1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Konflikte

IAEA: Marrëveshje me Iranin për rifillimin e inspektimeve

10 Shtator 2025

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike arriti me Iranin një marrëveshje për të rifilluar inspektimet.

Ilustrim logoja e IAEA dhe flamuri i Iranit
IAEA arrin marrëveshje me Iranin për rifillimin e inspektimeveFotografi: Dado Ruvic/REUTERS

Sipas informacioneve të drejtuesit të organit mbikëqyrës të OKB-së për energjinë bërthamore IAEA, Rafael Grossi, kjo agjenci ka arritur me Iranin një marrëveshje për të rifilluar inspektimet.

Marrëveshja e arritur me ministrin e Jashtëm iranian, Abas Aragchi është "një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur", shkroi Grossi në platformën X. Marrëveshja mbi modalitetet praktike u arrit në Kajro.

Rafael Grossi, shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike: Megjithë arritjen e marrëveshjes ka ende shumë për të bërë zbatimin e saj Fotografi: Joe Klamar/AFP

Mekanizëm praktik për bashkëpunim

Megjithatë ka ende shumë për të bërë për të zbatuar marrëveshjen, tha Grossi në një konferencë për shtyp në kryeqytetin egjiptian. Aragchi tha se marrëveshja e re me IAEA-n merr parasysh shqetësimet e Iranit, duke krijuar gjithashtu një kornizë për bashkëpunim të vazhdueshëm.

"Kjo marrëveshje krijon një mekanizëm praktik për bashkëpunim që pasqyron si situatën e jashtëzakonshme të sigurisë së Iranit ashtu edhe kërkesat teknike të agjencisë", tha ai.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara i justifikuan sulmet e tyre ndaj Iranit me argumentin se ai ishte shumë afër zhvillimit të bombës bërthamore.Fotografi: Maxar Technologies via AP/picture alliance

Pas sulmeve të Izraelit dhe të SHBA-së ndaj centraleve të tij bërthamore Irani e kishte pezulluar në muajin korrik bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara i justifikuan sulmet e tyre me argumentin se Irani ishte shumë afër zhvillimit të bombës së vet bërthamore. Kurse udhëheqja iraniane thekson vazhdimisht se programi i saj bërthamor shërben vetëm për qëllime civile.