260711 Weltinvestitionsbericht
27 Korrik 2011
Sipërmarrjet me seli në një vend ngrenë në një vend tjetër ndërmarrje të reja prodhimi, blejnë atje sipërmarrje, ose fuzionojnë me firma lokale. Kriza e bankave ka shkaktuar edhe te investimet direkte jashtë vendit një pikë kthese. Se si janë zhvilluar ato që atëherë dhe si janë perspektivat, me këtë merret raporti botëror i investimeve 2011 i Kombeve të Bashkuara. Ai u paraqit të martën ( 26.07.2011) në disa kryeqytete, ndër të tjera në Berlin.
Vendet në zhvillim gjithnjë e më aktive
Edhe te investimet e huaja tregohet pesha në rritje në ekonominë botërore e vendeve në zhvillim dhe e atyre në industrializim e sipër. Në 2010-ën ato arritën për të parën herë të tërheqin më shumë se gjysmën e investimeve përtej kufijve kombëtarë, raporton Konferenca për Tregti dhe Zhvillim (UNCTAD) në Berlin. Por rrymat janë të shpërndara në mënyrë jo të njëjtë. Kina, India, ose Brazili sa vjen e bëhen më tërheqëse, thotë përfaqësuesi i UNCTAD-it Joachim Karl dhe tregon njëkohësisht nga humbësit: "Në të njëjtën kohë duhet thënë se zhvillimi në disa rajone të tjera jep shkas për shqetësim, para së gjithash në Afrikë, ku rrjedhjet vazhdojnë të pakësohen. Por gjërat nuk duken mirë edhe në të ashtuquajturat vende më pak të zhvilluara (least developed countries), në ato pa dalje në det, ose në shtetet e vogla ishullore ndër vendet në zhvillim.“
Nga ana tjetër vendet e mëdha në industrializim e sipër sa vjen e bëhen më aktive, jo vetëm si marrëse, po edhe si investuese (pjesa e tyre si investues arrin 30 për qind në rrafsh botëror).
Në vitin 2013 mund të arrihet niveli i para krizës
Në 2010-ën u investuan gjithsej 1,24 bilionë dollarë amerikanë jashtë vendit, kjo është pak më shumë se sa vitin paraardhës, por përmirësimi ndodh ngadalë, shpregon ekonomisti i UNCTAD-it Karl:„Në qoftë se ecuria do të jetë disi e mirë, atëherë mendojmë se përmirësimi do të përshpejtohet dhe në vitin 2013, pra pas dy vjetësh, do të arrijmë sërish nivelin e para krizës me gati dy bilionë dollarë amerikanë.“
Si e vetmja ekonomi evropiane Gjermania shënoi në 2010 rritje
Raporti i investimeve botërore i UNCTAD-it tregon si tendencë të rëndësishme rritjen e fuqishme të të ashtuquajturave “non-equity modes“ (NEM-të). Këtu para së gjithash sipërmarrjet nga shtetet e industrializuara prodhojnë në vende në zhvillim, kryesisht furnizuesit e prodhuesve të automjeteve, të elektroteknikës, të tekstileve, të këpucëve apo të mallrave bujqësore, pa investuar kapital të vetin. Prodhime të tilla me porosi mbajnë me punë rreth 15 milionë vetë dhe arrijnë ndërkohë dy bilionë dollarë xhiro në vit, thotë përfaqësuesi i UNCTAD-it Joachim Karl: “Por atje ku ka shumë diell, ka edhe shumë hije, prandaj ne vemë në dukje edhe rreziqet që mund të shoqërojnë NEM-të, sepse ambienti i punës që mbizotëron në disa prodhimet NEM, lë shkas për shqetësim.”
Prodhuesi më i madh me porosi në botë, furnizuesi eletrik tajvanez Foxconn, kohët e fundit tërhoqi vëmendjen me lajmet për një seri vetëvrasjesh në radhët e punëtorëve të tij. Të punësuarit u ankuan për kushte pune të padurueshme, gjë që udhëheqja e firmës e mohoi. Megjithatë, sipas UNCTAD-it mbizotërojnë avantazhet që ofrojnë NEM-të. Për këtë arsye qeveritë duhet t'i përfshijnë NEM-të në strategjitë e tyre të zhvillimit, thotë organizata.
Autor: Bernd Grässler/Elert Ajazaj
Redaktoi: Angjelina Verbica