1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Integrimi i fëmijëve romë në shkollat gjermane

18 Qershor 2011

Kudo në Gjermani flitet për integrimin. Por për romët, askush nuk flet. E të mos harrohet se romët janë pakica më e madhe e Evropës!

Klasa e katërt në shkollën fillore "Janusz Korczak" në Köln.
Klasa e katërt në shkollën fillore "Janusz Korczak" në Köln.Fotografi: DW

Afro dhjetë deri më 12 milionë jetojnë këtu. Shumë syresh jetojnë në varfëri, pa arsim dhe pa punësim. Ky rreth vicioz duhet të marrë fund. Për këtë kanë rënë dakord shtetet anëtare të BE-së në strategjinë «Romët 2020», të cilën do ta miratojnë në samitin e tyre më 23 dhe 24 qershor në Bruksel. Sidomos në sektorin e arsimit duhet të bëhet shumë. Dhe ndërsa politikanët debatojnë me zjarr, në terren ka kohë që po punohet. Një shembull për integrimin e suksesshëm të fëmijëve romë e dërgon shkolla «Janusz Korczak» në Këln.

Është ora 11, ora e pushimit. Nxënësit u vërsulen shkallëve. Edhe pse bie një shi i imët dhe dielli i qershorit qëndron i fshehur mbas reve gri, fëmijët luajnë në oborr. Ata vrapojnë kryq e tërthor, bërtasin, por gjithë ky gaz e hare nuk zgjat shumë, sepse ora tjetër fillon. Edhe për Dushanin, Maksin dhe Jorikun. Ata janë në klasë të katërt dhe shokë të ngushtë. Dushani është rom. Ai ka lindur në Prishtinë, por menjëherë pas lindjes erdhi në Gjermani. Ai e flet gjermanishten shumë mirë, por ka drojë të flasë në mikrofon. Joriku i vjen në ndihmë:

Dushani (majtas) me shkokët e tij të shkollës.Fotografi: DW

«Unë mendoj se edhe ata janë pjesë e jona e s'kanë pse të rinë mënjanë, sepse nuk kanë vend të vetin. Prandaj duhet të jetojnë këtu me ne» - thotë Joriku dhe ka parasysh romët në shkollën e tij.

Mediatore e romëve - Znj. Anna Straus.Fotografi: DW

Joriku cek një problem shoqëror që vetëm gjatë kohëve të fundit ka filluar të gjejë jehonë në mediet gjermane: izolimi i romëve. Se sa romë jetojnë në Gjermani, nuk dihet, por mendohet që të jenë diku mes 70.000 dhe 140.000. Shumica e familjeve rome janë larguar nga vendet e Evropës Juglindore për shkak të diskriminimit dhe mungesës së perspektivës. Të paktë janë ata të rritur që kanë mbaruar një shkollë, për njohuri gjuhe as që bëhet fjalë. Fëmijët rriten në varfëri materiale dhe intelektuale. Një qark vicioz, ndaj të cilit mund të dilet vetëm me arsim. Prandaj mediatorët e romëve, si Anna Straus, fillojnë t'i mbështesin romët qysh në fillore:

«Mediator i romëve është dikush që shërben si urë ndërmjet kulturave, asaj gjeramane dhe asaj rome. Mediatori i romëve është edhe ndërmjetësues ndërmjet familjes dhe shkollës, vetë fëmijëve, shkollës dhe prindërve.»

Zonja Straus është vetë rome me origjinë nga Polonia dhe është rritur në Gjermani. Më e rëndësishmja për të është që fëmijët e romëve këtu të kenë një të ardhme të sigurt. Prandaj ajo vjen në shkollën fillore çdo javë e kujdeset për gjithsej njëmbëdhjetë fëmijë romë. Çfarë bën ajo konkretisht? Gjithçka. I ndihmon ata në mësime, flet për higjienën, për kulturën e përbashkët dhe festat e veçanta speciale, hanë mëngjesin bashkë, bëjnë lojëra, vallëzojnë. Sot për shembull, po ushtrojnë me fëmijët paradën e modës, të cilën do ta prezantojnë në ditën e fundit të shkollës. Aty nuk janë vetëm vajza, edhe Dushani përpiqet të ecë si vip-at, në tapetin e kuq dhe me ritmin e muzikës pop në sfond.

«Ai është integruar shumë mirë, luan me fëmijët gjermanë dhe ata janë shokët e tij më të mirë. Por ai jeton në dy botë të ndryshme. Këtu në shkollë nuk ka rrahje, konfliktet zgjidhen me fjalë. Ndërsa në shtëpi sundojnë rregullat e romëve. Këtu ka mësuar të lexojë dhe ishte shumë i lumtur që na lexoi diçka. Të gjithë fëmijët duartrokitën dhe u gëzuan për të. Por kur u kthye në shtëpi prindërit ia grisën librin dhe e rrahën, sepse ishte miqësuar shumë me gaxhitë» - thotë mësuesja e tij, Carmen Schrader.

Mësuesja e fillores Znj. Schrader me klasën e saj.Fotografi: DW

Me gaxhitë, nënkuptohen «të huajt», ata që nuk janë romë. Por, kështu nuk funksionon integrimi. Të dyja palët duhet të afrohen e të kenë mirëbesim te njëra-tjetra. Të thyesh akullin nuk është diçka e lehtë, thotë Schrader.

«Për mua ishte e qartë se në se dua të punoj me ta, më duhet të njoh kulturën e tyre. Kolegët më thoshin është shumë e vështirë. Por dikur takova zotin Imer, nga zyra e arsimit, i cili merret me kurset e mediatorëve të romëve. Aty lejoheshin vetëm gra rome. Për mua si gjermane bënë përjashtim dhe kështu kursi më ndihmoi të futesha në botën dhe kulturën e tyre. Për herë të parë aty kam ndjerë diskriminim mbi shpinë, si gjermane dhe si mësuese. Ata nuk më donin e këtë ma shprehnin shumë hapur. M'u desh shumë kohë derisa ua shpjegova se thjesht isha aty se doja të njihesha me kulturën e tyre në mënyrë që të dija si të sillesha me nxënësit.»

Për të hequr paragjykimet nga të dyja palët, mësuesja Schrader dhe mediatorja Straus para tre vjetësh hapën në shkollë një kafene për prindër.

«Kur e pamë që fëmijët nuk ishin në gjendje ta përballonin të përditshmen e shkollës, na lindi ideja t'u ofronim prindërve ndihmë për vetë-ndihmë. Në fillim kafeneja ishte plot. Kishte shumë prindër me shumë probleme, por ne uleshim e i diskutonim ato me qetësi. Unë nganjëherë gatuaj gjellë rome, herë të tjera gatuajnë nënat. Deri në orën 16 rrimë këtu së bashku, jo vetëm gratë, por edhe baballarët me fëmijët.»

Synimi i kafenesë është që prindërit e fëmijëve gjermanë të takohen me ata romë. Vetëm kështu integrimi mund të funksionojë si duhet. Sepse fëmijët romë nuk njohin asnjë atdhe tjetër, përveç Gjermanisë.

Autor: Rayna Brojer / A. Shuka

Redaktoi: E. Xhani