1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Integrim me qëndresë - Ditët ballkanike në Mynih

14 Nëntor 2009

Ditët ballkanike janë rezultat i një bashkëpunimi mes shumë institucionesh, por nismëtare është Sadija Klepo. Ajo erdhi 17 vjet më parë si refugjate nga Bosnja dhe tani është shembull i imigrantit të integruar.

Sadija Klepo, kryetare e shoqatës "Menschen helfen Menschen" në Mynih.
Sadija Klepo, kryetare e shoqatës "Menschen helfen Menschen" në Mynih.Fotografi: Anila Shuka / DW

"Ne duam ta paraqesim Ballkanin në një dritë tjetër dhe t'u japim mundësi etnive të ndryshme ballkanike që jetojnë këtu në Mynih - secila të mbyllura në qoshkën e vet, që të ndërmarrin diçka së bashku, diçka të bukur", thotë Sadija Klepo, nismëtare e ditëve ballkanike të Mynihut. Aty tek njëqindmijëshi mendohet të jetë numri i ballkanasve në metropolin bavarez. Pjesa më e madhe e tyre vijnë nga ish-Jugosllavia ose kanë ardhur si imigrantë ekonomikë para viteve 90-të ose si refugjatë lufte.

Kur shoqata "Hilfe von Mensch zu Mensch" në bashkëpunim me Institutin nga Regensburgu "Sued-Ost" (Jug-Lindje), para tre vjetësh organizoi për herë të parë "Ditët e Ballkanit në Mynih", nga një anketim i bërë paraprakisht dilte se imazhi për Ballkanin linte shumë për të dëshiruar: "Pjesa më e madhe dinin që në Ballkan ka luftë dhe që situata atje është shumë e keqe, por kishte edhe nga ata që nuk e dinin fare se nga binte Ballkani. Prandaj edhe ne vendosëm pikërisht të tregojmë larminë e kulturave, feve dhe popujve në një fokus tjetër", rrëfen Sadija Klepo.

Me grupe moderne gjermano-ballkanike, si ai i Dyseldorfit, Trovaci, "Trilogjia e merakut" e shqiptarit nga Mali i Zi, Suad Mehmeti, folklor serb, filma, letërsi, pazar ballkanik, shkencë, ditët ballkanike të këtij viti zhvillohen nën moton "Ballkani në dialog" dhe japin një ndihmesë në përmirësimin e imazhit të Evropës Juglindore në metropolin bavarez.

Me Nënë Terezën mbi tryezë

Krahas fotografive dhe pikturave të shumta të varur në murin përballë tryezës së punës së Sadijas Klepos është edhe një fotografi e vogël e nobelistes së paqes, Nënë Tereza. Një kujtim nga Mira, thotë Klepo. Emirjeta Veshi, një shqiptare nga Durrësi, e cila para një viti përfundoi sociologjinë në Universitetin elitar Ludwig Maximillian të Mynihut, është vetëm njëra nga 18 punonjëset e rregullta të shoqatës. "Ne kemi edhe 40 bashkëpunëtorë të lirë dhe jemi pothuajse të gjithë të huaj, nga 20 vende të ndryshme të Evropës", shton jo pa krenari themeluesja Sadija Klepo. "Është gati një mrekulli, që arritëm të sistemohemi kaq mirë në kryeqytetin bavarez."

"Hilfe von Mensch zu Mensch" (Ndihmë nga njeriu tek njeriu) e ka fillesën në vitin 1992 në Bon: "Unë atëherë sapo kisha ardhur nga Sarajeva së bashku me tre fëmijët e mi të vegjël. Të katër ishim refugjatë lufte."

Sadija Klepo mund të jetonte fare mirë me shpenzimet e shtetit: "Atëherë Boni ishte kryeqytet dhe nuk sundonte kriza ekonomike si tani, njerëzit ishin zemërgjerë dhe shumë të gatshëm për të ndihmuar", kujton ajo. Por gazetarja boshnjake nuk donte të jetonte vetëm nga lëmosha e shtetit e gjerman, asaj i lindi një ide tjetër: këtë zemërgjerësi dhe begati të shtetit më të fuqishëm ekonomik të Evropës ta shfrytëzonte për qëllime bamirëse: "Më lindi ideja të themeloj një shoqatë për t'u ardhur në ndihmë njerëzve në vendin tim."

Ndihma për njerëzit në nevojë kudo në Ballkan.Fotografi: Rudolf-Walther Stifung

Në vitet pasues ndihma e shoqatës humanitare do të nevojitej edhe në zona të tjera të rajonit: kamionët e Klepos shkojnë gjithandej ku ka luftë dhe njerëzit janë në hall: në Bosnjë, Serbi, Kosovë, Shqipëri: "Ne ishim kudo, ku fëmijët, gratë dhe pleqtë kishin uri ose kishin nevojë për ndihmë", rrëfen ajo. Nga njëra anë shoqata dërgonte ndihma në terren, nga ana tjetër ajo ndihmonte refugjatët të integroheshin në Gjermani ose në vendet e tyre, në raste riatdhesimi.

Në ndihmë të të huajve

Që nga viti 2000 e këtej shoqata e kryen punën e saj kryesisht nga Mynihu dhe tashmë është kthyer në një mbështetje shumë të madhe për të huaj nga të gjitha vendet e botës. Në selinë e saj, një apartament në katin përdhes, në rrugën Schwanthaler 70 në Mynih, hyjnë e dalin njerëz të ngjyrave dhe kulturave të ndryshme. "Janë refugjatë, azilkërkues ose edhe thjesht të huaj që kanë probleme për t'u integruar në shoqëri", thotë Nezmije Hajdini nga Podujeva, gjithashtu bashkëpunëtore në qendër. Ajo u jep të huajve kurse integrimi, një koncept i ri ky i politikës gjermane të migracionit. Kurset janë me detyrim për ata që vijnë për të jetuar në Gjermani, pjesën kryesore e përbëjnë njohuritë e gjuhës.

Shumica e të huajve që kanë ardhur rishtazi i kanë njohuritë fillestare, sepse prej tri vjetësh gjuha është parakusht për të marrë vizat e punës ose ato për bashkime familjare. Një projekt i ri i shoqatës merret pikërisht me të ashtuquajturin para-integrimi i të huajve. Emirjeta Veshi është koordinatore e projektit për Shqipërinë dhe Maqedoninë: "Shumica e problemeve me vizat vijnë nga mungesa e informacionit, ne i ndihmojmë kandidatët me informacionet që u nevojiten atyre për Gjermaninë dhe kurse gjuhe deri në nivelin fillestar. Kështu ata janë më të përgatitur kur shkojnë për të marrë vizën."

Integrim dhe kurajo civile

Integrim po, por jo humbje e identitetit: kjo është motoja e Saija Klepos, e cila kurrë nuk e ka dorëzuar pasaportën e saj boshnjake. Klepo lufton për të drejtat e të huajve me guxim dhe kurajo civile. Këtë kurajo ajo e pat dëshmuar qysh në vitet e para të qëndrimit të saj në Gjermani, kur si refugjate ajo nuk lejohej ta lëshonte rrethinën e Bonit. Një rregull absurd, vëren ajo: "Unë nuk e pranova dhe jo vetëm që kalova kufijtë e Bonit, por shkova deri në Bosnjë me kamionët e ndihmës. Kur më arrestuan u thashë: unë jam njeri i lirë, punoj dhe paguaj tatimet në Gjermani dhe nuk e shoh të drejtë të privohem nga liria e lëvizjes".

Klepo gëzonte qysh atëherë reputacion dhe mbështetje nga politikanët. Organet gjermane nuk e dënonin dot, prandaj i dhanë lejen e qëndrimit. Përveç kësaj ajo i njihte mirë argumentet qysh nga koha e studimeve pasuniversitare: liria e lëvizjes është e drejtë bazë. Por ajo e di që jo çdokush mund të përfitojë prej këtij parimi. Gjithsesi të huajve dhe imigrantëve ajo u këshillon më shumë qëndresë dhe kurajo civile: "Në fillim mund të jetë e dhimbshme, por dikur, në planin afatgjatë, ajo shpërblehet", thotë Sadija Klepo.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Eliana Xhani