1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
EkonomiArabia Saudite

Arabia Saudite për një të ardhme pa naftë?

2 Korrik 2024

Pista skijimi në shkretëtirë dhe qytete me gradaçela me xhama pasqyrues. Ky ka qenë Vizioni 2030 i Arabisë Saudite, i cili gjithnjë konsiderohej si projekt i shtrenjtë. Por a është më i shtrenjtë se duhet?

ortreti i prinit të kurorës Mohammed bin Salman në pankartën e projektit Vizion 2023
Princi i kurorës Mohammed bin Salman në pankartën e projektit Vizion 2023Fotografi: Amr Nabil/AP Photo/picture alliance

Ngjarjet e fundit të bëjnë të mendosh se kombi i pasur me naftë nuk është në gjendje t'i përballojë shpenzimet e projektit. Kur u bënë të ditura planet, shumë vëzhgues u mrekulluan nga përmasat dhe madhështia e tij. Vizioni 2030, planet që Arabia Saudite,kishte për t'u shkëputur nga varësia prej të ardhurave të naftës, përmbanin gjithçka, që nga ndërtesat gjigande në shkretëtirë, ndërtimin e një qyteti vetëm për sport dhe zbavitje deri tek ndërtimi në mes të shkretëtirës i qytetit gjigand të pa efekte të dëmshme për mjedisin, me më pak automobilë, qytetit Neom.

Vizion 2030 synonte të ndryshonte në skenën ndërkombëtare imazhin e Arabisë Saudite. Projektet e ndryshme ishin parashikuar të sillnin modernizimin në vendin me konservatorizëm fetar, që drejtohet nga një familje autoritare mbretërore, e cila nuk i toleron kundërshtarët politikë apo socialë.

Sidoqoftë, që nga viti 2015 kur u bë prezantimi i planeve ambicioze, gjërat kanë ndryshuar shumë. Në pak muajt e kaluar, ministra të qeverisë saudite kanë shpjeguar se si është zvogëluar shtrirja e Vision 2030.

Mohammed al-JadaanFotografi: Bilal Hussein/AP Photo/picture alliance

Dhjetorin e kaluar, ministri i Financave Mohammed al-Jadaan tha, se disa nga projektet e Visionit 2030 do të kërkojnë më shumë kohë realizimi. Në muajin pill, në takimin në Riyadh të Forumit Ekonomik Botëror, al- Jadaan tha, se Arabia Saudite është duke bërë përshtatjen me kushtet aktuale.

Për shembull, planet për ndërtimin në shkretëtirë të një linje gjigande gradaçelash me xhama pasqyrues të quajtur Linja, një prej projekteve më të rëndësishme të qytetit Neomi, janë reduktuar në ndërtimin vetëm të një aksi prej 2 kilometrash të gjatë dhe jo 170 kilometra, siç ishte planifikuar në fillim.

Kjo nuk është përshtatja e parë që i bëhet Neomit, përkundrazi. Projekti ishte menduar të përfundonte në vitin 2030, por tani duket se kërkon edhe 20 vjet të tjera të përfundojë. Parashikimet ishin që të kushtonte rreth 500 miliardë dollarë (468 miliardë euro), por vëzhguesit thonë, se buxheti i Neomit mund të arrijë deri në 2 trilionë dollarë. 

Vonesa dhe tejkalime buxhetore

Edhe aspekte të tjera të Visionit 2030 nuk janë realizuar sipas planeve. Disa nga projektet më ambicioze kishin si synim të tërhiqnin të huajt të vizitonin Arabinë Saudite, por mbretëria e shkretëtirës po has në vështirësi për këtë dhe niveli i investimeve direkte të huaja ka mbetur po aq i ulët sa më parë. Analistët kanë thënë, se mungesa e stabilitetit rajonal, si për shembull konflikti i Gazës dhe mungesa e transparencës të ligjeve saudite janë duke bërë që investitorët të hezitojnë për investime.

Megjithëse gjithnjë kihej parasysh se Arabia Saudite do të paguante pjesën më të madhe të shpenzimeve, tani shihet se ajo është e detyruar t'i paguaj gati të gjitha shpenzimet.

Pjesa më e madhe e parave vjen nga Fondi Investimeve Publike, PIF, një nga fondet më të mëdha të pavarura të parave, i cili furnizohet nga të ardhurat e naftës saudite.

Në muajin mars, qeveria sauditebëri transferimin tek PIF të 8 përqind të aksioneve të kompanisë shtetëtore të naftës, Aramco. Kjo do të thotë se PIF është tani në pronësi të 16 përqind të Aramcos, e cila ka vlerën 2 trilionë dollar, duke qenë kështu kompania e katërt më e madhe në botë. Kritikët kanë vënë theksin tek fakti që megjithëse PIF menaxhon një portfolio pasurish me vlerë prej 940 miliardë dollarësh, fondet e saj janë rreth 15 miliardë.

