1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

120208 Roma Ungarn

8 Prill 2009

Integrimi i minoriteteve është një temë e së ardhmes për BE-në e zgjeruar. Kjo jo vetëm në kontekstin e emigracionit, por edhe për shkak të grupeve të popullsisë, që jetojnë në Evropën Juglindore, si sintit dhe romët.

Romë në HungariFotografi: picture-alliance/ dpa

Grupi i popullsisë sinti dhe rome, që dikur rëndom në gjermanisht quheshin ciganë, ekziston ndër të tjera në grupin "Cigany" në Hungari, që përbën minoritetin më të madh etnik në Evropë. Këta njerëz me gjuhën dhe kulturën e tyre janë vendosur qysh nga shekulli i 14-të kryesisht në hapësirën e Evropës Juglindore dhe në disa vende të këtij rajoni përbëjnö 10% të popullsisë. Në përgjithësi gjendja e sintive dhe romëve nuk është përmirësuar pas shpërbërjes së Bllokut Lindor. Ata janë të prekur kryesisht nga varfëria dhe papunësia. Kësaj i shtohen edhe paragjykime të ngulitura thellë dhe refuzimi prej popullsisë shumicë. Përpjekjet për një integrim më të mirë të këtij grupi popullsie ka, këtë e dëshmon shembulli i një shkolle fillore në Hungari, ku mësojnë shumë fëmijë sinti dhe romë. Fëmijët e popullsisë Cigany, kështu e quajnë veten romët e hungarezë, diskriminohen dhe izolohen në klasa të veçanta.

Një djalë i vogël rom në HungariFotografi: picture-alliance/ dpa

Në shkollën fillore në qytetin Gëdëllë afër Budapestit është bërë një përjashtim, që tregon rrugëdaljen prej rrethit vicioz. Shoka Zhysh, është drejtoreshë e kësaj shkolle: "Klima pozitive në shkollën tonë është rezultat i një pune shumëvjeçare. Ne kemi programin tonë, me të cilin ia kemi arritur që problemet etnike të mbeten jashtë mureve të shkollës. Për këtë qëllim në radhë të parë ne u kushtojmë vëmendje prindërve dhe paragjykimeve ekzistuese. Kjo për faktin, se fëmijët normalisht nuk kanë probleme me njëri-tjetrin."

Qëllimi është që të nxiten aftësitë individuale të fëmijëve e me këtë edhe vetëdija e tyre duke mos pasur si qëllim detyrimisht arritjen e rezultateteve të shkëlqyra në shkollë.

"Fëmijët e ciganëve kanë kaq shumë dashuri dhe mirënjohje në vetvete dhe e shprehin atë, nëse atyre u ofrohet vëmendje dhe ndihmë. Mjafton edhe një gjest i vogël dhe ata e vlerësojnë shumë. Kështu ndodh edhe me një bashkëpunim të mirë në orën e mësimit."

Të mësosh nga njëri-tjetri

Në këtë shkollë mësojnë 354 nxënës, një e katërta e tyre janë romë. Ata duhet të kenë të njëjtat të drejta si edhe fëmijët e tjerë. „Nëse prindërit i regjistrojnë tek ne fëmijët e tyre, atëherë ne u flasim hapur atyre. Ne përpiqemi t´i bindim prindërit e fëmijëve jo-romë, që kulturat, traditat dhe zhvillimet e ndryshme ndihmojnë në zhvillimin e fëmijëve. Nga ana tjetër edhe prindërve të romëve ne u bëjmë të qartë, se nuk ka diskriminim pozitiv, se fëmijët duhet të mësojnë dhe të jenë veshur pastër. Për këtë kërkohet shumë diplomaci dhe ndihmë me kreativitet.“

Violinisti Istvan Suki me orkestrën e tij gjatë karnivalit të romëve në BudapestFotografi: picture-alliance/ dpa

