Infrastruktura turistike duhet të standartizohet
28 Gusht 2013Parku kombëtar arkeologjik i Butrintit, rreth 300 km larg kryeqytetit, është një ndër destinacionet më të frekuentuara turistike në Shqipëri. Pjesa dërmuese e mbi 100 mijë vizitorëve në vit janë të huaj. Për ta bërë më shumë atraktiv qëndrimin e turistëve autoritetet e parkut kanë vendosur që në këtë pikë të sezonit të zbulojnë disa prej mozaikëve të rrallë brenda territorit të qytetit antik. Zakonisht mozaikët mbahen të mbuluar me rërë, për shkaqe sigurie dhe konservimi nga ndikimi i reagentëve natyrorë, por për periudha disajavore hapen në plotwsim të kurreshtjes së vizitorëve. Sipërfaqja totale e mozaikëve që janw zbuluar nga arkeologët në qytetin antik është rreth 900 metra katrorë.
"Kemi mbërritur pak orë më parë dhe do të kthehemi sërish në bregdetin grek. Më duhet të planifikoj një vizitë tjetër në këtë mrekulli të përmasave botërore. Më duhet më shume kohë të njihem me gjithçka këtu", thotë i entuziazmuar Martin nga Gjermania, që është gjithë sy e veshë nga shpjegimet e cicerones mbi historinë e mozaikëve që datojnë nga periudha romake. Të tjerë turistë gjermanë, holandezë, zvicerianë, francezë, çekë etj., që kanë mbërritur rreth mesditës, janë duke bërë foto dhe filmime tek pjesa e amfiteatrit antik.
"Të habit që pjesa jashtë mureve të parkut është e pa sistemuar, kushdo parkon ku të dojë, mbeturinat i gjen të shpërndara. Dikush duhet të kujdeset edhe për territorin rreth e rrotull"- tregon rezervën e saj Anette. Sipas saj më të intersuarit duhet të jenë banorët përreth, që kanë fatin të "flenë ngjitur me një perlë që do ta dëshironte fort ta kishte çdo shtet i botës."
Janis nga Greqia fqinje para se të vinte në Butrint ka qenë dhe në qytetin e Beratit, që është shpallur nën mbrojtjen e UNESCO-s. "Kam përshtypjet më të mira nga pjesa historike e qytetit, por më kanë befasuar disa ndërtime pa leje dhe ndërhyrje në godinat ekzistuese. Ju lutem ndalini, nesër do të jetë vonë".
Preferenca nga më të ndryshmet
Një grup të rinjsh austriakë janë për herë të parë në Shqipëri dhe ata kanë zgjedhur si destinacion rajonin Juglindor, në Korçë, Pogradec e Kolonjë. "Na ka bërë më shumë përshtypje Liqenasi, ose siç thirret tani Pusteci, komuna që ndodhet në kufij të tre shteteve, Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë. Kishte dhjetra kisha dhe objekte me shumë vlerë kulti. Na erdhi keq që kishim vështirësi në komunkim, pasi nuk gjetëm dikë që dinte mirë gjuhë të huaj, thotë njëra prej studenteve. Grupi ka kaluar shumë mirë në Festën e Birrës në qytetin e Korçës dhe mezi pret të nesërmen të jetë në Voskopojë, për të cilën të rinjtë kanë një pritmëri shumë të madhe nga ato që kanë lexuar para se të nisen.
Antonio dhe e njohura e tij rumune prej dy ditësh që kanë mbërritur në Shqipëri kanë frekuentuar pjesën rurale mes Tiranës dhe Elbasanit, të apasionuar nga shijet kulinare tradicionale. Ata thonë se kanë planifikuar të provojnë vetëm ushqime dhe pije të prodhuara nga banorët vendas. Stacioni tjetër është në pjesën verilindore të vendit. "Duam të shkojmë në Shkodër dhe në Dibër, se kemi dëgjuar që gatuhet shumë mirë. Deri më tani kam parë një ndryshim shumë të madh mes gatimit italian dhe atij shqiptar. Kemi dëshirë që të ndjekim me sytë tanë se si gatuhet. Mundësisht të kontribuojmë edhe ne... Nuk është interesante kjo? Kështu na shijon edhe më shumë ushqimi tradicional".
