261010 Kunstausstellung Inside Out
27 Tetor 2010
Në shkollat e larta të muzikës dhe artit, çdo i katërti student është i huaj, shumica vijnë nga Koreja e Jugut, Kina dhe Japonia. Shumë prej tyre kanë përfunduar studimet në vendin e tyre dhe janë mjaft të aftë në degën e tyre. Për këtë arsye fondacioni "Friedrich Ebert" i ka dhënë mundësi katër prejt tyre të ekspozojnë punimet në një ekspozitë.
Holli i fondacionit "Friedrich Ebert" në Bon. Dysheme ngjyrë e çelët, mure të larta dhe në tavan: këpucë femrash. Si rregull në fondacionin e afërt me partinë socialdmeokrate takohen ata, që janë të interesuar për politikën. Por aktualisht në hollin hyrës varen me qindra këpucë. Blu dhe bezhë. Kutitë e kartonit me të cilat u transportuan janë të shpërndara gjithkund. Ato bëjnë pjesë në instalacionin e studentit të degës së artit, Than Long. Megjithatë politika nuk është larg. Beate Eckstein organizoi për fondacionin ekspozitën me temë "Inside out- të kërkosh identitetin - të gjesh vendlindjen."
"Instalacionet 'Të ecësh për paqen' apo 'Këpucë për njerëz pa këmbë'. Këto janë instalacione nga kutitë e këpucëve që janë prodhuar në Vietnam, pastaj janë transportura në SHBA dhe më pas, kur nuk ishin më në modë, ato i janë dhuruar Than Longut. Ai punon me këpucët si elementë arti, i shet dhe mbledh para gjeneratën e tretë të viktimave "Agent Orange"- kështu quhet një nga kimikatet tepër helmuese të eliminimit të pemëve, të përdorur nga amerikanët në luftën e Vietnamit. Ende sot vietnamezët dhe veteranët amerikanë të luftës vuajnë pasojat e kësaj lënde kimike. Madje edhe fëmijët e nipërit e tyre sëmuren na kanceri apo lindin me handikape të rënda.
Gjermano-vietnamezi Than Long me instalacionin e tij me këpucë ballafaqohet me origjinën e tij. Ai studion grafikë dhe shtypshkronjë në Laipcig dhe është një nga bursistët e fondacionit Friedrich Ebert.
Nivel i lartë artistik
Organizatorja Eckstein thotë: "Ne fillimisht pamë që tek studentët e mbështetur me bursë të kishte një numër të madh të atyre që studiojnë art apo muzikë. Dhe vumë re se këta bursistë kanë një nivel të lartë artistik, pasi ata kanë studiuar në vendet e tyre dhe nuk janë në fillim të karrierës së tyre."
Niveli i lartë i artistëve të rinj dhe numri i madh i studentëve të huaj me bursë në Gjermani, që studiojnë art dhe muzikë, ishin shkak për ekspozitën ndërkombëtare në Bon.
Pikërisht ai që lë vendin e tij si katër bursisët e fondacionit Friedrich Ebert, dhe qëndron për një kohë të gjatë në vend të huaj, pyet veten: Nga vij, ku i kam rrënjët? Si perceptohet në një vend tjetër vendi im? Me këto pyetje merren artistët e rinj në këtë ekspozitë.
Carolina Kot nga Argjentina ka përfunduar studimet në shkollën e mediave në Këln.
"Diku brenda meje ende kam ndjesinë se Argjentina apo Buenos Airos është vendlindja ime, aty jam rritur. Por ndjenja ime për vendlindjen është zgjeruar. Tani mendoj se vendlindja është aty ku ndodhesh për momentin."
Botëkuptimi i saj për vendlindjen dhe identitetin është ndikuar edhe nga fakti, që në vendlindjen e saj ajo ka qenë në një kopsht dhe shkollë gjermane.
Imazh pozitiv i Gjermanisë si vend studimesh
Ndërsa Than Long ka jetuar në Gjermani që fëmijë një kohë të gjatë. Për studime ai erdhi sërish në Gjermani, vendlindja e tij e dytë. Një vendim i marrë me vetëdije, thotë ai. Ai sqaron se çfarë e bën të veçantë Gjermaninë, si vend për të studiuar:
"Gjermania ka një pozicion shumë të rëndësishëm në tërësinë e shkollave të larta të artit, artit pamor dhe muzikës."
Dhe nga vjen ky imazh kaq pozitiv, sipas tij?
"Në fund të fundit përmes personaliteteve të artit që kanë dhënë kontributin e tyre në art pas Luftës së Dytë Botërore, si Joseph Boeys, Immendorf në Dyseldorf apo të tjerë për shembull këtu ku jam unë në Laipcig, Neo Rauch."
Si Than Long shumë studentë të huaj e vlerësojnë Gjermaninë si vend studimesh për degën e muzikës dhe artit. Rreth 28% studentë të huaj vijnë në Republikën Federale për të studiuar këto degë.
Por Than Long di edhe një arsye tjetër pse duhet të vijnë studentët e huaj të studiojnë në Gjermani:
"Sepse artistët këtu kanë lirinë për të shprehur mendimin e tyre, të paraqesin në art idetë e tyre. Kjo do të thotë projektet e shumëllojshme që kanë edhe impakt politik. Në këtë kuptim arti ka shumë të bëjë me politikën. Kjo është në Gjermani e mundur, në dallim nga vende të tjera."
Autor: Franziska Schmidt / Lindita Arapi
Redaktoi: Eliana Xhani