1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Infektimet në Gjermani në "nivel alarmues"

12 Gusht 2020

Sërish në Gjermani janë regjistruar mbi 1200 raste të reja të infektimeve me virusin Corona. Kjo gjendje ka alarmuar edhe ministrin e Shëndetësisë, Jens Spahn.

Belgien Coronavirus Testzentrum Antwerpen
Fotografi: picture-alliance/dpa/E. Lalmand

Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn shprehet i shqetësuar shumë për gjendjen: "Këtu shohim se për shkak të kthimit të atyre që kanë qenë me pushime, por edhe për shkak të party të llojeve të ndryshme dhe festimeve familjare në gjithë vendin, ka pasur shpërthime të infektimeve në shumë rajone", deklaroi Spahn për Deutschlandfunk. Sistemi shëndetësor i Gjermanisë ende nuk ka probleme të përballet me shifrat më të reja të infektimeve, por duhet të jemi "shumë, shumë të kujdeshëm", tha ai.

Spahn apeloi edhe njëherë tek qytetarët që të mbajnë rregullat higjenike, të përdorin maskat mbrojtëse dhe të mbajnë distancën në çdo rast. "Atje ku përdoret alkooli në party, gjërat mund të zhvillohen shumë shpejt", theksoi Spahn, i cili paralajmëron se në rastet e tilla përhapja e virusit mund të jetë edhe më e shpejtë se zakonisht, për shkak të atmosferës dhe humbjes së kontrollit. Në Düsseldorf në fillim  të shtator është parashikuar të mbahet një koncert me 13.000 persona, i pari këtij lloji në Gjermani, prej shpërthimit të pandemisë.

Lothar Wieler, kreu i RKI, Institutit Robert kochFotografi: picture-alliance/dpa/AFP/T. Schwarz

1226 infektime për një ditë

Më parë Instituti Robert Koch ka kumtuar se brenda një dite janë regjistruar 1226 raste të reja të infektimeve me virusin Corona. Një shifër më të lartë për herë të fundit kemi pasur me 9 maj, kur ka pasur 1251 raste të infektimeve të reja.

Pika kulmore e rasteve është shënuar në prill, kur brenda ditës regjistroheshin deri në 6000 raste pozitive të COVID-19. Shifrat kanë rënë prej atëherë në mënyrë konstante. Por prej fillimit të kthimit të pushuesve nga vendet e tjera në fund të korrikut, numri i të infektuarve po rritet rishtas. Presidenti i IRK, Lothar Wieler thotë se shkaku kryesor i rritjeve të rasteve është mosrespektimi i rregullave.

Ndryshe nga koha e shpërthimit të infektimeve në thertoren Tönnies para më shumë se një muaji, tani kemi të bëjmë me një shtim të numrit të infektimeve në mbarë vendin. Shifrat po shtohen në gjithë Gjermaninë dhe është e pamundur që të kontrollohen të gjitha rastet. Ekspertët kanë frikë se ky zhvillim nuk mund të futet nën kontroll vetëm me disa masa kufizuese.

Fotografi: picture-alliance/dpa/G. Kirchner

Në NRW hapen shkollat

Në mbarë vendin me shumë vëmendje po shikohet hapja e shkollave në landin Renania Veriore-Vestfalia (NRW), që është landi me numrin më të madh të banorëve në Gjermnai - 18 milionë banorë. Për rreth 2,5 milionë nxënësit e këtij landi, që mësimet do t'i ndjekin në 5500 shkolla, është futur obligimi i mbajtjes së maskave në shkolla dhe në mësim. Nga ky obligim janë përjashtuar vetëm nxënësit e shkollave fillore. Ata nuk janë të obliguar të mbajnë maska në mësim, por duhet të mbajnë maska në korridore dhe në oborr të shkollës. Në këtë land do të shihet shumë shpejt nëse ky koncept vërtet mund të funksionojë. 

Prej shpërthimit të pandemisë në Gjermani janë regjistruar 218.519 persona të infektuar me virusin SARS-CoV-2. Gjatë ditës së djeshme kanë vdekur gjashtë persona. Ndërsa numri i të vdekurve në Gjermani ka arritur ndërkohë shifrën prej 9207 persona. Shefi i Institutit Robert Koch, Wieler thotë se deri të hënën janë regjistruar si të shëraur rreth 198.800 të infektuar. RKI pohon se shifrat duhet të merren me rezervë sepse prej lajmërimit deri tek përpunimi i shifrave kalon një kohë e caktuar, ndaj shifrat edhe mund të dallojnë në realitet.

 

 

bc/se/AR (dpa, afp, rtr)