Indinjatë, hidhërim dhe pyetja përse pas atenatit të 21 vjeçarit në Frankfurt
7 Mars 2011
Dr. Dietrich Reetz, nga Qendra Orientit Modern (ZMO) mendon se nuk duhen bërë përgjithësime, sepse çdo rast është i ndryshëm. Sidomos rasti i 21-vjeçarit me origjinë nga Kosova tregon se ai veproi si individ. Sipas Dr. Dietrich Reetz: "Ngjarje të tilla në Gjermani janë shumë të rralla ndaj nuk mund të thuash se ekzistojnë struktura të caktuara që e nxisin një zhvillim të tillë në mënyrë të veçantë. Rastet e veçanta nuk mund të shmangen, të tilla mund të përsëriten sërish në kushte të caktuara."
E rëndësishme për t'u shqyrtuar - mendon ai - është se si jetojnë migrantët në përgjithësi këtu në Gjermani, pra jo vetëm migrantët myslimanë. Sipas tij "shumë migrantë dhe veçanërisht ata myslimanë ndihen të margjinalizuar ose të përjashtuar, sepse gjenden në skajet e shoqërisë."
Reetz: Feja islame e pranishme në Evropë
Në mënyrë kritike studiuesi gjykon edhe në lidhje me deklaratën e fundit të ministrit të ri gjerman të Punëve të Brendshme, e cila përmbante tone të forta ndaj fesë islame dhe myslimanëve. Ai thotë se është për të të ardhur keq që politikanët shohin në raste të tilla mundësinë për të nxjerrë përfitime politike duke i marrë raste të tilla si shkas për të rritur popullaritetin duke folur me gjuhën e populistëve të djathtë: "Këto tone, mendoj unë, nuk e ndihmojnë përfshirjen e migrantëve në shoqëri, nuk ndihmojnë të luftohet ndjenja e të qënit i huaj dhe i përjashtuar. Kur ministri thotë se feja islame nuk është pjesë e Gjermanisë, atëherë ky është një pretendim i çuditshëm sepse të paktën tre përqind e popullsisë në Gjermani i takon kësaj feje, në Evropë madje shumë më tëpër, dhe në Evropë për shekuj me radhë ka pasur histori të fesë islame. Në Evropë po ashtu ka vende ku feja islame është e pranishme, pra është e vështirë të thuash që feja islame nuk është pjesë e kontinentit apo e kulturës sonë."
Reetz: Raste si ai i Framkfurtit nuk duhet të interpretohen vetëm si çështje feje
Në Gjermani ka pasur edhe raste të rinjsh gjermanë, që kanë përqafuar fenë islame, janë konvertuar në këtë fe dhe janë bashkuar me talibanët apo grupe të tjera terroriste. Kjo sipas Dr. Dietrich Reetz tregon se dhuna dhe aktet terroriste nuk kanë të bëjnë me fenë, sepse incidente militante mund të ndodhin edhe nën ndikime jofetare dhe jomyslimane: "Nga sociologjia dhe psikologjia, dihet që të rinjtë, më shumë të rinjtë meshkuj, kanë tendenca që në kushte të caktuara të reagojnë për problemet apo pakënaqësitë e tyre me dhunë apo me konflikte. Kjo nuk ka të bëjë me fenë. Natyrisht sot është koha kur feja islame politizohet shumë fortë, duke u kthyer në fokus apo referencë për njerëzit që janë të pakënaqur me një situatë të caktuar, ose që besojnë se "duhet të bëjnë diçka". Por reaksione të tilla ndodhin tek të rinjtë edhe në kushte të tjera. Unë mendoj se ato janë më shumë aksione të personave të veçantë, që në to shohin mundësinë e shpërthimit të zhgënjimit apo të perceptimit të tyre."
Ngjarje si ajo e Frankfurtit i shtojnë, skepticizmin, paragjykimet e padrejta ndaj myslimanëve dhe islamofobinë në Gjermani. Kjo mund të çojë në margjinalizimin e myslimanëve dhe në segregacion social. Që zhvillime të tilla të mund të parandalohen, mendon Dr. Dietrich Reetz, duhet që raste të tilla të mos interpretohen vetëm si çështje feje, dhe që si publiku gjerman ashtu edhe shoqatat e myslimanëve dhe politikanët t'i analizojnë thellë dhe nga të gjitha aspektet probleme të tilla, në mënyrë që asnjëra nga palët të mos mundohen ta shfrytëzojë këtë situatë për të forcuar pozicionin e vet.
Autor: Aida Cama
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora