1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëIzrael

Intensifikohet lufta në Gaza

28 Tetor 2023

Izraeli ka bërë të ditur se ka zgjeruar operacionin ushtarak me trupa tokësore Rripin e Gazës. OKB ndërkohë bën thirrje për "armëpushim humanitar" në Gaza.

Ushtria izraelite ka shtuar sulmet ajrore në Gaza - trajektore e bardhë e raketave në qiellin e Gazës
Ushtria izraelite ka shtuar sulmet ajrore në GazaFotografi: Abed Khaled/AP Photo/picture alliance

Ushtria izraelite ka bërë të ditur, se natën e së shtunës e ka zgjeruar operacionin e saj me njësi tokësore në Rripin e Gazës. Një zëdhënës i ushtrisë, i bëri thirrje popullsisë në qytetin e Gazës të largohet në drejtim të jugut. Tre javë pas masakrës së tmerrshme të terroristëve islamistë të gjitha shenjat janë për një intensifikim të luftës në Rripin e Gazës. Pas bombardimeve të shtuara ajrore natën e së shtunës janë shtuar zërat, se ofensiva tokësore izraelite mund të ketë filluar. Ushtria izraelite nuk e ka konfirmuar këtë, por më parë kishte bërë të ditur, se po zgjeron misionin tokësor kundër Hamasit në Rripin e Gazës. Hamasi kategorizohet si organizatë terroriste nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera.

Avionët luftarakë izraelitë kanë goditur 150 objektiva nëntokësore të Hamasit në pjesën veriore të Rripit të Gazës, sipas të dhënave izraelite. Këtu bëjnë pjesë "tunele të përdorura të përdorura nga terroristët, hapësira nëntokësore ushtarake dhe infrastrukturë tjetër nëntokësore", deklaroi ushtria izraelite. Krahas kësaj janë vrarë disa "terroristë" të organizatës radikal-islamike, Hamas.

Në një deklaratë të tij, Hamasi, ka thënë, se ushtarët e tij janë "plotësisht dhe të gjithë gati" t'i përgjigjen "agresionit" të Izraelit me të gjithë forcën. Drejtuesit e organizatës terroriste të Hamasit kanë deklaruar po ashtu, se Izraeli e ka ndërprerë komunikimin e internetit në pjesë më të madhe të Rripit të Gazës. Sulmet izraelite janë "më të rëndat që nga fillimi i luftës" më 7 tetor, thuhet.

Votimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKBFotografi: Bebeto Matthews/AP Photo/picture alliance

Kërkohet "armëpushim i menjëhershëm humanitar"

Asambleja e Kombeve të Bashkuara të premten në mbrëmje me shumicë të madhe miratoi një rezolutë jo të detyrueshme në të cilën kërkon "një armëpushim të menjëhershëm, të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm" në Rripin e Gazës". Rezoluta u soll nga vendet arabe në OKB. 120 vende dhanë votën pro rezolutës, 14 votuan kundër, mes tyre Izraeli dhe SHBA. 45 vende abstenuan, mes tyre Gjermania.

 

la/ag