1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

020109 Niederlande Integration

Kerstin Schweighöfer8 Janar 2009

Në datën 5 janar, Ahmed Abutaleb mori postin e kryetarit të bashkisë së Roterdamit në Holandë. Ky është i pari kryetar i një bashkie të Holandës me prejardhje myslimane. Po jo të gjithë holandezët janë të lumtur për këtë

Ahmed Abutaleb, (në qendër) kryetar bashkie i RoterdamitFotografi: AP

"Unë kam qenë gjithmonë i pari, dhe si ushtar në front nuk e ke gjithmonë të lehtë. Unë kam qenë emigranti i parë nga Maroku, i cili studioi teknikën e qarkullimit ajror. Unë kam qenë i pari që u bë zëdhënës i shtypit, unë kam qenë i pari drejtues departamenti në Bashkinë e Amsterdamit dhe i pari emigrant mysliman që u bë sekretar shteti në Hagë."

Kështu është shprehur Ahmed Abutaleb. Tanimë ai është kryetari i parë mysliman i një bashkie në Hollandë: Ahmed Abutaleb, 47 vjeç, bir i një imami nga malësia Rif në Marok. Në moshën 14 vjeçare ai erdhi në Hollandë - dhe bëri një karrierë ideale si emigrant model. Pika kulmore e deritashme: një i ashtuquajtur komision i besimit në Këshillin e Qytetit të Roterdamit e emëroi Abutalebin kryetar bashkie. Një element, të cilin shumë vetë në botën e jashtme nuk e dinë: një kryetar bashkie në Hollandë, megjithë disa përpjekje pa fryte reformuese për këtë post vazhdon të mos zgjidhet në mënyrë demokratike nga qytetarët: atë e emëron një komision i posaçëm, dhe emërimi konfirmohet zyrtarisht nga mbretëresha. Në Roterdam, në fund të tetorit, pas një mbledhjeje maratonë komisioni bëri të ditur emërimin e Abutalebit.

RoterdamFotografi: IFFR

Abutaleb - dora e fortë e qytetit

I gjithë vendi e priste me ankth të madh këtë vendim: Një në dy banorë në Roterdam është me prejardhje emigrantësh. Ky ishte faktori kryesor vendimor për komisionin e besimit. Veç kësaj, kjo ishte shpresa, Abutalebi ka më shumë gjasa që të bëjë zap një grup të vogël të rinjsh myslimanë, shkaktarë të përsëritur trazirash. Ka shumë vite, që në qytete të mëdha si Amsterdami ose Roterdami ata terrorizojnë lagje të tëra. Sepse Abutalebi ka vepruar gjithmonë me dorë të fortë: "Ai që dëshiron të jetojë këtu", ka qenë motoja e tij, "duhet të përshtatet!" Këtë ai e ka bërë të qartë pa ekuivoke si drejtor departamenti në Bashkinë e Amsterdamit: "Ai që do të jetojë këtu, duhet të pranojë normat dhe vlerat e këtij vendi. Ai që nuk e do këtë, do të bëjë mirë të bëjë gati edhe njëherë valixhet."

Reagime pas zgjedhjes së Abutalebit

Me shprehjet e tij, Abutaleb në sytë e shumë marokenëve bëhet tradhtar. Edhe në Roterdam ai ka bërë armiq: "Abutalebi mendon keq për ne, megjithëse është vetë maroken. Ai duhet të angazhohej për popullin e tij, në vend që ta diskriminonte!"

Fotografi: AP

Të zemëruar ishin edhe populistët e djathtë të partisë "Roterdami që ia vlen të jetohet", të përfaqësuar në bashki. Ata janë fraksioni i dytë për nga madhësia dhe e shohin veten mbrojtës të trashëgimisë së Pim Fortëjn-it (Fortuyn), politikanit populist të vrarë në vitin 2002. Fortëjni ishte i pari që kishte guxuar të kritikonte anët e errëta të politikës holandeze ndaj emigracionit. Me këtë ai theu një tabu dhe shkaktoi tërmet politik. Roterdami është qyteti ku nisi ngjitja e tij. Që pikërisht këtu tani e ka skeptrin në dorë një mysliman, kjo është e papërfytyrueshme për populistët e djathtë. Kryetari i fraksionit, Ronald Sërensen doli pas emërimit të Abutalebit i tërbuar nga inati nga bashkia. Që t'i quante gjërat me emër, megjithatë ai nuk guxoi.

Në vend të kësaj, ai përmendi një sërë argumentash të tjera: Në radhë të parë duhet të ndryshohet sistemi, në mënyrë që kryetari i bashkisë të zgjidhet në mënyrë demokratike. Së dyti, sipas Sërensenit, Abutalebi është një karrierist, i cili deri tani i ka braktisur punët e mëparshme, sapo i kanë premtuar ndonjë më të mirë. Kjo nuk i hyn në punë Roterdamit. Dhe pika e tretë: Abutalebi ka dy pasaporta, një hollandeze dhe një marokene. Prandaj populistët e djathtë i vënë pikëpyetje luajalitetit të tij. Faktin, që marokenët nuk mund të dorëzojnë nënshtetësinë e tyre, Sërenseni nuk e pranon: "Abutalebi mund të vendoste një sinjal, të fuste pasaportën e tij në një zarf dhe ta kthente në Marok."

Por shumica e roterdamasve megjithatë reagon në mënyrë pozitive për kryetarin e tyre të ri të bashkisë. Shumë madje shohin në zgjedhjen e tij një sinjal që përsa i përket politikës së integrimit, holandezët janë në rrugë drejt një ekuilibri të ri.