Romët janë në Hungari minoriteti më i madh me rreth 700.000. Shumë prej tyre jetojnë në varfëri të madhe, nëpër geto në periferitë e qyteteve dhe fshatrave. Ata nuk kanë punë dhe jetojnë me ndihmë sociale duke mos i dërguar shpesh herë fëmijët në shkollë. Çdo qeveri pas kthesës politike ka miratuar programe të kushtueshme për integrimin e ciganëve. Por këto projekte nuk kanë pasur ndonjë sukses: Zhysh: „Ne kemi shumë fëmijë të varfër në shkollën tonë dhe të varfërit nuk janë vetëm romë. Por për fat ne kemi në qytet një rrjet social dhe në shkollë i kushtojmë vëmendje të veçantë, që fëmijët të mos mbeten të uritur. Cili është ai, që mund të mësojë si duhet, kur i gërryen stomaku?“

Në shumë shkolla hungareze fëmijët e romëve marrin kualifikim më të dobët se nxënësit e tjerë jo-romë. Në fshatin Kerepes p.sh. fëmijët romë nuk lejohen të marrin pjesë në mësimin normal, ata ulen në bankat e shkollës vetëm dy herë në javë në mbrëmje. Këtë gjë e patën kërkuar prindërit e nxënësve të tjerë, sepse sipas tyre fëmijët e ciganëve e ulin nivelin e mësimit dhe nxënësit nuk kanë mundësi të mësojnë si duhet. Por Shoka Zhysh e hedh poshtë këtë: „Fëmijët romë, që dalin prej shkollës sonë, vazhdojnë të mësojnë edhe më pas, shumica e tyre shkojnë në shkolla profesionale. Me këtë ata sigurojnë një zanat dhe kanë shanse në tregun e punës. Më duhet ta pranoj, që rrallëherë ata shkojnë të vazhdojnë studimin nëpër gjimnaze apo në universitet."

Drejtoresha Zhysh njëkohësisht e pranon, që në shkollën e saj janë shmangur problemet etnike, sepse vetëm 25% e nxënësve janë romë. „Numri i fëmijëve romë në një shkollë duhet të jetë nën 40%, në rast të kundërt është e vështirë të garantohet procesi i mësimit me përfshirjen e të gjithë nxënësve. Kjo ka të bëjë me faktin, që fëmijët romë janë me shumë temperament dhe janë shumë të aftë për t´i realizuar interesat e tyre. Në këtë aspekt duhet të kemi kujdes.“

Në orën e pushimit ndjehet e njëjta atmosferë si në çdo shkollë. Fëmijët hidhen sa andej këndej dukë ngrënë mëngjesin: „Epo ne edhe zihemi ndonjëherë me njeri-tjetrin, po jo shpesh. Unë jam rom dhe ne nuk kemi probleme me njëri-tjetrin.“

Një grup fëmijësh romëFotografi: picture-alliance/ dpa

Pavarësisht nga shembulli pozitiv i shkollës në qytetin Gëdëllë të Hungarisë, në mbarë vendin edhe 18 vjet pas kthesës politike vazhdon të ekzistojë refuzimi, urrejtja dhe diskriminimi kundrejt romëve. Shkolla tetëvjeçare në Gëdëllë konsiderohet si një objekt shembullor. Kështu thotë eksperti për arsimimin e romëve Dezho Shegedi. Ai punon në sekretariatin për integrimin e romëve pranë Ministrisë hungareze të Arsimit: „Ne jetojmë pranë njëri-tjetrit, por jo me njëri-tjetrin. Kjo ka shumë arsye. Para së gjithash është mungesa e njohurive dhe frika, që nxitet në opinion. Shumica e popullsisë di shumë pak ose apsak për grupin e popullsisë rome. Edhe ai pak informacion, që ata marrin, vjen prej shtypit bulevardesk, i cili shkruan vetëm për ciganët kriminelë dhe të varfër, të cilët mashtrojnë e vjedhin. E si rrjedhojë në kokat e njerëzve nuk ekziston një imazh tjetër për romët."

Autor: Harriet Ferenzci/Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica