1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

INPUT në Tiranë - frymëzim për producentët shqiptarë

Ani Ruci / Tiranë22 Prill 2013

Aktivitetet në kuadër të forumit INPUT në Tiranë ofrojnë mundësi diskutimi për median mbi zhvillimet në filmin dokumentar televiziv. Media e politika në qendër të vëmendjes. Instituti Gëte e sjell në Tiranë këtë forum.

Author: Arben Muka /DW Correspondent in Albania Time: 25.07.2011 Place: Deutschzentrum/ Tirana / ALBANIA
Fotografi: DW / Muka

Forumi global INPUT ( International Public Televizion) nisi rrugën në vitin 1977, si një organizatë jofitimprurëse, e përbërë nga ekspertë të medias dhe producentë televizivë nga gjithë bota, që çdo vit organizojnë shfaqjen e dokumentarëve të përzgjedhur, të prodhuar nga Televizionet publike. INPUT krijon kështu mundësi për profesionistë dhe ekspertë të fushës, të njohin produksione televizive më interesante nga gjithë bota dhe përmes tyre peisazhin e medias publike ndërkombëtare. Me pas ngjarja vjetore vijon përmes MINI INPUT, që organizohet në kryeqytetet e gjithë botës vetëm me një pjesë të vogël të dokumentarëve televizivë të shfaqur në INPUT. Në këtë përzgjedhje merr pjesë edhe Instituti Goethe, që është anëtar i asociuar i Bordit të INPUT. Ditët e fundit në Tiranë u zhvillua MINI INPUT- Tirana me dokumentarë të përzgjedhur nga INPUT 2012, që u zhvillua në Sidnei, Australi.

Brigitta Grau- Guenther, Drejtorja e Qendrës së Gjermanishtes, partnere e Institutit Goethe në Shqipëri, thotë për DW se “qëllim i MINI INPUT –Tirana është të frymëzojë producentët shqiptarë të filmave televizivë për produkte interesante, që i shërbejnë publikut, të promovojë përmirësimin e produksionit dhe të rrisë përgjegjësinë e medias ndaj publikut. Pra, jo modele për t'u kopjuar por për të frymëzuar, pasi kështu mund të aplikohen parimet themelore në statutin e INPUT: "Televizioni është kulturë që shërben për të njohur më thellë veten tonë, të kuptojmë më mirë njëri – tjetrin dhe kulturat respektive” thotë për DW, Brigitta Grau- Guenther.

Brigitta Grau-GüntherFotografi: DW

Sfida mes formateve komerciale dhe atyre me interes për publikun

Maren Niemeyer, Drejtore e Departamentit të TV, në Zyrën Qendrore të Institutit Goete në Mynih, me përvojë profesionale në gazetari dhe produksionin e filmave dokumentarë televizivë, e ftuar e posaçme në MINI INPUT- Tirana, iu përgjigj interesimit të auditorit lidhur me sfidat aktuale të televizionit publik.

“Televizioni publik duhet të jetë një shërbim publik , në të mirën e e publikut. Kjo pasi aksesi në transmetimet inovative, provokuese, kurajoze , sfiduese është një nga të drejtat themelore të njeriut. Aktivitetet janë një shans për profesionistët e medias, që së bashku të vlerësojmë dhe diskutojnë zhvillimet në industrinë e filmit dokumentar televiziv dhe si të fitojë sfidat e sotme“, tha Maren Niemeyer.

Sfidat e sotme më të rëndësishme janë ruajtja e ekuilibrit mes formateve televizive komerciale dhe atyre në interes të publikut, roli i gazetarisë investigative, raporti mes politikës dhe medias, gjetja e mënyrave të reja për të treguar historinë.

“Sot në çdo kanal televiziv kërkohet të shfaqen më shumë fomate komerciale, që të tërheqin interesin e publikut. Edhe në Gjermani kanalet televizive kanë probleme të shumta dhe të mëdha pasi e kanë të vështirë të tërheqin interesin e brezave nën moshën 30 vjeç, që janë 'dixhitalë' dhe i drejtohen për informacion dhe argëtim internetit”, thotë për DW, Maren Niemeyer.

Maren NiemeyerFotografi: DW

Gazetaria investigative, tregues i demokracisë

Në dokumentarët e MINI INPUT Tirana spektatorët panë konkretisht rolin e jashtëzakonshëm të gazetarit investigativ. A është në zhvillim sot gazetaria investigative?

“Mendoj që sot nuk kemi më aq sa duhet gazetari investigative sepse askush nuk paguan për atë dhe kjo lloj gazetarie është shumë e shtrenjtë, ka kosto të madhe. Ndodh që gazetarët duan shumë kohë të bëjnë kërkimet e tyre. Por interesi publik duhet të jetë jashtëzakonisht i madh për këtë zhanër të medias. Nëse në vendin tënd ka gazetari investigative kjo është një shenjë që bazat demokratike funksionojnë”, thekson Maren Niemeyer.

Media dhe Politika

Kjo temë ngjalli diskutime të shumta, pasi situata në Shqipëri është e tillë ku pavarësia e medias nga politika përbën një sfidë emergjente. “Në Gjermani ka një ekuilibër të mirë mes politikës dhe medias, ka një distancë mes të dyja palëve, absolutisht të nevojshme për pavarësinë e gazetarisë. Por ka probleme edhe në Gjermani, që lidhen me ato raste kur politikanët apo zëdhënësit e tyre përpiqen të ndikojnë tek disa gazetarë televizivë. Një rast i tillë është ai i disa javëve më parë në TV publik Berlin/ Brandenburg RBB, që u raportua shumë shpejt nga media të tjera si një skandal. Në përgjithësi në Gjemani në fokus janë çështje të rëndësishme që i interesojnë publikut”, thotë Maren Niemeyer.

Mënyra të reja për të treguar historinë

Një interes të veçantë dhe përshtypje të thellë në Tiranë pati dokumentari “ Fëmijët e Hitlerit”, prodhim gjerman me titullin original ”Meine Familie, die Nazis und ich”, i ndërtuar mbi një histori personale, që publiku e gjeti frymëzues për të trajtuar historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri.

"Në këtë dokumentar shfaqet në mënyrë prekëse dhe realiste, përmes një historie personale, tmerri i fëmijëve të krerëve të nazistëve, kur ata dalëngadalë filluan të dinë se çfarë kishin bërë prindërit, të afërmit e tyre, janë emocionuese përpjekjet e tyre për të ndërtuar një vijë të fortë ndarëse me ta, duke shkuar në disa raste kaq larg si të donin të ishin të sterilizuar”, thotë Brigitta Grau- Gunther.

INPUT 2013 do të zhvillohet në Helsinki. Gazetarët shqiptarë investigativë në bashkëpunim me producentët televizivë kanë tani një shans të marrin pjesë në këtë takim ndërkombëtar të dokumentarëve televizivë.