1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania: Incidenca po rritet, kufizimet përjashtohen

19 Korrik 2021

Incidenca shtatë ditore vazhdon të rritet në Gjermani dhe tani ka kaluar mbi 10 të infektuar në 100.000. Por autoritetet përjashtojnë mundësinë e aplikimit të kufizimeve në vend.

Deutschland Coronavirus - Fußgängerzone in Frankfurt/Main
Fotografi: Frank Rumpenhorst/dpa/picture alliance

Instituti Robert Koch (RKI) raportoi se në fundjavë (18.07) janë shënuar 1.292 rate të reja pozitive ndaj virusit Corona. Kjo është 547 më shumë se të dielën një javë më parë, kur u raportuan 745 raste të reja infektimesh. Incidenca shtatë ditore është rritur në 10, nga 9,4 që ishte një ditë më parë. Kjo është shifra që tregon se sa njerëz janë infektuar me koronavirusin në 100,000 banorë në shtatë ditët e fundit. Gjatë ditës së shtunës janë shënuar edhe tri raste vdekjesh, që kanë lidhje me virusin Corona. Kjo rrit numrin e vdekjeve të raportuara në 91,362 në Gjermani. Deri tani në Gjermani janë shënur 3.7 milionë teste pozitive ndaj këtij virusi.

Fotografi: Stefan Sauer/dpa/picture alliance

Pavarësisht rritjes së incidencës, ministri federal i Ekonomisë Peter Altmaier e ka përjashtuar mundësinë e futjes së masave kufizuese. "Ne duhet dhe do të parandalojmë një bllokim të ri," i tha ai gazetës "Bild am Sonntag". Sipas tij, një bllokim i ri do të ishte "shkatërrues për shumë dyqane dhe restorante që kanë qenë të mbyllur për muaj të tërë".

Ministri i Ekonomisë aktualisht nuk sheh nevojë për masa të mëtejshme kundër koronavirusit: "Për sa kohë që nuk ka kërcënim të mbingarkesës së sistemit shëndetësor, nuk ka asnjë arsye për masa të reja apo edhe një bllokim". Njerëzit e vaksinuar ose të rinj zakonisht nuk kanë fare simptoma nëse janë të infektuar. Kapaciteti i shtretërve për kujdes intensiv në Gjermani është i mjaftueshëm dhe nuk ka shenja mbingarkese

Fotografi: Thomas Banneyer/dpa/picture alliance

Por Altmaier mendon, se fushata e vaksinimit po shkon shumë ngadalë. "Ne duhet të përshpejtojmë edhe një herë fushatën e vaksinimit," kërkoi ai. "Kudo që njerëzit grumbullohen në publik, para birrarive apo në zonat e këmbësorëve, duhet t'u ofrohen vaksinime." Politikani i CDU-së bëri gjithashtu thirrje për "ekipe ambulante të vaksinimit, që do të flisnin me njerëz edhe në kafene apo restorante dhe mund t'i vaksinojnë ata direkt në vend".

Sipas RKI, 46 përqind e popullsisë në Gjermani është vaksinuar plotësisht kundër virusit Corona deri të premten e kaluar (17.07). Ndërsa me një dozë janë vaksinuar deri tani rreth 60%.

bc/nob/haz (afp, dpa)