1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lenacapavir kundër Sidës - tepër i sigurt, tepër i shtrenjtë

1 Dhjetor 2024

1 Dhjetor - Dita Botërore kundër Sidës. Lenacapavir siguron mbrojtje të sigurt kundër infeksioneve me HIV, po a mund të shënojë "kthesën e vërtetë" në luftën kundër SIDA-s?

Studentë duke mbajtur fjongon e kuqe, simbolin e luftës kundër Sidës
1 Dhjetor - Dita Botërore kundër SidësFotografi: picture alliance / Xinhua News Agency

Kur rezultatet e testit të lenacapavir u prezantuan në Konferencën Botërore të SIDA-s në korrik 2024, ekspertët ishin entuziastë: Në luftën kundër AIDS-it, lenacapavir mund të jetë në fakt ilaçi i shumëpritur që sjell progresin vendimtar. "Jam plotësisht e emocionuar. Kur u prezantuan këto të dhëna, kishte një atmosferë të elektrizuar në sallë që rrallë e kam përjetuar. Kjo është thjesht fantastike," thotë Prof. Dr. Clara Lehmann, drejtuese e qendrës së mbrojtjes nga infeksionet në Spitalin Universitar të Këlnit.

Cila është e veçanta e Lenacapavir?

Ilaçi antiretroviral ka pothuajse 100 për qind efektivitet në parandalimin dhe trajtimin e infeksioneve HIV dhe duhet të injektohet vetëm dy herë në vit, duke e bërë administrimin shumë më të lehtë. Mjete të tjera profilaktike si kabotegravir (CAB) injektohen çdo një deri në dy muaj; Truvada duhet të merret si tabletë çdo ditë.

Ilaçi i ri nuk është vetëm më i përshtatshëm. Sidomos kur kujdesi është i vështirë ose kufizimet familjare dhe stigmatizimi flasin kundër marrjes së pilulave të përditshme, një injeksion gjashtëmujor mund të jetë një lehtësim i madh, thotë Dr. Astrid Berner-Rodoreda, bashkëpunëtore kërkimore në Institutin e Shëndetit Global të Heidelberg. Nga kjo do të përfitonin veçanërisht gratë dhe vajzat e reja, mes të cilave, sipas UNAIDS,  treguesi i HIV është ende jashtëzakonisht i lartë.

Lenacapavir pritet të shënojë kthesën në luftë kundër SidësFotografi: Nardus Engelbrecht/AP/picture alliance

Kur pritet të dalë Lenacapavir në treg?

Ky ilaç mjaft premtues nga kompania farmaceutike Gilead tashmë është miratuar në BE për trajtimin e pacientëve me HIV. Megjithatë, nuk mund të blihet ende, sepse prodhuesi me sa duket është ende në pritje të miratimit si lejes si medikament profilaktik antivirale para ekspozimit (HIV-PrEP). Megjithatë, kjo ka të ngjarë të ndodhë së shpejti.

Është ende e paqartë nëse lenacapavir shënon me të vërtetë pikën e shumëpritur të kthesës në luftën botërore kundër SIDA-s. Sepse Lenacapavir do të ketë sukses, vetëm nëse përdoret në të gjithë botën. Dhe që kjo të ndodhë, ilaçi duhet të jetë i përballueshëm financiarisht.

Sa do të kushtojë Lenacapavir?

Lenacapavir deri më tani ka qenë tepër i shtrenjtë: kompania farmaceutike amerikane Gilead kërkon më shumë se 40,000 dollarë për person në vit për trajtimin me Lenacapavir. Për krahasim: Ilaçet e tjera të HIV kushtojnë mesatarisht 50-60 euro në muaj, pra rreth 600-700 euro në vit.

Gilead e justifikon çmimin e lartë me kostot afatgjata të zhvillimit të tij. Por ekspertët dhe aktivistët e SIDA-s nuk duan ta pranojnë këtë. Astrid Berner-Rodoreda i referohet llogaritjeve të farmakologut britanik Andrew Hill nga Universiteti i Liverpool-it, i cili ka bërë një llogaritje të kostove aktuale të prodhimit të lenacapavir. Edhe me një marzh fitimi prej 30 për qind, sipas Hill, çmimi duhet të jetë vetëm 40 dollarë në vit, një e mijëta e asaj që kërkon Gilead.

