1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

260711 Deutsche Bank Führungswechsel

26 Korrik 2011

Të hënën në mbrëmje Deutsche Bank bëri të ditur se në krye të bordit drejtues do të jenë indiani Anshu Jain, nga sektori i investimeve dhe gjermani Jürgen Fitschen, përgjegjës për biznesin në Gjermani.

Deutsche Bank-ndërtesa e Frankfurtit
Deutsche Bank - ndërtesa e FrankfurtitFotografi: picture alliance/dpa

Dyshja e re në krye të bankës Deutsche Bank nuk pritet të sjellë surpriza. Kryesia e dyfishtë nga Anshu Jain, bankierit të specializuar për investime, me origjinë nga India dhe shefit për biznesin në Gjermani Jürgen Fitschen kishte kohë që planifikohej në këtë mënyrë. Edhe kalimi i shefit të Deutsche Bank Josef Ackermann në krye të Këshillit Mbikëqyrës të bankës, ishte i pritur. Pyetja e vërtetë ishte se kur do të bëheshin ndryshimet. Investuesit e kanë miratuar këtë ndryshim. Por ai nuk është aq i lehtë: Jürgen Fitschen nuk konsiderohet si kandidati i preferuar për të pasuar Ackermannin në post. Por duket se kryetari i deritanishëm i Këshillit Mbikqyrës, Clemens Börsig e kishte vënë emërimin e tij si kusht për të liruar karrigen e tij për Ackermannin. Tani është gjetur një kompromis, të cilin e përshëndet edhe përfaqësuesi i aksionerëve të bankës, Klaus Nieding.

"Kryesia e bordit drejtues të një banke të madhe gjermane, nuk mund të trashëgohet nga një kryetar tek tjetri. Bazuar në të drejtën e shoqërive aksionare, është detyrë e Këshillit Mbikëqyrës të caktojë pasuesin në detyrë të kryetarit të bordit. Pra është Këshilli Mbikqyrës dhe jo z. Ackermann, që përcakton se kush është pasuesi i tij në krye të bordit."

Me Anshu Jain-in, pasues i Josef Ackermannit bëhet një njeri i cili nga shumë vetë konsiderohet një ekspert i shkëlqyer. Por njëkohësisht ai nuk ka shumë lidhje, para së gjithash në panoramën politike të Gjermanisë. Deri tani Jain ka punuar nga Londra, ku drejton biznesin e investimeve të Deutsche Bank, i cili siguron pjesën më të madhe të fitimit të bankës më të madhe private gjermane.

Jürgen Fitschen dhe Anshu Jain, Deutsche BankFotografi: picture-alliance/dpa

Për të balancuar këtë, ai do të ketë në krah Jürgen Fitschen. Në bordin drejtues të bankës ai është përgjegjës për biznesin në Gjermani dhe konsiderohet me lidhje shumë të mira politike.

Ackermanni vlerësohet, por posti i ri ngjall diskutim

Para së gjithash i kontestuar është kalimi i Ackermannit në Këshillin Mbikqyrës. Kjo bie ndesh edhe me kodin e sjelljes, të përcaktuar nga vetë banka. Eksperti bankar, Wolfgang Gerke është gjithashtu i pavendosur kur është fjala për postin e ri të Josef Ackermannit:

"Duhet të mësohemi më në fund që ish kryetarët e bordeve drejtuese të mos bëhen menjëherë kryetarë të instancës më të lartë të kontrollit, Këshillit Mbikëqyrës. Ekziston gjithnjë rreziku që personi të jetë më bujar në kontrollin e gabimeve të veta, sesa një i tretë."

Pasi një kryetar i Këshillit Mbikqyrës duhet të vlerësojë edhe vendime të viteve të kaluara, të cilat i ka marrë vetë dikur. Që kjo të mos jetë e mundur kaq thjesht, kodi i bankës parasheh që kalimi në pozicionin e ri të mbështetet të paktën nga një e katërta e aksionerëve. Por kjo nuk do të jetë problem në rastin e Ackermannit. Përvoja dhe këshilla e tij vlerësohet shumë në të gjithë botën. Ai është këshilltar për politikën evropiane dhe ndërkombëtare dhe për Deutsche Bank do të ishte një pakujdesi e madhe të hiqte dorë nga kjo pasuri intelektuale.

Kryesia e dyfishtë e Deutsche Bank dhe qëndrimi i Ackermannit edhe më tej në institutin e kredisë, do të priten mirë nga parketi i bursës. Polemika rreth kryesisë së bordit drejtues, që vazhdonte prej gati dy vjetësh, kohët e fundit kishte rënduar madje edhe ecurinë e kursit të aksioneve të bankës.

Autor: Samir Ibrahim/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW