Investimet gjermane në jug të Shqipërisë - në sektorë jetikë
1 Korrik 2010Investimet e Gjermanisë në jug të Shqipërisë vlerësohen prej analistëve, politikanëve, drejtuesve vendorë e qytetarëve jo thjesht si në vend të parë sa i përket vëllimit të tyre, por edhe si tepër cilësore e nww sektorët kyë të zhvillimit të ekonomisë. Investimet gjermane janë shtrirë në fusha si energjetika, nënstacionet elektrike, ujësjellësat, përmirësimi florës e faunës si në liqenet e Pogradecit, të Prespës, etj.
Kryetari i Bashkisë në Gjirokastër, Flamur Bime thotë se këto investime kanë përmirësuar ndjeshëm standartin e jetesës dhe kanë sjellë shanse për zhvillimin ekonomik. Ai përmend si fillim fazën e parë të ndërtimit të ujësjellësit:
"Nëpërmjet bankës gjermane KFW, qyteti Gjirokastrës ka përfituar një donacion, emergjencën e ujësjellësit të qytetit prej 5 milionë euro. Po në jug të vendit, mbi lumin Vjosë është duke u ndërtuar hidrocentrali i Kalivacit, një nga veprat më të mëdha energjetike të kohës."
Inxhinieri hidroteknik, Vangjel Muço, pohon se vepra u bë e mundur::
"Vetëm me futjen aksionerë të Dojçe Bank. Vetëm atëherë ka filluar të hedhë shtat e të ecë me ritme tepër të shpejta hidrocentrali i Kalivaçit. Është një investim prej 150 milionë eurosh dhe kapacitet hidro-energjetik prej 94 megavat."
Ndërkohë në Gjirokastër në bashkëpunim me bankën gjermane KFW është duke u kryer faza e dytë e rikonstruksionit të rrjetit të brendshëm të ujësjellës – kanalizimeve me vlerë 4 milionë euro. Drejtori rajonal i ujësjellësit në Gjirokastër, Dasho Qeli:
"Ka qenë shumë e domosdoshme investimi në rrjetin e brendshëm të ujësjellësit, për shkak se ky qytet ka parë investim në këtë rrjet vetëm në vitin 1939, në kohën e italianit."
Investimet gjermane në jug të Shqipërisë vlerësohen prej specialistëve të fushës se kanë sjellë standartet e duhura në lëmi të energjetikës. Inxhinieri hidroteknik, Vangjel Muço:
"Investimet gjermane kanë qënë tepër prezente në jug të Shqipërisë, sidomos me nënstacionin elektrik me një vlerë prej 4 milionë euro. Gjithashtu një vlerë e rëndësishme është rehabilitimi hidrocentralit të Bistricës, të Bistricës 1 dhe 2."
Autor: Odise Kote/ Gjirokastra
Redaktoi: Auron Dodi