1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putini: Pozicione të vjetra, plane të reja stacionimi

13 Mars 2024

Paralajmërime për armë bërthamore për Perëndimin, zemërim për debatin gjerman për "Taurus": në një intervistë para zgjedhjeve, presidenti rus përsërit shumë gjëra që dihen. Të rejat kanë të bëjnë me kufirin me Finlandën.

Putini, konferenca vjetore e shtypit, 14.12.2023
Fotografi: ALEXANDER ZEMLIANICHENKO/AFP/Getty Images

Citimet e para u bënë faqet e para të lajmeve televizive në mëngjes, ndërsa intervista me Vladimir Putin nuk u transmetua deri në orën 10 të mëngjesit me orën lokale. Një kohë e çuditshme transmetimi, pa çështje të diskutueshme që mund të kishin ngritur tension, por televizioni shtetëror dhe agjencia gjithashtu publike e lajmeve RIA Novosti i kishin njoftuar tashmë mesazhet që do të bëheshin publike - në Rusi dhe jashtë.

Siç është e zakonshme tani, Putini paralajmëroi Perëndimin për luftë bërthamore dhe në veçanti SHBA kundër testeve bërthamore.

Në Ukrainë nuk ka ekzistuar kurrë synimi për të përdorur armë të shkatërrimit në masë, tha Putini.

Negociata? Jo sipas dëshirës

Gjatë gjithë intervistës, e cila zgjati pak më shumë se një orë e gjysmë, nuk kishte asnjë qasje të re për Ukrainën, edhe pse Rusia prej më shumë se dy vjetësh zhvillon atë që e quaj "operacion ushtarak special" kundër fqinjës.

Fotografi: Andrey Smirnov/AFP/Getty Images

Rusia është e gatshme të negociojë, tha Putini - megjithatë "jo në bazë të 'dëshirave' që i lindin njeriut pas marrjes së drogave psikotrope, por në bazë të realiteteve që, siç thuhet, janë vendosur në terren".

Gjë që do të thotë thjesht se territoret ukrainase të pushtuara ilegalisht të përfshira në Rusi nuk do të jenë objekt negociatash, sipas Putinit.

Moskuptim për anëtarësimin në NATO

Fakti që frika nga një fqinj agresiv i shtyu Finlandën dhe Suedinë të anëtarësoheshin në NATO - për presidentin rus ishte një veprim pa kuptim: Rusia kishte "në parim marrëdhënie ideale me Finlandën". "Ne nuk kishim trupa atje, por do të kemi tani. Nuk kishte asnjë sistem shkatërrimi atje, por do të ketë tani."

Dhe sigurisht, një mesazh iu dërgua edhe politikës dhe shoqërisë gjermane - në lidhje me debatin mbi raketën "Taurus" dhe dërgimin e mundshëm të saj në Ukrainë. Opozita gjermane është këtu edhe më agresive se qeveria, tha Putini e shtoi: "Ata fantazojnë, ata zbaviten së pari. Dhe përpiqen të na frikësojnë. Të shohim se për çfarë do të bien dakord. Ne po e ndjekim këtë nga afër. Raketa britanike dhe amerikane në fakt përdoren”. Situatën në fushën e betejës kjo nuk do ta ndryshojë.

Fotografi: Anton Novoderezhkin/TASS/dpa/picture alliance

Mandat i ri i sigurtë nga maji

Dy ditë para fillimit të zgjedhjeve presidenciale, Vladimir Putin shfrytëzoi rastin për interpretuar sulmet masive ukrainase me dronë dje dhe sot, si dhe sulmin ndaj lokaliteteve ruse afër kufirit ukrainas nga formacionet vullnetare që veprojnë nga territori ukrainas: "Qëllimi kryesor është padyshim, që nëse nuk arrijnë t'i bëjnë të dështojë plotësisht zgjedhjet presidenciale në Rusi, të paktën të prishin disi procesin e shprehjes normale të vullnetit të qytetarëve”, deklaroi ai.

Gjatë intervistës prej një orë e gjysmë, Putini nuk ofroi ndonjë përfundim që nuk e kishte paraqitur tashmë gjatë fjalimit të tij dy orësh për gjendjen e kombit, disa ditë më parë.

Kjo ndoshta është intervista e fundit e hollësishme e Putinit përpara rizgjedhjes së tij, e konsideruar e sigurt, këtë fundjavë - përpara se ai të kthehet zyrtarisht në pushtet në fillim të majit, për gjashtë vjet të tjerë.

F.Aischmann/ARD Moskë