1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"I mbani premtimet e protokollit të daljes nga BE"

25 Shkurt 2020

Evropianët kanë përcaktuar linjën e negociatave për marrëdhëniet me Britaninë e Madhe. Nuk do të ketë diskutim për rregullat e konkurrencës së ndershme, standardet e larta mjedisore dhe shumëçka të rëndësishme për BE.

Belgien EU-Rat, Justus-Lipsius-Gebäude in Brüssel
Fotografi: picture-alliance/W. Rothermel

Këshilli i Ministrave në Bruksel miratoi mandatin për negociatat që parashikohen të vështira me Britaninë e Madhe, të cilat do të nisin në fillim të marsit. Në një dokument të Këshillit të Ministrave prej 46 faqesh britanikëve u ofrohet një marrëveshje e tregtisë së lirë pa dogana dhe kufizime sasiore, përballë garancive për konkurrencë të ndershme, për të parandaluar dumpingun social dhe mjedisor.

Por që tani është e parashikueshme që do të ketë grindje për shumë çështje. Një marrëveshje deri në vjeshtë nuk është e sigurt që do të arrihet. Këshilli i Ministrave i BE thotë që marrëveshja e synuar duhet të ruajë standarde të përbashkëta të larta. Për subvencionet shtetërore, për konkurrencën, kompanitë shtetërore, standardet e punës dhe ato sociale, standardet e mjedisit, ndryshimin e klimës, çështjet të caktuara të tatimeve dhe ndërhyrjet e tjera në këto fusha, duhet të vazhdojë të ketë standarde të ngjashme me standardet e BE si referencë.

Evropianët e BE tregohen të bashkuar

"Nuk duhet të ketë dumping social, nuk duhet të ketë dumping mjedisor," tha Michael Roth, Ministri i Shtetit për Evropën në qeverinë federale, në lidhje me marrëdhëniet e ardhshme me Britaninë e Madhe. Roth kërkoi nga partnerët në Londër: "I mbani premtimet e protokollit të daljes nga BE".

Fotografi: picture-alliance/empics/S. Rousseau

Ngjashëm u shpreh sekretarja franceze e shtetit Amélie de Montchalin. Bëhet fjalë për "mbrojtjen e interesave të evropianëve". Do të ketë kontrolle mbi marrëveshjet e ardhshme dhe klauzola për sanksione, kur nuk respektohen marrëveshjet, tha de Montchalin.

Rothi, ashtu si përfaqësuesja franceze, theksoi unitetin e madh me të cilin i presin 27 shtetet e BE negociatat me Londrën. "Ne nuk duhet të lejojmë të ndahemi", tha Roth; de Montchalin tha: "uniteti midis nesh është i plotë".

"Ne ofrojmë një partneritet të konsiderueshëm, ambicioz, të ekuilibruar, të gjerë," tha sekretarja e shtetit Andreja Metelko-Zgombic për Presidencën Kroate të BE. Për këtë Bashkimi Evropian ka hartuar një mandat "të përcaktuar saktësisht".

Britania e Madhe u largua nga BE më 31 janar. Në një fazë tranzicioni deri në fund të këtij viti, Britania e Madhe mbetet në tregun e brendshëm të BE dhe në bashkimin doganor. Gjatë kësaj kohe, do të bëhen marrëveshje për marrëdhëniet e ardhshme. Për BE, negociatat me britanikët do t'i zhvillojë

francezi Michel Barnier, i cili ka udhëhequr negociatat e Brexit-it.

Qeveria e kryeministrit Boris Johnson pritet t'i nxjerrë direktivat e saj negociuese të enjten.

aud (dpa, afp)