1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hungaria bllokon miliardat e BE për Ukrainën

15 Dhjetor 2023

Kryeministri hungarez, Orban e ka lidhur miratimin e tij për ndihmat ndaj Ukrainës me livrimin e fondeve të BE për Hungarinë. Po-ja për bisedimet e antarësimit me Ukrainën e Moldavinë u dha pa miratimin eksplicit Orban.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban
Fotografi: Omar Havana/AP/picture alliance

(E akt. DW) Hungaria vazhdon të bllokojë në BE ndihma të tjera për Ukrainën. Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka vendosur një kusht të premten në samitin e BE: Ai do t'i miratojë ndihmat për Ukrainën, nëse BE livron fondet e bllokuara për Hungarinë, jo gjysmën, por të gjitha. Komisioni Europian i bllokoi fondet për Ukrainën për shkak të shkeljeve të shtetit ligjor në këtë vend. Sipas të dhënave të presidentit të Këshillit të BE, Charles Michel, krerët e 27 vendeve të BE do të takohen sërish për këtë çështje në fillim të vitit, shkruan AFP. "Ne kemi ardhur në përfundimin se më e mira është ta lemë këtë gjë në qetësi njëherë", tha kryeministri holandez, Mark Rutte.

Çfarë ndodhi dje në samitin e BE?

Presidenti i Ukrainës së sulmuar nga Rusia kishte arësye të gëzohet. Volodymyr Zelenskyj paradite (14.12.2023) edhe një herë plot pasion apeloi në adresë të pjesëmarrësve të samitit të BE-së, për hapjen e bisedimeve të antarësimit me vendin e tij.

Me sa duket thirrja adresuar Bashkimit Europian për të qendruar i besueshëm dhe i aftë për të vepruar, ka pasur efekt. Në mbrëmje presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, komunikoi atë që ai e konsideroi si "vendim historik": BE do të nisë bisedimet e antarësimit me Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë. Gjeorgjisë fqinje do t'i jepet statusi i vendit kandidat. Bosnjë – Hercegovina do të mund të fillojë negocitatat e antarësimit si vendi i pestë ndër gjashtë vendet aspirante të Ballkanit Perëndimor. "Ky vendim është ekstremisht i rëndësishëm për besueshmërinë e unionit", tha Charles Michel i lehtësuar para gazetarëve.

Charles Michel, presidenti i Këshillit të BE-së: Ky është një vendim historikFotografi: Virginia Mayo/AP Photo/picture alliance

Hungaria lëshon pe

Në mënyrë surprizuese shpejt 26 vendet anëtare të BE-së ia dolën që t'i ndryshojnë mendjen Hungarisë për të mos vendosur veton e saj kundër bisedimeve të antarësimit me Ukrainën. Kryeministri Viktor Orban pak orë përpara fillimit të samitit i kishte përjashtuar kategorikisht bisedimet e antarësimit për Ukrainën, sepse Ukraina nuk përmbush tre nga shtatë kushtet, e sipas tij, nuk ka asgjë për të negociuar. Nëse ka influencuar presioni masiv politik i shteteve të tjera anëtare të BE-së për të ndryshuar mendje, apo lëvrimi i dhjetë miliardë eurove nga buxheti i BE-së për Hungarinë nga Komisioini i BE-së, kjo mbeti e paqartë këtë mbrëmje. Qeverisë në Budapest BE-ja i kishte bllokuar deri në 31 miliardë euro, sepse unioni ka rezerva të mëdha ndaj Hungarisë lidhur me mangësitë e shtetit ligjor dhe korrupsionit. 

Kancelari Scholz: A e gjeti ai rrugëdaljen diplomatike nga qorrsokaku hungarez?Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz në samitin e BE-së në BrukselFotografi: European Union

Procesi i antarësimit në kohë rekord

Vendimi është historik për ftesën e hapjes së negociatave të antarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, edhe sepse këto dy vende në kohë rekord realizuan procesin kompleks të aplikimit deri në hapjen e negociatave. Ky proces nuk zgjati as dy vjet. Kjo kuptohet ka të bëjë me sulmin e Rusisë dhe kërcënimin e BE-së nga Rusia. Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dëshironte një sinjal të qartë në drejtim të presdientit rus,Vladimir Putin, se BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën. E ai e mori këtë sinjal. Ende nuk është vendosur se si do të sistemohen 50 miliardë eurot e ndihmës financiare për Ukrainën brenda buxhetit të rregullt të BE-së për katër vitet e ardhëshme. Për këtë do të diskutohet intensivisht, vuri në dukje presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel.

Votimi pa praninë e Orbanit në sallë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyj, (majtas) i pati bërë thirrje në një takim në Argjentinë në fillim të dhjetorit kryeministrit të Hungarisë.Fotografi: Fernando Gens/dpa/picture alliance

Diplomatët e BE-së përpara samitit deklaruan, se Viktor Orban disa herë e ka përdorur veton, për të shtyrë vendimet. Me sa duket tani u përdor një truk diplomatik për t'i mundësuar Orbanit të ruajë fytyrën. Ai u largua nga salla gjatë votimit të 26 kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare për hapjen e bisedimeve me Ukrainën. Vendimi u mor me unanimitet 100 përqind. Kjo sipas rregullores së Këshillit Europian është e mjaftueshme. Ky modus i pazakontë votimi, sipas informacioneve të DW-së, është propozuar nga kancelari Olaf Scholz, i cili hëngri mëngjes këtë të enjte (14.12.20239 me Viktor Orbanin, për të peshuar linjat e kompromisit.

Antarësimi në një të ardhme të largët

Bisedimet me Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë nuk do të fillojnë menjëherë. Sipas rregullave të deritanishme fillimisht përcaktohet një datë për të ashtuquajturën konferencë qeveritare. Në të në vitin 2024 formalisht duhet të fillojnë bisedimet me dy vendet kandidate. Këto bisedime mund të zgjasin. BE negocion me Turqinë që nga viti 2005, deri tani pa asnjë rezultat. Disa shtete të Ballkanit Perëndimor presin që prej 20 vjetësh të antarësohen në klubin europian.

Kryeministri holandez në fillim të samitit tha, se do të zgjasë "shumë vite" derisa të arrihet tek antarësimi. Fillimisht BE duhet të reformohet, për të qenë në gjendje të pranojë një vend të madh të tronditur nga lufta si Ukraina me 40 milionë banorë. Si proceset e vendimmarrjes ashtu edhe buxheti i BE-së duhet të rikonceptohen.

 

Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE