1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portrait Sebastian Vettel

Lindita Arapi19 Tetor 2011

Sebastian Vettel është ajka e Formula 1. Në Suzuka, 24 vjeçari e kurorëzoi titullin kampion duke u bërë edhe kampioni më ri i dyfishtë në historinë e këtij sporti.

Sebastian Vettel feston fitoren për Çmimin e Koresë
Sebastian Vettel feston fitoren për Çmimin e KoresëFotografi: dapd

Në 2011-n Formula 1 pati disa ndryshime të rëndësishme: Para së gjithash pjesa e prapme e lëvizshme e makinës dhe kthimi te sistemi i energjisë së frenimit KERS bënë që të kishte më shumë manovra parakalimi. E megjithatë, lufta për titullin e kampionit botëror nuk ishte interesante sepse në krye Sebastian Vettel në makinën Red Bull gati nuk mund të ndalej. "Me përsosmërinë e tij Vettel e ka bërë Formulën 1 përsëri të mërzitshme. Piloti ishte i pathyeshëm, makina e tij është një raketë", shkroi e përditshmja italiane La Repubblica: "Vettel nuk bën gabime, ai është i përsosur. Ai është përbindësh, makinë, që vendos redorde. Ai e meriton këtë titull kampioni botëror (dhe kush e di, edhe shumë të tjerë..."

Vettel dhe Schumacher

E me të vërtetë: Jo vetëm dy titujt kampion bote flasin për një epokë të Sebastian Vettel-it, e cila ka për të zgjatur. 24-vjeçari është piloti më i ri në historinë e Formulës 1, që arrin të ruajë me sukses titullin e kampionit të botës. Michael Schumacher ishte ndërkohë 25 vjeç kur fitoi të parin ndër shtatë titujt kampion bote. Vettel është gjithashtu i treti pilot i Formulës 1, që katër gara para mbylljes së sezonit dihet se është kampion bote. Një gjë të tillë e kanë arritur më parë vetëm britaniku Nigel Mansell (1992) dhe ylli i Ferrari-t Schumacher (2002, 2004).

Në qendër Sebastian Vettel, anash Lewis Hamilton e Mark WebberFotografi: dapd

Vettel mund të thyejë këtë sezon edhe dy rekorde të tjera. Pas nëntë fitoresh në sezon atij i mungojnë edhe vetëm katër për rekordin absolut prej 13 të Michael Schumacher-it në vitin 2004. Edhe më afër gjendet rekordi i renditjeve në krye (pole-ve) në nisjen e garave. Nigel Mansell pati qëndruar në 1992 gjithsej 14 herë në vendin e parë të nisjes, Vettel sivjet 12 herë.

Vullnet absolut për fitore

"Gjithmonë duke e mbushur me gaz. Go hard or go home", kjo është motoja e Vettel-it. Edhe tani në Çmimin e Madh të Japonisë në Suzuka ai e ngau makinën si gjithnjë për fitore, dhe jo vetëm për të mbedhur edhe pikën e fundit të nevojshme. "Sebastiani ka thjesht vullnetin absolut për fitore. Dhe është gjithmonë me këmbë në tokë, asnjë sukses nuk do të bënte që ai të fluturonte", thotë shefi i Formulës 1 Bernie Ecclestone gjithë admirim. "Seb është gjithmonë i i qetë. Prandaj e ka aq të lehtë, thotë Ecclestone. Si Michael Schumacher-i, Vettel-i konsiderohet si tepër i përpiktë dhe i përkushtuar pas detajeve, por ndryshe nga idhulli i tij ai nuk lë një përshtypje aq serioze, po më shumë gjuhëshpatë dhe gati gjithnjë me një buzëqeshje. Kjo e bën aq simpatik në botën e garave me makina.

Gjithë lavdërime shprehen edhe rivalët: "Vettel e nget në mënyrë fantastike. Sivjet ose s'ka bërë ose ka bërë vetëm pak gabime", tha dy herë kampioni i botës Fernando Alonso (2005, 2006). "Sebastiani është i vetmi pilot që i ka mbaruar sivjet të gjitha garat, dhe ai i jep shumë, shumë mirë makinës", theksoi spanjolli. Edhe Lewis Hamilton i vërteton pilotit të Red-Bull-it një sezon të madh: "Mendoj se ai ishte i jashtëzakonshëm sivjet. Ka bërë punë fantastike", tha britaniku.

Sebastian Vettel në 2006- n gjithnjë me buzëqeshjeFotografi: picture-alliance/dpa

Që trevjeçar në timon

Vettel lindi në 1987-n në Heppenheim të Hessen-it. Në automobilizëm e çoi i ati, i cili e dalloi herët talentin e të birit. Që në moshën tre vjeç Sebastiani ndërmori përpjekjet e para për të ngarë një go-cart. Prej moshës shtatë vjeç Vettel mori pjesë rregullisht në garat me go-cart dhe fitoi tituj të ndryshëm për të rinj. Si 12-vjeçar ai u pranua në ekipin e të rinjve që nxiteshin prej Red Bull-it. Më vonë ai kaloi Formulën BMW dhe fitoi në sezonin 2004 18 prej 20 garave.

Në garën e tij të parë të Formulës 1 në 2007-n në Indianapolis Vettel-i 19-vjeçar ishte piloti më i ri që merrte pikë në një garë. Në 2008-n në Çmimin e Madh të Italisë në Monza ai u bë fituesi më i ri i një gare të Formulës 1. Mirëpo defekte teknike në Red Bull-in e tij dhe disa gabime të vetat e hodhën prapa. Më 14 nëntor 2010 Vettel u bë me 23 vjet dhe 134 ditë kampioni më i ri i botës në kategorinë mbretërore. Sivjet ai e mbrojti titullin me sukses duke shkruar përfundimisht histori të Formulës 1. Kontratën me Red Bull-in e pati zgjatur që para sezonit me dy vite të tjera deri në fund të 2014-s.

Si hobbies Vettel-i jep snowboard, mountainbiking, not dhe fitness. Si muzikë parapëlqen ndër të tjera Beatles-at. Popullariteti i tij në Gjermani është i jashtëzakonshëm.

.

Arnulf Boettcher: Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW