1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Ballkani Perëndimor është një term teknik i çuditshëm"

6 Qershor 2018

Në fillim të korrikut Austria do të marrë presidencën e BE. Në qendër të politikës së BE do të jetë deri në fund të vitit afrimi i Ballkanit Perëndimor me BE. Pyetje për ministren e Jashtme të Austrisë, Karin Kneissl.

Brüssel EU-Außenminister-Treffen | Karin Kneissl, Österreich
Fotografi: Reuters/F. Lenoir

DW: Zonja ministre, cilat janë objektivat që keni për Presidencën e radhës të Këshillit të BE?

Karin Kneissl: Në pikëpamje të politikës së jashtme bëhet fjalë para së gjithash për afrimin e shteteve të Evropës Juglindore me Bashkimin Evropian. Ky rajon është i rëndësishëm për ne, atë e kanë lënë keq pas dore në njëzet vjetët e fundit. Unë vetë e shmang përdorimin e termit "Ballkan Perëndimor", ai është një term teknik i çuditshëm dhe për mua qytete si Sarajeva dhe Beogradi janë gjithashtu qytete evropiane.

Ju flisni për "afrim". Pas takimit të nivelit të lartë në Sofje është përhapur një zhgënjim relativisht i thellë në gjashtë shtetet, të cilët ndodhen me statuse të ndryshme kandidatësh ose jo kandidatësh. Çfarë do të ofroni konkretisht? Çfarë do të përpiqeni të arrini?

Ne këtu mund të shfrytëzojmë vetëm dinamikën. Shtetet vetë duhet të vënë në jetë një sërë reformash. Në rastin e Bosnjë-Hercegovinës bëhet fjalë para së gjithash për reformën e ligjit zgjedhor përpara zgjedhjeve të 7 tetorit, dhe ne nuk mund të ofrojmë këtu diçka, ne vetëm mund t'i kujtojmë shtetet që duhet t'i vazhdojnë reformat e tyre. Ne do të angazhohemi para së gjithash te kolegët tanë në ato kryeqytete, të cilët gjeografikisht dhe historikisht janë pak më larg, që ata ta kuptojnë se ky rajon është i rëndësishëm.

Kjo do të thotë se ju jeni për një vazhdim të procesit të pranimit ose të integrimit të gjashtë vendeve?

Ne mbështesim që ata, të cilët kanë sot pozicione vendimmarrëse, të zbatojnë reforma, në mënyrë që të kemi afrim me Bashkimin Evropian. Këtu kemi të bëjmë me shtete shumë të ndryshme me parakushte shumë të ndryshme përsa i përket numrit të popullsisë dhe nga pikëpamja administrative. Nuk mund t'i hidhni në një kusi të gjitha këto shtete, po ata do të vazhdojnë në një proces pozitiv gare me njëri-tjetrin procesin e tyre të reformave.

Ditët e fundit, në prag të presidencës së radhës së BE në Austri ka pasur një debat të nxehtë për temën e migrimit dhe për kontrolle të mundshme kufitare. Çfarë duhet të kuptojmë me këtë?

Liria bazë në Bashkimin Evropian, tek e cila mbështetemi - pra në integrim deri brenda në Bashkimin Evropian - duhet mbajtur natyrisht në një balancë të mençur. Por në këtë debat nuk duhet të ketë as tabu në mendime.

Kur flasim për tabutë në të menduar - ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn tha se ne nuk duam një Vishegrad plus Austri. Si i përgjigjeni atij?

Këtë paralajmërim ose kritikë unë e kam të vështirë ta kuptoj (sepse të katër shtetet që formojnë Vishegradin - ne brenda BE kemi formate shumë të ndryshme nga Austerlici te Vishegradi dhe disa të tjera). Këtu ne nuk duhet të lëmë një gjë jashtë vëmendjes: vërtet që historikisht dhe gjeografikisht ne jemi afër, por dallimi që shoh midis katër shteteve të Vishegradit dhe Austrisë është: të katër shtetet janë shtete të NATO-s dhe ne nuk jemi shtet i NATO-s, dhe kjo me siguri na dallon në mënyrë rrënjësore në shumë vendime të politikës së jashtme.

Megjithatë shpresohet se Austria do të ushtrojë njëfarë ndikimi te këto vende. Zoti Asselborn ka thënë në lidhje me Poloninë: atje ne nuk kemi një sistem funksionues juridik. Dhe në lidhje me Hungarinë ai tha: atje ne nuk kemi liri shtypi. Çfarë ndikimi mund të ushtrojë Austria atje edhe në kuadër të Presidencës së Këshillit Evropian?

Në rastin e Polonisë është në vazhdim një procedurë, procedura e nenit 7 (verifikim nëse shkelen vlerat bazë të BE nga një shtet i BE) dhe ne nuk do të bëjmë gabimin që të ndërhyjmë në një procedurë në vazhdim e sipër. Si ministra ne bëjmë edhe biseda pas perdeve, por nuk ndërhyjmë në procedura në vazhdim e sipër.

Cila është Evropa që përfytyroni? Ne duhet të zhvillojmë skenare për të dalë nga kriza.

Pikërisht këto skenare i zhvilloi një vit e gjysmë më parë Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker dhe ata u prezantuan në Parlamentin Evropian. Qeveria federale austriake paraqiti në dhjetor një program qeveritar, në të cilin bëhet fjalë fare qartë për skenarin IV. Kjo do të thotë se është vendimtare që në kuptimin e subsidiaritetit të kujdesemi që Bashkimi Evropian të fokusohet në temat kryesore, të mëdha, për të cilat na nevojiten zgjidhje të përbashkëta, për shembull mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE, politika e përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë ose ndryshimi i klimës. Atje, ku shtetet nacionale ose rajonet kanë mundësi të gjejnë zgjidhje më të mira, sepse ato janë më pranë BE, neve na nevojitet më pak BE.

 

Karin Kneissl është politikane austriake pa parti. Që prej 18 dhjetorit 2017 ajo është ministre Federale për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Republikës së Austrisë.

Intervistën e zhvilloi Adelheid Feilcke.