Analistët kanë thënë, se luhatjet në çmimet e naftës kanë bërë që Vizioni 2030 të mos jetë i fuqizuar mirë. Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se Arabia Saudite duhet t'i ketë çmimet e naftës rreth 96 dollarë për fuçi, në mënyrë që të realizojë Vizionin 2030. Deri tani këtë vit, çmimet për fuçi të naftës së papërpunuar, çmim që përdoret shpesh si tregues në tregun e naftës kanë shkuar nga rreth 70 dollarë në janar deri në rreth 81 dollarë këtë muaj.

Së fundi, sipërmarrja e mediave të biznesit, Bloomberg njoftoi se Arabia Saudite është kthyer në përdoruesin më të madh të bondeve të tregjeve, duke ia kaluar Kinës, për herë të parë në më shumë se dhjetë vjet.

Bondet qeveritare përdoren për të financuar shpenzimet publike. Ato janë një lloj huaje, me të cilën qeveria që i përdor paguan përqindje pronarëve të bondeve. Sauditët janë duke marrë hua të këtj lloji më shumë se kurrë më parë, në mënyrë që të mbulojnë mungesën e investimeve direkte të huaja, njofton Bloomberg. Bankierët thanë për Bloombergun, se Arabia Saudite nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë për një kohë shumë të gjatë, të përdorë bondet me ritmin e tanishëm, sepse kostot e financimit të tyre, pra pagesa për përqindjet do të rritet shumë.

Tren i shpejtësisë së lartë në Arabinë SauditeFotografi: Asmaa ElTouny/TheMiddleFrame/picture alliance

A është Vizion 2030 para një problem i vërtetë?

"Duke bërë kombinimin e këtyre faktorëve, është e vështirë të mos arrish në përfundimin se aktualisht (në Arabinë Saudite) është duke bërë në një farë mënyre cirk me politikat ekonomike,” thotë Robert Mogielnicki, një studiues në Institutin për shtetet e Gjirit në Uashington.

Disa nga deklaratat e fundit të zyrtarëve sauditë, theksojnë se për projekte të caktuara duhen vendosur afate të reja, madje duke vënë në konsideratë edhe gjërat krahasimisht më të pazakonta, thotë ai. "Është diçka që nuk e kemi dëgjuar vërtet që kur filloi Vizion 2030.”

Sidoqoftë, argumenton Mogielnicki, "statusi i Vizion 2030 nuk është aq spektakolar sa e mendojnë disa vetë, por nuk është as aq katastrofik. Në realitet është diçka në mes të dyjave.”

Disa aspekte të Vizion 2030 janë duke funksionuar mirë. Një raport për „gjysmën e periudhës kohore", publikuar në muajin shkurt nga banka amerikane e investimeve, Citigroup, thotë se është parë „progres i konsiderueshëm" në pjesëmarrjen e grave në forcat e punës, nivelin e pronësisë së shtëpive për banorët lokalë dhe të ardhurat nga sektorët që nuk kanë lidhje me naftën.

Në një deklaratë të muajt qershor, bërë pas një vizite në Arabinë Saudite, analistë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, nxjerrin përfundimin se "transformimi ekonomik i pashembullt i vendit është duke ecur mirë”. Ata po ashtu e mirëpritën "vendosjen e prioriteteve të reja në shpenzimet” për Vizion 2030.

Mogielnicki shpjegon se që kur Arabia Saudite filloi Vizion 2030, janë zhvilluar projekte të ndryshme që lidhen me të.

Robert MogielnickiFotografi: Kaveh Sardari/AGSIW

Programi ka varietete të shumta dhe bazohet në zhvillimin e shpejtë. Shtimi i shpenzimeve të disa prej projekteve më të shtrenjta të Vizion 2030 në fondet e përditshme kërkon që Arabia Saudite të vazhdojë të bëjë të pamundurën, dhe ju mund të shihni se tani është bërë e domosdoshme që të bëhet një rivlerësim i ri, nënvizon ai. Disa projekte, si për shembull prodhimi i hidrogjenit me metoda ekologjike, vlerësohen tani si shumë të rëndësishme. Projekteve të tjera do t'iu vendoset afat më i gjatë zbatimi

Asgjë nga këto nuk pritet të lerë gjurmë në pushtetin që mbahet nga familjet që sundojnë Arabinë Saudite, thekson ai.

"Sauditët kanë në fund të fundit ende shumë karta në dorë, por e vërteta është se tani për tani ata nuk janë duke luajtur me dorën që mund ketë kartat më të mira,” thotë Mogielnicki. "Vizion 2030 i ka dhënë shtysë një ndryshimi të madh dhe fundamental trajektoreve ekonomike dhe sociale të Arabisë Saudite. Por ka ende përpara shumë punë për t'u bërë.”