Pamje simbolike me fjongon e kuqe të Ditës Botërore kundër SidësFotografi: IMAGO

Kur do të jetë në treg Lenacapavir?

Gilead po negocion me disa prodhues të barnave gjenerike për të prodhuar dhe shitur ilaçin më lirë në vendet me të ardhura të ulëta në të ardhmen. Licencat thuhet se do të përfshijnë 120 vende, duke përfshirë disa vende në Afrikën Sub-Sahariane.

Në të njëjtën kohë, disa vende me të ardhura mesatare si Argjentina, Brazili, Meksika dhe Peruja mund të mos futen në këto licenca, megjithëse Gilead gjithashtu ka testuar ilaçin atje. Kjo ngre pyetje etike dhe ligjore, kritikon Berner-Rodoreda.

Në mënyrë të ngjashme e sheh edhe zëvendësdrejtoresha e UNAIDS, Christine Stegling. Duke paraqitur raportin vjetor të UNAIDS, ajo tha se "risitë e tilla që ndryshojnë trajtimin mjekësor do të na çojnë në një rënie reale të infeksioneve të reja vetëm nëse sigurojmë që të gjithë të kenë akses në to".

Si funksionon Lenacapavir?

Lenacapavir është një i ashtuquajtur frenues kapside: Përbërësi aktiv prish funksionin e shtresës së proteinës në formë koni rreth gjenomit të HIV dhe pengon riprodhimin e virusit. Dhe kjo funksionon - ndryshe nga shumica e agjentëve antiretroviralë - në disa faza jetike të virusit HIV.

Sa i madh është rreziku global i HIV?

Komuniteti ndërkombëtar në fakt synon t'i japë fund epidemisë së HIV-it deri në vitin 2030. Por aktualisht është shumë larg objektivit: mbi 40 milionë njerëz në mbarë botën ende janë të infektuar me virusin. Rreth 30 milionë janë nën trajtim. Pjesa tjetër nuk merr terapi antiretrovirale, e cila mund të zvogëlojë sasinë e virusit në gjak në nivele shumë të ulta.

Pozitive është se, numri i infeksioneve të reja me HIV në mbarë botën ra me 22 për qind midis 2010 dhe 2021. Megjithatë, rreth 1.3 milionë njerëz u infektuan në vitin 2023, sipas raportit të ri të UNAIDS. Rënia më e madhe është në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Jugore. Në të kundërt, numrat në Evropën Qendrore dhe Lindore,  Azinë Qendrore, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme vazhdojnë të rriten.

"Ne nuk kemi bërë shumë përparim në parandalimin e virusit,  kjo duhet thënë hapur. Nëse vërtet duam t'i japim fund epidemisë së SIDA-s deri në vitin 2030, atëherë do të duhet të reduktojmë numrin e infeksioneve të reja në 370,000 vitin e ardhshëm," thotë Astrid Berner-Rodoreda.

Sensibilizim për Sidën në RusiFotografi: Peter Kovalev/TASS/dpa/picture alliance

Vdekjet e lidhura me HIV gjithashtu kanë rënë pothuajse me 40 për qind midis 2010 dhe 2021. Vitin e kaluar, rreth 630,000 njerëz vdiqën nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n. Ky është niveli më i ulët që nga viti 2004.

Ka alternativa të tjera?

Pavarësisht kërkimeve intensive shkencore, ende nuk ka vaksinim kundër HIV. Por tani ka disa profilaktikë shumë efektivë paraprake që e parandalojnë infeksionin me HIV. Edhe nëse ato nuk janë aq të përshtatshme për t'u përdorur, profilaksia ekzistuese e para-ekspozimit ka qenë tashmë në gjendje të ulë ndjeshëm shifrat e HIV-it në disa vende. Deri më tani, kjo ka rezultuar veçanërisht e suksesshme në vendet më të pasura. Në vendet më të varfra me norma ndonjëherë të larta HIV, këto masa profilaktike shpesh janë shumë të shtrenjta. "Vetëm 15 për qind e njerëzve që kanë nevojë për PrEP e morën atë në 2023," thuhet në raportin e UNAIDS.