Intensifikohen përpjekjet për lirimin e pengjeve në Afganistan
24 Korrik 2007Ndërkohë kërkesa e talebanëve është mëse e qartë: Përfundimi i prezëncës ushtarake ndërkombëtare në vend mund t´i shpëtojë jetën 23 koreano jugorëve dhe një gjermani. Flitet gjithashtu se talebanët kërkojnë lrimin e disa të burgosurve në shkëmbim të pengjeve. Qeveria afgane ka pranuar edhe më parë një marrëveshje të tillë. Ndërkohë qeveria gjermane ka theksuar se nuk do t´i tërheqë trupat e saj nga Afganistani, Diplomatë gjermanë dhe koreano jugorë po përpiqen prapa skenave që të ndërmjetësojnë për lirimin e pengjeve.
Gjermani dhe koreano jugorët mbahen peng nga gurpe të ndryshme që kanë motive të ndryshem e megjithatë të gjithë ndodhen në të njejtin rajon, në juglindje të Afganistanit, që konsiderohet si një zonë tepër e rrezikshme. Mendohet se gjermani dhe kolegët e tij afganë ndodhen në Vardak, ndërkohë që koreanët flitet se mbahen peng në rajonin fqinj Ghazni. Gjermani është ende gjallë ndonëse nuk dihet se në ç´gjendje ndodhet ai. Dihet se 6 ditë pas rrëmbimit, gjendja e inxhinierit gjerman është patjetër tepër e rëndë. Kjo është edhe arsyeja përse zyrat përkatëse afgane dhe gjermane kërkojnë ta zgjidhin këtë çështje sa më parë.
Kufoma e gjermanit të dytë arriti të hënën në Gjermani. Obduksioni pritet të japë sqarime mbi rrethanat që shkaktuan vdekjen e tij. Ministria e jashtme gjermane kish konfirmuar më parë se gjermani kishte disa plagë armësh me zjarr. Por ndërkohë një afgan që u lirua nga pengu, tha se gjermani kish pësuar një kolaps nga marshimi i gjatë në temperatura shumë të larta.
Ndërkohë vazhdojnë përpjekjet intensive edhe për lirimin e 23 koreanëve që jana marrë peng. Talebani e zgjati ultimatumin që kish vënë deri të hënën në një ditë më shumë, sepse delegacioni koreano jugor që arriti në Kabul për të ndërmjetësuar, arriti të dielën në darkë. Zëdhënësi i talebanëve Ahmadi ka kërkuar lirimin nga burgu të 23 të burgosurve talebanë në shkëmbim të 23 koreanëve.
Deri të premten e kaluar mendohej se talebanët ishin përgjegjës për rrëmbimin e dy gjermanëve, ndonëse tani dihet se ata janë marrë peng nga një grup me motive kriminele. Megjithatë zëdhënësi i talebanëve, Ahmadi kish deklaruar se gjermanët dhe kolegët e tyre afganë u vranë nga talebantët, sepse ISAF-i nuk i tërhoqi trupat e tij nga Afganistani. Komandanti i ISAF-it, Dan McNeill është i bindur se këtu kemi të bëjmë me një strategji të talebanëve:
"Dihet se bundestagu gjerman do të marrë një vendim për zgjatjen apo jo të mandatit gjatë këtij viti. Kujtoni pengmarrjen e gazetarit italian vetëm pak ditë pas mbledhjes së parlamentit italian në Romë. Apo pengmarrjen e franceizt përpara zgjedhjeve në Francë. Ndoshta kjo është një metodë e rebelëve."
McNeill tha më tej se kombet e ISAF-it duhet të tregohen të vendosura kur ndodhin pengmarrje të tilla. Marrëveshjet me rebelët nuk janë ide të mira, tha ai. Komandanti i ISAF-it e lavdëroi misionin e ushtrisë gjermane në veri të Afganistanit dhe tehksoi se do të donte edhe më shumë trupa gjermane aty:
"Dua t´u lutem gjermanëve që të kenë parasysh se ç´efekte të mrekullueshme ka puna e trupës së tyre në veri dhe sa më shumë efekt do të kishte me më shumë ushtarë. Në rast se parlamenti gjerman do të pranonte për shembull rritjen e trupave gjermane në një apo dy batalione më shumë, ky do të ishte një plotësim i mrekullueshëm."