1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

UN Gipfel MDGs

18 Shtator 2010

Bashkësia ndërkombëtare ka vetëm pesë vjet kohë të realizojë objektivat e vëna në luftën kundër varfërisë, sëmundjeve dhe vdekshmërisë. Samiti i OKB-së më 20-22 shtator duhet të sjellë suksesin.

Një nga objektivat e mileniumit 2015 është luftimi i varfërisë
Një nga objektivat e mileniumit 2015 është luftimi i varfërisëFotografi: DW-TV

Gati një miliardë njerëz në botë shkojnë të flenë të uritur. Kjo nuk është një shifër për të cilën Kombet e Bashkuara mund të krenoheshin. Megjithatë - bilanci i ndërmjetëm për arritjen e objektivit të mileniumit për luftimin e varfërisë, nuk duket të jetë edhe aq negativ. Edhe pse kriza botërore e ka ulur disi kurbën e suksesit, e matur me përqindje, numri i të uriturve në botë është ulur. Sipas llogaritjeve të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar shumë vende do të mund ta arrijnë qëllimin e mileniumit.

Suksese të konsiderueshme vihen re në Azinë e Jugut dhe të Lindjes, para së gjithash në shtetet me rritje ekonomike si Kina. Edhe disa shtete afrikane kanë bërë përparime, megjithatë parë në tërësi kontinenti afrikan mbetet fëmija problematik.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun kërkon nga vendet e pasura të mbajnë premtimetFotografi: AP

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun para samitit ka bërë thirrje për të mos u dekurajuar. Gjendja e vështirë në ekonominë botërore nuk është arsye që shumë vende të pasura të mos i transferojnë fondet e premtuara. "Ne nuk duhet të rimëkëmbim buxhetet në kurriz të të varfërve", ka thënë Ban.

Shumë pak fonde për Afrikën

Qëllimi është që vendet e industrializuara të japin 0,7% të prodhimit të përgjithshëm bruto për ndihmën e zhvillimit. Kufiri këtë vit është 0,51%. Ndërkohë që Belgjika, Finlanda, Irlanda dhe Britania e Madhe e kanë arritur këtë qëllim, Gjermania nuk e ka përmbushur ende. Në të gjithë botën ndihma për Afrikën nuk është ofruar ashtu siç u premtua. 16 miliardë euro të fondeve të premtuara nuk janë paguar ende, thotë Ban Ki Mun. "Është veçanërisht për të ardhur keq që aty ku nevoja është më e madhe", pikërisht aty mungon ndihma."Përqindja e Gjermanisë për ndihmën e zhvillimit është 0,4%.Por mes vendeve dhuruese dhe atyre pritëse ka mosmarrëveshje për arsyet e mosrealizimit të qëllimeve të mileniumit - nëse ky mosrealizim është pasojë e mungesës së fondeve apo e angazhimit të pamjaftueshëm të politikës. Një shembull: Vdekshmëria e nënave. Sipas raportit më të fundit të FMN-së, ka një hendek të madh mes realitetit dhe synimeve. Sensibilizimi i grave për rreziqet e lindjes nuk kushton, ky është thjesht një problem kulturor. Po qe se një grua pas ditësh dhimbjesh lindjeje duhet të marrë lejen e burrit për të shkuar në spital, atëherë kjo ka pak të bëjë me paratë.

Ndihma për Afrikën nuk është ofruar ashtu siç u premtua në fillim të mijëvjeçarit. Një fshatare afrikane në Darfurin Perëndimor duke pastruar drithinFotografi: picture alliance/dpa

"Good Governance - Mirëqeverisja kusht për një zhvillim të qëndrueshëm"

Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri të ditur në Berlin, se impulsi vendimtar duhet të vijë nga vetë njerëzit. Por edhe politikanët duhet të jenë përgjegjës, pasi ata e kanë në dorë mirëqeverisjen. "Është thënë gjithmonë" ka deklaruar kancelarja gjermane se "një nga pengesat më të mëdha është korrupsioni- dhe se një qeverisje e mirë është kusht për një zhvillim të qëndrueshëm."

Angela MerkelFotografi: AP

Studiuesi i shkencave ekonomike Jomo Kvame Sundaram nga Departamenti i OKB-së për Zhvillimin Ekonomik vëren se nuk ka përputhje bilanci mes ndihmës së ofruar dhe zhvillimit ekonomik. Po qe se nxirren nga bilanci pesë vendet e mëdha marrëse të ndihmës së zhvillimit - pra Irakun, Afganistanin, Izraelin, Egjiptin, Kolumbinë- atëherë bilanci mes ndihmës dhe rritjes ekonomike është pozitiv. "Po qe se llogariten edhe këto pesë vende, atëherë kemi një situatë krejt tjetër", thotë Sundaram.

Paniku mund të jetë me efekt pozitiv

Megjithatë në samitin e OKB-së do të diskutohet për premtime financiare. Sepse megjithë fondet e papaguara, është e qartë se ato që janë paguar nuk mjaftojnë në të ardhmen. Nga viti 2012 deri në vitin 2017 mungojnë 340 miliardë dollarë. Franca dhe Britania e Madhe kanë propozuar së bashku me 60 shtete të tjera një tatim ndërkombëtar mbi biznesin e devizave. Taksa mund të sillte deri 35 miliardë dollarë në vit.

OKB, Nju JorkFotografi: AP

Kayth Calvin që drejton Fondacionin e OKB-së të financuar nga bosi i medias, Ted Turner sheh në debatin mes ndihmave të premtuara dhe zbatimit politik aspekte pozitive.

Pak panik mund të ndihmojë. "Është pozitive po qe se arrijmë në përfundimin që duhet të forcojmë përpjekjet në të dyja drejtimet, si në ndihmat e premtuara ashtu edhe në zbatimin e tyre në terren - ndryshe nuk do t'ia dalim dot", thotë Calvin.Tre ditë me radhë kanë kohë përfaqësuesit në samit të diskutojnë në nivelin më të lartë. Pjesëmarrjen e kanë kumtuar një sërë shefash shtetesh dhe qeverish.

Autor: Christina Bergmann / Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti