1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Interesimi i kompanive gjermane për sistemin e ujësjellës kanalizimeve në Shqipëri

18 Nëntor 2009

Emra të njohura të kompanive gjermane janë prezente në tregun shqiptar si, VAG -Armaturen GmbH, ILF Group, Dorsch Consulting InCowest, WIKA GmbH, Ludwid Pfifer Hoch & Tief Bau, Friachtech AG, WILO etj.

Sektori i ujësjellës kanalizimeve ka filluar të bëhet atraktiv për mjaft firma e kompani gjermane.
Sektori i ujësjellës kanalizimeve ka filluar të bëhet atraktiv për mjaft firma e kompani gjermane.Fotografi: Bilderbox

Në disa qytete të Shqipërisë si në Korçë, Kavajë, Krujë, Shkodër, Kucovë, Pogradec etj., janë duke u zbatuar projektet e rehabilitimit të sistemeve të ujësjellësave dhe kanalizimeve, si dhe futja në përdorim e impianteve të pastrimit të ujërave të zeza. Projektet janë në faza të ndryshme të zbatimit të tyre në terren dhe ato mbështeten nga qeveria gjermane me një fond që deri më tani ka shkuar tek rreth 140 milion euro.

Duke u konsideruar si një nga prioritetet e Gjermanisë për Shqipërinë, sektori i ujësjellës kanalizimeve ka filluar të bëhet atraktiv për mjaft firma e kompani gjermane. Kjo u pa ditët e fundit nga organizimi i një panairi në Tiranë ku pjesëmarrës ishin mjaft subjekte të biznesit gjerman që njihen jo vetëm në rajon e Europë, por dhe në pjesë të tjera të globit.

Bernd Ostendorf thotë se VAG-Armaturen ka strategji afatgjatë në Shqipëri.Fotografi: DW

Orientimi i tregut drejt cilësisë

Bernd Ostendorf është përfaqësues i grupit VAG-Armaturen GmbH. Kjo kompani 130 vjeçare ka tre vjet që ka hyrë në tregun shqiptar, për të ofruar një gamë të gjerë produktesh e pajisjesh në sistemet e ujësjellësve. Ostendorf thotë për DW se ata po operojnë në Shqipëri nëpërmjet një partneri shqiptar, dhe ka bindjen se do të jenë të suksesshëm, ashtu "siç është VAG në rreth 140 vende të globit". VAG Armaturen GmbH, ka një strategji afatgjatë për prezencën e saj në Shqipëri.

"Tregu shqiptar po orientohet drejt futjes në përdorim të mallrave cilësore dhe rezistente, pasi kjo është një nga kërkesat specifike të sistemeve të ujësjellës kanalizime. Pikërisht cilësia është garancia dhe e konsumatorit, në rradhë të parë për shëndetin e tij, por dhe për efektivitetin e kostos. Unë jam mëse i sigurt se në 5 vitet e ardhshme VAG do të jetë një kompani lider edhe në tregun shqiptar", thotë Bernd Ostendorf.

Thomas Reinheimer tregon se ILF-Group është marrë me projektin e rehabilitimit të ujësjellës - kanalizimeve në qytetin verilindor të Korçës.Fotografi: DW

Bashkëpunimi me Bankën Gjermane për Rindërtim, KfW

ILF Group, është një kompani ndërkombëtare konsulence dhe zbatimit të projekteve të infrastrukturës me shtrirje të aktivitet thuajse në të gjithë botën. Ajo i ka zyrat qëndrore në Mynih të Gjermanisë dhe në Innsbruck të Austrisë. ILF Group është e njohur në Shqipëri për bashkërealizim projekti me Bankën Gjermane për Rindërtim, KfW, për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit të Korçës. Një financim prej rreth 25 milion eurosh vetëm nga pala gjermane, që e bëri këtë qytet, një nga të parët me furnizim 24 orë pa ndërprerje me ujë të pijshëm.

Thomas Reinheimer, përfaqësues i ILF Group thotë për DW se në Shqipëri kanë qënë nga të parat kompani të huaja në këtë sektor. Duke u ndalur tek projekti rehabilitues i ujësjellës kanalizimeve në qytetin verilindor të Korçës, ai shpjegon se "gjithshka është konkretizuar në tre faza kryesore. Për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm dhe në dobi të drejtëpërdrejtë për komunitetin".

Ing. Andreas Diendorfer, si i ngarkuar për tregun shqiptar thotë se shumë shpejt "flamuri" ILF Group do të ngrihet dhe në Tiranë me një zyrë përfaqësimi. Çfarë do ti jepte impulse më të fuqishme prezencës së shërbimeve të kësaj kompanie edhe në këtë vend, si në pjesë të tjera të globit".

Rajf Murataj nga WILO-Kompany tregon se organizimi i panaireve nxit tregun.Fotografi: DW

Jo vetëm prezantim, por dhe më shumë kontakte

Një nga kompanitë gjermane mjaft e interesuar për tregun shqiptar është dhe WILO. Me një eksperiencë 136 vjeçare në tregun botëror, kjo kompani me qendër në Dortmund, prej shkurtit të vitit 2007 ka përfaqësi dhe në Tiranë. Drejtori për Shqipërinë Rajf Murataj, thotë për DW se organizmi i panaireve me pjesëmarrjen e subjekteve nga Shqipëria, Gjermania, por dhe vende të tjera europiane është një mënyrë stimuluese për zgjerimin dhe përmirësimin e tregut. "Si raste ku ne prezantojmë prodhimet tona, por dhe mjedis i përshtatshëm për të krijuar marrëdhënie e kontakte të ndryshme që janë prezente në tregun shqiptar. Kjo është shumë e rëndësishme për ne, pasi Shqipëria ndodhet në stadin e zhvillimit ku ka marrë shumë donacione për përmiresimin e sistemeve të ujësjellësave dhe kanalizimeve e pastrimit të ujërave të zeza. Prodhimet tona janë pjesë e këtyre sistemeve dhe luajnë një rol të rëndësishëm në teknologjinë e tyre", thotë Murataj për DW.

Disa prej kompanive janë ende në fazën e studimit të tregut shqiptar. Ndërkohë që të tjera tentojnë të gjejnë partnerë dhe klientë nga operatorët vendorë. Derisa të arrijnë tek vlerësimi i vendimit p ër hapjen përfaqësisë zyrtare të tyre në Shqipëri, sic kanë bërë dhe në vende të tjera të botës.

Autor : Arben Muka

Redaktoi : Aida Cama