për këtë shkak. Tek ne 12 % e studentëve jetojnë nëpër konvikte, ndërsa në qytetet tjera 6 - deri në 10 %. Kjo ka të bëjë me atraktivitetin e qytetit Mynster dhe natyrisht me ofertat e banesave në tregun e lirë.“
Jo të gjithë studentët të kënaqur me çmimet
Ata që gjejnë një vend në hotelin "Bockhorn" duhet të jenë të kënaqur, sepse ai ka vetëm 17 dhoma. Në njërën prej tyre është vendosur studenti nga Pekini Lio Wantao. Lio Wantao: “Dhoma ka 13 metra katrorë dhe kushton rreth 277 euro në muaj. Për mua është pak tepër e shtrenjtë, sepse më parë në Hanover kam paguar për një dhomë 190 euro.“
Fakti që dhoma është pranë stacionit hekurudhor ku dëgjohen edhe trenat, për studentin kinez nuk paraqet ndonjë problem, sa banjo e vogël. Atij nuk i pëlqen as guzhina e përbashkët. Ndërsa Jens Pasen nuk ka çfarë të kritikojë. Çmimi për të është normal, ndërsa në afërsi janë kinot, qendra e qytetit dhe universiteti. Njeriu mund të mësohet me jetën në hotel, thotë ai. “Tregu i banesave në Mynster është shumë brutal, në veçanti në qendër të qytetit. Po së fundi edhe në zonat periferike, të cilat janë bërë shumë atraktive. Ka me mijëra studentë që kërkojnë vendbanim dhe janë të lumtur nëse e gjejnë një vend.“
Organizata e studentëve ndërkohë po mendon edhe më larg: është shtuar interesi për ndërtimin e një godine në afërsi të stacionit hekurudhor. Mbase do të gjendet edhe dikush që do të financojë këtë projekt. Gisbert Schmitz, zëdhënësi i studentëve: “Ky vend është i përshtatshëm për shkak të lidhjeve të mira të trafikut dhe afërsisë me konviktet tjera. Për investorët është atraktive që studentëve t'u ofrojnë vendbanime të reja."
Autor: Marco Poltronieri/Bahri Cani
Redaktoi: Lindita Arapi