1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Interesim i madh për aksionet në bursën e Athinës

J.Papadimitriou/P.Pani7 Nëntor 2013

Fondet që blejnë aksione shpresojnë se do të përfitojnë si prej zhvillimit të ekonomisë greke edhe prej stabilitetit të këtij vendi të Eurozonës.

Fotografi: Reuters

Shifrat flasin për vete: Sipas Bloomberg News, bursa e Athinës i ka kaluar pothuajse të gjitha bursat e botës në 16 muajt e fundit, vetëm Venezuela ishte zhvilluar më mirë në këtë periudhë. Sidomos bankat greke dhe kompanitë e orientuara nga eksporti duket se po u intersojnë investitorëve ndërkombëtarë. Manos Hatzidakis, analist në Beta Securities në Athinë mendon madje se për aksionet e firmave greke ka ende potencial.

Në aksionet greke po investojnë sidomos fondet e huaja, sqaron për DW Hatzidakis. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë faktin se fitimet në tregun e aksioneve ranë gjatë krizës ekonomike ndjeshëm. Sidomos në vitet e fundit, mes 2007 dhe 2013, indeksi i bursës së Athinës ka humbur 85 për qind të vlerës.

Shvlerësimi që i bëri Morgan Stanley Capital Index Greqisë, e cila nuk plotësonte kushtet e një vendi të industrializuar për qarkullimin e kapitalit, u konsiderua si një shuplakë e fortë për Greqinë dhe indeksi i bursës të Athinës pësoi humbje të thella. Por çdo e keqe ka të mirën e saj: pikërisht për shkak të shvlerësimit nga Morgan Stanley Capital Index tani drejt Athinës janë lëshuar fonde të specializuara për vende me gjendje të vështirë ekonomike. Edhe Manos Hatzidakis mendon kështu dhe thotë se fondet që blejnë aksione shpresojnë se do të përfitojnë si prej zhvillimit të ekonomisë greke edhe prej stabilitetit të një vendi të Eurozonës, ku bën pjesë edhe Greqia.

Manos HatzidakisFotografi: DW/J. Papadimitriou

Besim tek ekonomia e vendit

Qeveria greke thotë se tendenca në rritje e tregut të aksioneve greke është shenjë besimi tek ekonomia e vendit dhe tek kursi i shëndoshë ekonomik që po ndjek qeveria e koalicionit nën drejtimit e shefit të konservatorëve Antonis Samaras. Pyetja nëse investitorët vijnë nga besimi apo për shkak se duan të nxjerrin fitime, po diskutohet fort mes ekspertëve grekë.

Hatzidakis beson se kurset aktuale të bursës nuk janë rritur prej spekulimeve, por refelktojnë gjendjen e vërtetë të ekonomisë greke.

"Edhe nga Greqia ka lajme pozitive: dalja nga eurozona duket se se nuk ka gjasa, rikapitalizimi i bankave ka qenë i suksesshëm, objektivat e kursimeve janë arritur ose janë duke u realizuar." -thotë analisti Hatzidakis.

Paralajmërim prej befasive

Publicisti lberal dhe drejtuesi i portalit Capital.gr. Thanassis Mavridis ka një mendim tjetër. Eksperti i ekonomisë ishte ndër të paktët ekspertë në Greqi që paralajmëruan në vitin 2007 publikisht për rënien e atëhershme të bursës. Mavridis mendon se edhe tani në bursë po luajnë spekulantët dhe një gjë e tillë nuk është e mirë për investitorët e vegjël.

Thanassis MavridisFotografi: DW/J. Papadimitriou

Ajo që po ndodh në tregun e aksioneve nuk ka të bëjë fare me ekonominë reale në Greqi, beson eksperti. Edhe në muajt e fundit disa aksione janë mbivlerësuar thotë Mavridis dhe i paralajmëron investitorët ndaj surprizave të këqija, sepse edhe pas rikapitalizimit bankat greke ende nuk e kanë marrë veten dhe sepse "Ende nuk dihet shuma e saktë e kredive të këqija. Prandaj ndoshta

ne duhet të marrim sërish injeksione në formë kapitali për bankat tona," mendon Thanassis Mavridis.

Po ashtu Mavridis nuk beson as se tregu i kapitalit grek ka potencial dhe mendon se duhet më shumë kohë që bankat e sëmura dhe kompanitë e mëdha të vendit ta marrin veten.