Hyseni përfundon vizitën në Tiranë
20 Prill 2010Deklaratat e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni, në Tiranë përkojnë në kohë më takimin po sot në Beograd të Ministrave të jashtëm të Spanjës, kryesuese e radhës së Presidencës së BE- së, Serbisë dhe Turqisë për të gjetur një zgjidhje lidhur me mënyrën e paraqitjes së Kosovës në konferencat ndërkombëtare rajonale. Këto përpjekje të BE janë përqëndruar tani në mundësimin e pjesëmarrjes të Serbisë dhe të Kosovës në Samitin e Sarajevës, që zhvillohet më 2 qershor.
Qëndrimi i Prishtinës është shprehur qartë në Tiranë
Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni tha pas përfundimit të bisedimeved me zv. Kryeministrin dhe ministrin e jashtëm Ilir Meta, me ftesë të të cilit ai erdhi në Tiranë: "Kosova do të bashkëpunojë me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë. Por ajo nuk do të bashkëpunojë asnjëherë dhe me askënd për të diskutuar pavarësinë e saj dhe po kështu edhe ndarjen e Kosovës."
Bashkëpunimin me Serbinë Ministri i Jashtëm i Kosovës, e ka parë në kuadër të bashkëpunimit rajonal, të aspiratës së dy vendeve fqinjë për integrim në strukturat euro- atlantike. Gjithsesi ai ka qartësuar se një bashkëpunimi Kosovë - Serbi është i mundur në kuadrin e marrëdhënieve "të dy vendeve fqinjë, të lira, të barabarta dhe të pavarura".
Marrëdhëniet Tiranë- Prishtinë në plan rajonal dhe dypalësh
Përtej deklaratave me kontekst rajonal takimet e kreut të diplomacisë së Kosovës me autoritetet më të larta të Tiranës kanë sjellë rikonfirmimin e mbështetjes së gjithanshme të Shqipërisë, ndaj ecurisë demokratike të Kosvës dhe proceseve te saj integruese euro-atlantike. Burime zyrtare nga Presidenca pohojnë për DW se në takimin me dyert të mbyllura Topi- Hyseni, Presidenti i Shqipërisë ka premtuar mbështetje ndaj Kosovës për harmonizimin e legjislacionit të saj me atë të BE-së.
Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta ka artikuluar mbështetje në zbatimin e ligjit dhe të rendit publik. "Shqipëria mbështet plotësisht angazhimin e autoriteteve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare për forcimin e sundimit të ligjit dhe të rendit në gjithë territorin e Kosovës dhe për sigurimin e kushteve më të mira të jetesës për të gjithë qytetarët e saj," tha Ilir Meta. Ai ka theksuar gjithashtu rëndësisë që ka për progresin demokratik të Kosovës konsolidimi i institucioneve demokratike dhe funksionimi i tyre në të gjithë territorin e saj, pa lënë jashtë vëmendjes integrimin e gjithë komuniteteve etnike, përfshirë atë serb në këto institucione.
Lidhur me marrëdhëniet dypalëshe Tiranë- Prishtinë, dhe sidomos ato në fushën e ekonomisë të dyja palët ndanë të njejtin vlerësim për impulsin, që do t`u japë këtyre marrëdhënieve vazhdimi i autostradës Durrës- Kukës në territorin e Kosovës. Në takimet që Ministri i Jashtëm i Kosovës me autoritetet e larta të Tiranës, të dyja palët e konsideruan përfundimin e autostradës Shqipëri - Kosovë bazë për lulëzimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve dhe me gjithë vendet e tjera të rajonit. Në shërbim të këtij qëllimi do të jenë edhe tri pikat e reja kufitare që Shqipëria do të hapë me Kosovën. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, ministri i jashtëm i Kosovës, Hyseni u prit edhe nga kryeministri Berisha dhe kryetarja e Parlamentit, Topalli.
Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Aida Cama