1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mickoski - mandatar për formimin e qeverisë së re

6 Qershor 2024

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova ia ka dorëzuar mandatin për formimin e Qeverisë së re kryetarit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.

Nord-Mazedonien Skopje | Präsidentin Gordana Siljanovska Davkova und Hristijan Mickoski
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Kryetarit i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski pas zgjedhjeve të 8 majit siguroi shumicën parlamentare me koalicionin VLEN dhe Lëvizjen ZNAM, që u konfirmua gjatë zgjedhjes së Afrim Gashit për kryetar të Kuvendit.

Sipas Kushtetutës, mandati për formimin e Qeverisë i jepet partisë, e cila në zgjedhje ka fituar numrin më të madh të deputetëve dhe që arrin të sigurojë mbi 60 vota për votimin e saj në Kuvend. Në zgjedhjet parlamentare më 8 maj, VMRO DPMNE-ja ka fituar 58 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, nga 120 sa janë gjithsej.

"Sipas Kushtetutës një nga detyrat e presidentit është dhe ndarja e mandatit për formimin e Qeverisë. Mandati i ndahet 10 ditë pas konstituimit të Kuvendit. Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka mundësi serioze që të formoj qeveri, gjegjësisht të grumbulloj 61 vota për programin dhe përbërjen e qeverisë së re të cilën do ta prezantoj në afat prej 20 ditëve”, ka deklaruar presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska-Davkova.

Sigurojmë shtet funksional të sundimit të së drejtës

Sipas mandatarit Hristijan Mickoski, negociatat për qeverinë tashmë kanë përfunduar në pjesën e formimit të dikastereve qeveritare dhe në pjesën e eshalonit të tretë.

"Kemi premtuar shtet funksional dhe ligjor, një qeveri efikase që do të zbatojë reformat. Thelbi i besimit të madh nga qytetarët janë politikat që duhet të zbatojë qeveria e ardhshme për të pasur shtet ligjor, për të mos pasur qytetarë të rendit të dytë, për të forcuar ekonominë. Për realizimin e gjithë kësaj është e nevojshme të miratohen ndryshimet dhe riorganizimi i dikastereve të Qeverisë”, është shprehur mandatari Mickoski.

Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Perceptimi i krimit dhe korrupsionit është i madh, qytetarët kanë një revoltë brenda vetes, ndihen të pasigurtë. Kjo është një nga arsyet kryesore pse ata largohen nga Maqedonia, ka thënë Mickoski.

"Dhe jam i bindur se në të ardhmen do ta ndryshojmë realitetin, do ta shndërrojmë Maqedoninë në një histori të suksesshme evropiane, një vend që do të jetë atdheu i të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, përkatësie politike, një vend që do të të jetë një motiv dhe frymëzim për ata që e lanë të kthehen në vendëlindje. Qeveria e re do të ketë për qëllim dhe detyrë kryesore për t'u marrë me reformat, do ta shndërrojmë Maqedoninë në një atdhe për të gjithë qytetarët”, ka thënë mandatari Hristijan Mickovski.

Geer : Ekzekutivi i ri ti përvesh mëngët

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut duhet të punojë për zbatimin e reformave të nevojshme për vazhdimin e procesit të anëtarësimit në Bashkim Evropian ka thënë ambasadori i BE-së në Shkup David Geer. Diplomati evropian thekson se mandatari beson në formimin e një qeverie stabile, e cila do t'i përkushtohej detyrimeve që ka marrë si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

"Ne presim formimin sa më shpejt të një qeverie stabile. Ajo që duam të shohim, pas formimit të qeverisë është që ekzekutivi i ri t'i përvesh mëngët dhe t'i zbatojë reformat që kërkohen në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Geer.

Shkupit i kërkohet prej kohësh të bëjë ndryshime kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues. Këto ndryshime janë kusht për nisjen e bisedimeve midis Shkupit dhe Brukselit për anëtarësimin e RMV-së në BE.

Qeveria e re do të formohet nga VMRO DPMNE-ja, koalicioni shqiptar VLEN dhe lëvizja ZNAM. Këto tri parti së bashku do të kenë 78 deputetë.

 

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut