1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hungari: Teatër i madh në kufi

Nemanja Rujevic17 Shtator 2015

Kufiri është i mbyllur, refugjatët arrestohen dhe Hungaria feston "një epokë të re". Por versioni zyrtar nuk është krejtësisht i vërtetë, informon Nemanja Rujević nga Röszke.

Fotografi: Alex Martin

Shpresa ishte tre metra e gjerë. Atje në qytetin e vogël Rëözke, ku zakonisht shinat e hekurudhës lidhin të dy vendet fqinje Hungarinë dhe Serbinë, refugjatët mundnin të hynin lirisht në tokën e premtuar, në zonën e Shengenit. Vetëm të hënën (14.09) gati 10.000 njerëz hynë në Hungari, shumë përmes kësaj hapësire prej tre metrash. Për ata që arritën të martën këto metra të shpresës nuk ishin më aty. Në vend të tyre aty i priste një kamion i vjetër, i ngarkuar me tela me gjemba të mprehtë. Përveç kësaj shumë ushtarë të armatosur, si dhe dhjetëra gazetarë dhe kameramanë kureshtarë.

"Kemi pesë ditë që ecim dhe nuk kemi fjetur aspak", tregon një refugjat sirian përmes gardhit me gjemba. Një grua më tutje përpiqet që të shtyjë karrocën e fëmijës në rrugën me gurë, të tjerët bëjnë një pushim të shkurtër. Siriani nuk mund ta kuptojë se përse hungarezët duan ta ndalojnë atë dhe grupin e tij. "Për ne nuk ka kthim pas. Ne i kemi ikur vdekjes."

Fotografi: Nemanja Rujević/DW

Një polici të ri aty pranë pak i bën përshtypje e gjitha kjo. Ai bën detyrën duke u treguar të ardhurve se ku është kalimi zyrtar i kufirit. Taktika e re e qeverisë Orbán është: që të ndalohen njerëzit në zonën e tranzitit - në tokën e askujt ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë. Atje presin disa qindra vetë, të cilët duke qendruar të gjithë ulur tregojnë pakënaqësinë e tyre. Ato thonë se me serbët nuk kanë patsr probleme. Tani ato shpresojnë në mirësinë e autoriteteve hungareze. Por ato presin. Kë presin në të vërtetë? "Për këtë nuk duhet të flas", thotë polici, i cili është fjalëpak dhe vazhdon patrullimin përgjatë kufirit.

Dëbim në vend të azilit

Në fakt Hungaria do të vazhdojë t'i regjistrojë refugjatët në zonën e tranzitit - dhe jo me qëllimin që t'u ofrojë atyre azil, por më tepër për të gjetur një arsye për t'i kthyer mbrapsht në Serbi. Kjo u konfirmua edhe nga zëdhënësi i qeverisë Zoltán Kovács: "...Këta njerëz nuk ishin të kërcënuar në Greqi. As në Maqedoni dhe në Serbi nuk ka luftë. Prandaj kërkesa e tyre për azil në Hungari, apo diku tjetër në BE, duhet vënë në diskutim", thotë Kovács për DW. Në fjalorin e tij fjala "refugjat" as nuk përmendet fare. Kovács preferon të flasë për "emigrantë të paligjshëm ekonomikë", që dynden për në Evropë dhe që përbëjnë një barrë për të gjithë BE-në, edhe për Gjermaninë.

Zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltán Kovács njofton në mesnatë përfundimin e gardhit kufitarFotografi: Alex Martin

Taktika e re nga Budapesti has në kritikë të ashpër në Serbi. Atje një sekretar shteti kërcënoi se edhe Beogradi mund të dërgojë ushtrinë e tij në kufi për të penguar dëbimet. Që të martën në mëngjes janë mbyllur shumë kalime kufitare ndërmjet dy vendeve, pasi Hungaria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Ministri serb i Punës, Aleksandar Vulin, i bëri thirrje fqinjit verior të Serbisë që t'i trajtojë refugjatët me dinjitet.

Por një gjë e tillë pak duket. Që të martën vlen një ligj, që dënon "kalimin e paligjshëm të kufirit" me deri në tre vjet burg. Për dëmtimin e gardhit apo telave me gjemba mund të jenë edhe pesë vjet. "Kjo është një epokë e re. Prioriteti ynë është të mbyllim rrugët ilegale dhe të forcojmë rrugët zyrtare, përkatësisht ato përmes kalimeve kufitare", tha Kovács.

Në valën e parë të arrestimeve, sipas qeverisë u arrestuan 174 persona. Që ato me të vërtetë do të përfundojnë në burg, është shumë e pamundur. Gazetarë të DW takuan të martën një familje të madhe afgane me fëmijë të vegjël, që u kap nga policia në territorin e Hungarisë. "Këta njerëz nuk janë arrestuar", theksuan forcat e sigurisë. Hungaria nuk dëshiron t'i pranojë këta njerëz, as si azilkërkues e as si të burgosur. Jo zyrtarisht na u tha, se edhe këta refugjatë thjesht do të kthehen përsëri në Serbi.

Fotografi: Alex Martin

Jo i mbyllur krejtësisht

Është e dukshme se teatri i madh me shumë ushtarë dhe kontrolle të rrepta ndodh vetëm në rajonin kufitar përreth qytetit të vogël Rëözke. Aty janë të pranishëm shumë ekipe televizive, që duhet ta shpërndajnë në botë mesazhin e Hungarisë. Vetëm 20 kilometra në perëndim, në afërsi të qytetit të vogël Ásotthalom, mund të shohësh pak nga ky teatër. Këtu nuk ka as edhe një gardh të vërtetë kufitar, edhe pse qeveria kishte njoftuar triumfalisht se vrimat e fundit të gardhit janë mbyllur që të hënën. Por këtu ka vetëm tela me gjemba, disa policë dhe ushtarë bisedojnë pranë xhipit të tyre - dhe refugjatët kalojnë përmes.

István Miksi ka parë shumë në 24 orët e fundit. 72-vjeçari ka një shtëpi të vogël vetëm disa qindra metra larg kufirit, në të cilën ai jeton me tre qentë dhe dymbëdhjetë macet e tij. "Natyrisht që unë nuk kam asnjë problem me refugjatët, unë nuk jam fashist. Ata janë në kërkim të një jete më të mirë, unë e kuptoj", thotë ai.

Çfarë pensionisti nuk mund të kuptojë, është fryma në Hungari dhe ndërtimi i gardhit. 50 vjet më parë ai ka qenë vetë roje kufitare, kur Hungaria, besnike e Moskës, ruante kufirin me Jugosllavinë joaleate. Në krahasim me ato kontrolle këto të sotmet janë thejsht një cirk. "Unë mendoj se gardhi është ndërtuar, sepse dikush mund të zhvasë kështu më lehtë ryshfete nga refugjatët. Ata marshojnë prej muajsh dhe ky gardh nuk ka për t'i ndalur. Hungaria ka humbur vetëm para", thotë pensionisti i i sigurtë.

"We love Germany"

Miksi hyn në shtëpi për të marrë ujë edhe për një grup refugjatësh, që sapo ka ardhur. Janë tetë kurdë të rinj nga Iraku dhe Irani, të cilët nuk duan në asnjë mënyrë të jenë të regjistruar në Hungari. Sepse kanë dëgjuar se dhënia e shenjave të gishtërinjve në Hungari mund të shkatërrojë ëndrrën e tyre për Gjermaninë. "We love Germany", përsëritin ata disa herë.

István Miksi u ndihmon refugjatëveFotografi: Nemanja Rujević/DW

Pasi del nga shtëpia Miksi vizaton me një degë në tokë një hartë të thjeshtë, dy vijat janë rrugët, një pikë qyteti i madh Szeged, disa kilometra larg më larg. Në këtë drejtim, duhet të shkojnë të ardhurit e rinj, duke shpresuar që dikush t'i marrë me makinë deri në Budapest, pa i kapur. Kurdët e falënderojnë atë përzemërsisht. Njëri ledhaton macen, ndërsa të tjerët mbushin shishet plastike me ujë. Atëherë ata nisën për të vazhduar rrugën për në "Germany".