Muzika serbe "Oj Kosovo..." në Forumin e BE-së shkakton kritika
16 Nëntor 2026
Interpretimi i muzikës së këngës serbe "Oj Kosovo, Kosovo”, e cilësuar si nacionaliste, në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel më 15 nëntor, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe më gjerë. Forumi organizohet nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.
Muzika e këngës u interpretua nga grupi slloven "Kapobanda”. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, reagoi duke e cilësuar ngjarjen si shqetësuese.
"Është thellësisht shqetësuese që në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel të interpretohet muzika e një kënge nacionaliste serbe që promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës”, shkroi Haxhiu.
Ajo shtoi se një forum që synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian nuk duhet të transmetojë mesazhe që bien ndesh me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve.
Haxhiu: "Presim sqarimin e BE-së"
"Presim sqarime nga Komisioni Evropian për këtë përzgjedhje të papërgjegjshme”, theksoi Haxhiu, duke shtuar se institucionet evropiane duhet të tregojnë më shumë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit dhe mesazheve që përcjellin.
Reagim pati edhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras. Ai shkroi në platformën X se bëhet fjalë për "një provokim të qëllimshëm ose një shfaqje të pastër të injorancës”.
"Interpretimi i një kënge nacionaliste serbe, e cila pretendon sovranitet mbi Kosovën, në një aktivitet të BE-së për zgjerimin, përbën një gafë jashtëzakonisht të papërshtatshme dhe pa shije. Komisioni Evropian dhe Marta Kos i kanë borxh Kosovës një shpjegim”, shkroi Terras.
Kos shpreh keqardhje
Nga ana tjetër, komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, shprehu keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga muzikantët, duke theksuar se ajo nuk pasqyron në asnjë mënyrë qëndrimet e Komisionit Evropian.
Kos deklaroi se është e vetëdijshme për vuajtjet dhe sakrificat e popujve të kësaj pjese të Evropës dhe nënvizoi rëndësinë e pajtimit, pa i harruar dallimet dhe përvojat historike.
Në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, që organizohet nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e Marta Kos, Kosova nuk është ftuar. Në programin e ditës kryesore të forumit, më 16 nëntor, ishte paraparë që të mbanin fjalime presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.