1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hungari: A do mund të mbijetojë Orbani edhe në vitin 2023?

7 Janar 2023

Hungaria po përjeton krizën më të rëndë ekonomike aktualisht dhe është e izoluar në politikën e jashtme. A mund të mbijetojë Orbani edhe këtë krizë dhe si do të veprojë BE?

Kryeministri hungarez Viktor Orban
Kryeministri hungarez Viktor OrbanFotografi: Geert Vanden Wijngaert/AP/picture alliance

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban ka mbijetuar politikisht shumë kriza - të brendshme dhe të jashtme, ekonomike dhe sociale. Por tani Orbani po përballet me sfidën më të madhe të trembëdhjetë viteve të fundit të sundimit të tij. Prandaj, viti 2023 mund të jetë një vit vendimtar e ndoshta politikisht edhe fatal për politikanin me qëndrime joliberale në Evropë.

Eduard Heger, Ursula von der Leyen dhe Viktor OrbanFotografi: Ludovic MARIN/AFP

Hungaria po përjeton aktualisht krizën më të madhe ekonomike që nga koha kur vendi cënohej nga falimentimi gjatë krizës financiare ndërkombëtare të 2008/2009. Monedha kombëtare, forinta, ka humbur shumë vlerë muajt e fundit, inflacioni i lartë mbi 20 për qind, po i hedh gjithnjë e më shumë njerëz në vend në mjerim ekzistencial. Kufizimi i çmimeve për ushqimin dhe benzinën deri më tani kanë ndihmuar pak në zbutjen e gjendjes. Por ato nuk japin një pasqyrë reale të gjendjes së rëndë në të cilën gjenden shumë njerëz në këtë vend.

Ironikisht, në këtë situatë të vështirë socio-ekonomike, BE-ja i shkurtoi Hungarisë një pjesë të madhe të subvencioneve prej miliarda eurosh për shkak të mangësive në sundimin e ligjit. Shkurtime të mëtejshme janë të pashmangshme - duke përfshirë edhe mundësinë e anulimit të plotë të të gjitha pagesave të Brukselit. Për më tepër, qeveria e Orbanit është më e izoluar se kurrë më parë në Evropë për shkak të qëndrimit të saj pro-rus.

Fajtorë janë gjithmonë të tjerët...

"Në fakt, qeveria Orban nuk ka qenë kurrë në një situatë kaq të vështirë sa është tani," thotë për DW politologu Peter Kreko nga instituti i majtë-liberal në Budapest. "Këtë mund ta shihni edhe në sondazhet e fundit, sipas të cilave pakënaqësitë sa vijnë e shtohen, apo në protestat e mësuesve dhe pedagogëve, të cilat po vazhdojnë prej muajsh."

Megjithatë, Kreko nënvizon: "Orbani dhe qeveria e tij janë ende shumë të suksesshëm në zhvendosjen e fajit për çdo krizë te aktorët e jashtëm, si BE ose miliarderi George Soros. Orban dhe partia e tij Fidesz kanë një elektorat shumë të qëndrueshëm dhe kanë një sistem të centralizuar të pushtetit. E gjitha kjo do të thotë se ka një shans të mirë që qeveria hungareze t'i mbijetojë edhe kësaj krize."

Gjendja e rëndë por jo e patejkalueshme

Ekonomisti konservator Laszlo Csaba, i cili dikur i përkiste një grupi joformal këshilltarësh të Orbanit, i cili jep mësim në Universitetin e Evropës Qendrore (Budapest/Vjenë), e sheh krizën aktuale të Hungarisë kryesisht si një "krizë të modelit Orban". "Pas këtij modeli qëndron një politikë e parave të lira, politikës monetare të lirshme dhe shpenzimeve të mëdha. Kjo nuk mund të mbahet më," tha Csaba për DW. "Në përgjithësi, situata e qeverisë është e vështirë, por jo katastrofike. Hungaria po përballet me një recesion, por jo siç ishte 15 vjet më parë gjatë krizës financiare."

Emmanuel Macron dhe Viktor OrbanFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Shumë do të varet për Hungarinë në muajt e ardhshëm nëse subvencionet e BE-së do t'i paguhen këtij vendi apo jo. Vendi është marrësi i dytë më i madh neto i pagesave të BE-së, pas Polonisë. Në vitet e fundit, ato përbëjnë një mesatare prej tre deri në katër për qind të produktit kombëtar bruto të Hungarisë - që përafërsisht korrespondon me rritjen vjetore ekonomike të vendit.

Pazari ballkanik

Në mesin e dhjetorit 2022, Komisioni i BE-së fillimisht ndaloi pagesën e 6.3 miliardë eurove për Hungarinë- arsyeja ishte mungesa e sundimit të ligjit dhe akuzat për korrupsion. Në fund të dhjetorit, Brukseli madje kërcënoi të ngrinte shumën totale të planifikuar për Hungarinë në buxhet deri në vitin 2027 - të paktën 22 miliardë euro. Me këtë, BE-ja mund ta çojë Hungarinë në një krizë shumë të rëndë ekonomike.

Megjithatë, vështirë se dikush në Hungari beson se kjo do të ndodhë. "BE ka përdorur gjithmonë fjalë të forta ndaj Hungarisë në të kaluarën, por nuk i ka zbatuar ato në praktikë," thotë ekonomisti Laszlo Csaba. "Prandaj, unë mendoj se një pjesë e financimit të BE-së do të vazhdojë të rrjedhë. Nëse nuk paguhet asgjë më shumë, BE-ja do të humbasë ndikimin e saj në Hungari dhe kjo nuk është në interesin e Brukselit. Prandaj, procesi i negociatave tani do të jetë si në një pazar ballkanik dhe në fund do të ketë një kompromis”.

Manovrat

Parlamenti hungarezFotografi: Szilard Koszticsak/MTI/AP/picture alliance

Megjithatë, shkencëtari politik Peter Kreko paralajmëron kundër mashtrimit të vetvetes për gatishmërinë e Orbanit për të bërë kompromis në çështjen e shtetit ligjor. "Nuk mund të presim që një luan të bëhet vegjetarian brenda natës”, thotë Kreko. "Nuk është në interesin e Orbanit që të heqë nepotizmin dhe korrupsionin që karakterizon qeverinë e tij. Kjo do të thotë që bashkëpunëtorët e ngushtë të tij ose anëtarët e familjeve të tyre mund të shkojnë edhe në burg. Nuk është karakteristikë e asnjërës nga sistemet joliberale, veçanërisht në situata të vështira ekonomike, që të hapen. Ato mbyllen edhe më shumë madje”.

Të dy ekspertët supozojnë se Orban do të përpiqet të "përballojë rrugën e tij përmes" krizës - si politikisht ashtu edhe ekonomikisht. Një shenjë për këtë sheh edhe ekonomisti Csaba në "çështjen Matolcsy”. Kreu i Bankës Kombëtare të Hungarisë, György Matolcsy, një i besuar prej kohësh i Orbanit, kritikoi politikën ekonomike hungareze shumë hapur në fillim të dhjetorit. Kështu ai në mënyrë indirekte bëri thirrje për masa shtrënguese. Në Hungari, kritikat e Matolcsy ndezën një debat rreth asaj se sa i qëndrueshëm ishte ende sundimi i Orbanit.

Shumë pak dhe tepër vonë

Csaba beson se kryeministri i Hungarisë po kontrollon situatën. "Orban ka dy persona për çdo detyrë”, thotë ai. "Disa janë më shumë realistë si Matolcsy, të tjerët janë optimistë. Nëse nuk ka alternativë tjetër, ai do të marrë masa realiste, ndërsa në të njëjtën kohë do të dëgjoni nga ai tone të mëdha të zakonshme."

Salvini, Morawiecki dhe OrbanFotografi: Attila Kisbenedek/AFP/Getty Images

Shkencëtari politik Kreko ka identifikuar një strategji të ngjashme me dy drejtime në politikën e jashtme hungareze. Hungaria ka ftohur madje raportet edhe me aleatin e saj më të ngushtë Poloninë, për shkak të pozicioneve të Orbanit në luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Në dhjetor kryeministri hungarez madje shkoi aq larg sa fajësoi SHBA-në për luftën. E në të njëjtën kohë, ai dërgoi Presidentin Katalin Novak për të vizituar Kievin. Mediet proqeveritare, të cilat deri më tani kanë përhapur propagandën më të keqe proruse, gjithnjë e më shpesh po flasin për "agresionin e Rusisë".

Kreko dyshon se Orban do ta kalojë mirë krizën me këtë lloj politike dhe kjo politikë mund t'i japë fund izolimit dhe të zgjidhë konfliktin me BE-në. "Ajo që tani po bën Orbani mund të përmblidhet me këto fjalë: Po bëhet shumë pak dhe shumë vonë," thotë politologu.