Bistrica
19 Tetor 2010
I vendosur në këmbët e malit, hidrocentrali i Bistricës, furnizon me energji dy qytete të rëndësishme, turristike të Jugut, Sarandën dhe Gjirokastrën. Hidrocentrali u ndërtua në vitin 1965 me teknologji çeke. Amortizimi gjatë viteve nga njëra anë dhe rritja e kërkesave të konsumatorëve në këto dy qytetet, nga ana tjetër, sollën kriza kronike të mungesës së energjisë, të ndërprerjeve sistematike nga KESH në dy dekadat e fundit.
Por këndvështrimi gjerman për mbështetjen ndaj Shqipërisë në luftën kundër varfërisë dhe rrugës drejt integrimit europian do të sillte ndryshimin rrënjësor të situatës. Mbështetja gjermane zgjodhi pikërisht sektorin e energjisë si një nga sektorët kyç të bashkëpunimit ekonomik për vetë rolin e rëndësishëm që ky sektor luan në zhvillimin ekonomik, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mbrojtjen e mjedisit dhe të klimës. Me harkun kohor të 20 viteve të Gjermania ka investuar në sektorin energjitik 200 milion Euro.
Dy hidrocentralet e rehabilituara të Bistricës funksionojnë që prej dy vitesh. Në hidrocentralin Bistrica I na pret Foto Dodo, inxhinier elektrik përgjegjes i zbatimit të projektit të reabilitimit të tyre. Në zhurmën e turbinave ai arrin të japë disa hollësi për këtë investim. “Vlera e plotë e investimit është 33 milion euro”, thotë ai.
Në turbinat e dy hidrocentraleve të reabilituara të Bistricës vjen një prurje uji prej 30 metra kub në sekondë nga burimi i Syrit të Kaltër, një nga mrekullitë e natyrës shqiptare. Gjithçka është automatike. Në aparaturat e ndërlikuara, në dhomën e kontrollit lexohet Siemens dhe Voith Siemens, teknologji nga më të përparuarat, thotë inxhinier Foto Dodo. Përfitimet janë të mëdha. Mbi të gjitha prodhohet energji e rinovueshme, miqësore me mjedisin, thekson ai.
“Nga rehabilitimi rritet siguria e furnizimit me energji elektrikeë, cilësia, ulen humbjet dhe përmirësohet ndjeshëm plotësimi i nevojave të konsumatorëve. Prodhimi vjetor ka qënë 145 milion kilovat orë në vit, tani ka vajtur 155 milionë kilovat orë në vit. Janë pakësuar avaritë dhe difektet dhe deri tani nuk ka ndodhur asnjë difekt. Skema e funksionimit mbështetet në parimin e rezervës: nëse një transformator dëmtohet, kemi një rezerve me kapacitet dy herë më të madh. Rehabilitimi nuk është bërë vetëm zëvendëso të vjetrën me të renë, por edhe me kapacitet më të madh. Ndërhyrje në shkallë kaq të madhe sa është bërë këtu, nuk është bërë në asnjë hidrocentral në Shqipëri,” shpjegon inxhinier Foto Dodo.
Linja unazore 110 kv në Shqipërinë e Jugut
Pas Bistricës ndalojmë në Gjirokastër, ku projekti gjerman ka ndërtuar një nënstacion të hidrocentraleve të Bistricës, që si shpjegon inxhinier Dodo, zgjeron rrjetin e transmetimit në Shqipërinë e Jugut. E njëjta teknologji, i njëjti automatizim.
Të tjera nënstacione pritet të ndërtohen për të krijuar dhe mbyllur një unazë në pjesën juglindore të Shqipërisë, me një seksion të ri të linjës 110 kV. Për këtë qëllim Qeveria gjermane dhe Banka KfW kanë siguruar tanimë financimin prej 49 milion eurosh.
Ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Müller- Holtkemper, e pranishme në këtë udhëtim me gazetarë thotë se projektet gjermane në sektorin e energjisë në Jug të Shqipërisë dhe sektori i energjisë do të vazhdojnë të jetë prioritare në bashkëpunimin ekonomik mes Gjermanisë dhe Shqipërisë.
“Investimet në energji në Sarandë dhe në Gjirokastër përbëjnë fazën e parë, por do të ketë edhe faza të tjera, kur do të reralizohet lidhja e sukseshme e sistemit kombëtar me atë rajonal. Atëhere edhe niveli i furnizimit me energji elektrike do të përmirësohet shumë më tepër përmes forcimit të linjave të transmetimit të energjisë elektrike”, thekson ajo.
Me moton ”Promovojmë të ardhmen” investimet gjermane në sektorin e energjisë kanë përmirësuar jetën e përditshme të popullsisë në Sarandë dhe Gjirokastër, u kanë dhënë hov bizneseve dhe turizmit.
Autor: Ani Ruci/Tiranë
Redaktoi: Auron Dodi