1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hyn në fuqi armëpushimi në Lindjen e Mesme

21 Maj 2021

Rriten shpresat për fundin e dhunës në Lindjen e Mesme, pas dakordësimit për armëpushim nga Hamasi dhe Izraeli. Palët pranuan një propozim të Egjiptit.

Israel Palästina Militär bei Gaza
Fotografi: Ilia Yefimovich/dpa/picture alliance

Pas një jave e gjysmë luftimesh të ashpra qeveria e Izraelit dhe palestinezët militantë në Rripin e Gazës u dakordësuan për armëpushim. Me këtë vendim ata ndoqën një propozim të Egjiptit, që po ndërmjetëson mes palëve të konfliktit. Armëpushimi u vendos pa asnjë kusht paraprak, tha një zëdhënës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu pas një mbledhjeje të kabinetit të sigurisë të enjten (20.05) në mbrëmje. Nëse palestinezët i vazhdojnë sulmet e tyre me raketa armëpushimi shfuqizohet menjëherë.

Edhe Hamasi radikal e pranoi marrëveshjen. „Armëpushimi hyri në fuqi për të dyja palët të premten (21.05) në orën 02:00 sipas orës lokale", vuri në dukje Taher al-Nuno, një këshilltar u kreut të Hamasit Ismail Hanija, në Gaza. „Rezistenca e armatosur" e palestinezëve do të vazhdojë derisa këtë do ta bëjë pala izraelite, shtoi ai.

Përpjekje ndërkombëtare

Gjatë ditëve të fundit disa shtete – ndër to edhe Gjermania – janë përpjekur që t'u jepet fund sulmeve nga ajri. Presidenti i SHBA-së Joe Biden në një telefonatë (19.05) me Netanjahun bëri thirrje për çtensionim të menjëhershëm të situatës. SHBA është partnerja më e rëndësishme e Izraelit. Të enjten (20.05) ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas zhvilloi bisedime me të dyja palët në Lindjen e Mesme. AI sërish bëri të qartë qëndrimin në krah të shtetit hebre. „Për ne siguria e Izraelit ashtu si dhe siguria e hrebrejve në Gjermani është e panegociueshme", theksoi Maas. Homologu i tij izraelit Gabi Aschkenasi shprehu mirënjohjen për solidaritetin e Gjermanisë. Maas u takua me kryeministrin Netanjahu dhe presidentin Reuven Rivlin. Më pas ai bisedoi në Ramallah në Jordanin Perëndimor me presidentin e palestinezëve, Mahmud Abbas.

 

wa/mak (dpa, rtr, afp)