Ndryshim në mentalitetin e ofertës turistike
Ish shefi i Departamentit të Gjermanishtes në Universitetin e Tiranës, Martin Mato, ka më shumë se dy dekada që bën rolin e udhërrefyesit turistik për grupe vizitorësh, kryesisht nga Europa Qendrore. Nga eksperienca që ka nga kontaktet me të huajt që vijnë në Shqipëri, Mato thotë se ata kërkojnë në rradhë të parë të shikojnë dhe të shijojnë atë që është shqiptare dhe jo atë që është pjesë e jetës së tyre të përditshme.
"Kur qëllon që futen në lokalet shqiptare dhe ju ofrohen pije të markave të huaja, ata këmbëngulin se duan produktet vendase. Nuk është se kërkojnë luks, pranojnë me kënaqësi një lokal komune a fshati, por dukshëm dhe në mënyrë konkrete duan pastërti. Na ka qëlluar që ambjenti brenda ka qenë i pastër, por aty afër, pak metra më tutje, ka pasur grumbullime mbeturinash e plehrash që 'jua kanë "prerë në moment oreksin' dhe dëshirën për të qëndruar. Nëse një turist do ta përsëris vizitën në Shqipëri, ai ndesh po të njëjtat drejtime rrugësh, po të njëjtat pamje dhe rrethana gjeografike. Duhet të shfrytëzohen dhe rrugë rurale që japin variacion në agjendat ditore të vizitorëve të huaj. Propozimet për të huajt janë vetëm muze historik, arkeologjik apo etnografik. Nuk ka kategori të tjera muzesh që do ta përmbushnin më shumë preferenca. Në këtë drejtim duhet të lëvizim sa nuk është vonë".
Mato shikon si problematik ekipet e udhërrëfyesve turistikë që përfshihen në shoqërinë e grupeve të vizitorëve. Jo gjithmonë, sipas tij, ka njerëz të përshtatshëm dhe që bëjnë punë cilësore. "Flitet shpesh dhe kërkohet që të bëhet licencimi i tyre. Më parë, sipas mendimit tim, duhet bërë kualifikimi, pra përcaktimi i specialitetit që bën më mirë ai apo ajo, dhe më pas procesi i licencimit. Haset si problem dhe standartizmin e hoteleve. 'Yjet' në hotelet shqiptare janë vendosur kryesisht në mënyrë subjektive, pa një vendim serioz ose kompetent që të përcaktojë standardin konkret hotelerik. Krijohen dhe situata qesharake në akomodim, të cilat në fletëpalosje ose në internet janë kategorizuar ndryshe nga çfarë provon realisht turisti. Ata skandalizohen psh. kur nuk plotësohen as kushtet minimale të sigurisë, kur qëllon që mungon dhe një dalje emergjente nga ambjentet në rast zjarri etj. Autoritetet, agjencitë e specializuara duhet të jenë rigoroze në këtë aspekt."
Një grup i madh turistësh të huaj ndodhen vetëm pak metra larg Galerisë Kombëtare të Arteve, në qendër të Tiranës. Në një ditë verore me reshje shiu, vizitat në ambjente të brendshme janë më atraktive. Por ata nuk do ta kenë këtë mundësi. Një punonjës i Galerisë i sqaron se "dita e hënë dhe e martë është pushim, pasi punohet të shtunën dhe të dielën". Gupi i turistëve nis të lëvizë për nga godina e Muzeut Historik Kombëtar, që ndodhet pak më tutje, me shpresën se aty nuk ndiqet kjo logjikë administrative në pikun e sezonit.