1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Investimet gjermane në Shqipëri serioze dhe të qëndrueshme

11 Dhjetor 2009

Viti 2009 shënoi një rritje e interesit të biznesit gjerman për aktivitet në Shqipëri. Por çfarë parashikohet për të ardhmen?

Oliver Rohrbach, këshilltar dhe ekspert për biznesin pranë Unionit të Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.
Oliver Rohrbach, këshilltar dhe ekspert për biznesin pranë Unionit të Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.Fotografi: DW / Muka

Oliver Rohrbach punon që prej një viti si këshilltar dhe ekspert i biznesit pranë Unionit të Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë. Me një eksperiencë të gjatë si ekspert dhe këshilltar në vende të tjera të botës, përfshi dhe ato të rajonit, Rohrbach, është fokusuar në radhë të parë në intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në fushën e biznesit. Por dhe për të nxitur iniciativa të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit të Ballkanit.

Pamje nga Aeroporti "Nënë Tereza" në Tiranë.Fotografi: DW / Cama

Bilancin e një viti pune pranë biznesit shqiptar, Rohrbach e nis nga një fakt i thjeshtë dhe i prekshëm. Për një vizitor që mbërrin në Shqipëri nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, “Nënë Tereza”, është krej i dukshëm ndryshimi radikal që ka ndodhur në atë mjedis, thotë ai për Deutsche Wellen. Një investim serioz dhe i qëndrueshëm, ku biznesi gjerman është protagonist. Vetëm disa javë më parë u dyfishua kapaciteti dhe u përmirësua ndjeshëm standarti i shërbimit për pasagjerët.

Praktiker, Rossmann&Lala dhe Profarma do të pasohen nga të tjera biznese

Gjithashtu Rohrbach i referohet dhe ardhjes në Shqipëri të një kompanie të njohur gjermane vetëm disa javë më parë. Praktiker i ofron tregut shqiptar të njëjtën cilësi produktesh si në Gjermani apo vendet e tjera të botës ku janë hapur filiale, thotë Rohrbach për DW.

“Gjithashtu gjatë këtij viti ka hapur aktivitet në Shqipëri dhe Rossmann & Lala. Ne kemi patur mjaft takime me përfaqësuesit e kësaj kompanie dhe kemi kuptuar se ata do ta zgjerojnë më shumë aktivitetin e tyre në Shqipëri”, thotë Rohrbach.

Oliver Rohrbach përmend dhe sektorin farmaceutik, ku tashmë ish ndërmarrja shtetërore Profarma në Tiranë është në duart e sipërmarrësve gjermanë të kësaj fushe.

“Ata synojnë që të jenë më prezentë me prodhimet e tyre në tregun vendas. Kjo është jo vetëm një sfidë nga pikëpamja e biznesit, por dhe efekt pozitiv për konsumatorin që i përmirësohet cilësia e produkteve në funksion të shëndetit të tyre”, shpjegon Rohrbach.

Sipas Rohrbach ka edhe kompani të tjera gjermane të cilat janë në fazën e studimit të tregut, apo të negociatave. Janë kompani të cilat janë listuar në bursën e Frankurtit.

Bizneset prodhuese kanë nevojë për më shumë kohë për studimin e tregut

“Hapa të mirë por që kërkojnë megjithatë kohën e vet. Kur bëhet fjalë për sektorin e tregtisë, atëherë rreth një vit është mjaft për të biseduar dhe për të arritur në vendime konkrete. Por kur vjen puna për sektorin e prodhimit kërkohet më shumë kohë për studimin e kushteve të tregut, të kërkesës, ofertës etj”, thotë Rohrbach.

Unioni i Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë në Shqipëri është i përfshirë dhe në projekte zhvilluese rajonale. Dy prej tyre mbështeten nga Ministria Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe nga Shoqata Gjermane e Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë në Berlin. Është fjala për të forcuar rolin e rrjetit të dhomave të tregëtisë së rajonit të Ballkanit. Kjo strukturë, sipas Rohrbach, ka nxitur shkëmbimet mes përfaqësuesve të biznesit nga vendet ballkanike. Ka qënë dhe një rast i mirë për të diskutuar mbi efektet e krizës globale ekonomike, amortizimin e pasojave negative, masat parandaluese etj.

Zgjerimi i hapësirave të biznesit me fqinjët - faktor kyç në marrëdhëniet ekonomike ndërrajonale

“Në anën tjetër ne kemi arritur të nënshkruajmë memorandumet e mirëkuptimit mes Unioneve të Dhomavë të Tregëtisë dhe Industrisë të Shqipërisë dhe Malit të Zi, Maqedonisë e Kosovës. Zgjerimi i hapësirave të biznesit të një vendi me fqinjët, është i dobishëm në fushën e biznesit. Në rast se një kompani e njohur gjermane ose e një vendi tjetër të zhvilluar, do të tentojë të hyjë në tregun shqiptar, ajo do të jetë më e prirur ta bëjë këtë në rastet kur partnerë do të jenë firma e kompani që operojnë në disa vende”.

Duke folur për projektet e së ardhmes së afërt, Oliver Rohrbach, thotë se në muajin prill të vitit 2010 do të hapet në Tiranë edicioni i dytë i panairit gjerman të biznesit, por me një risi. Në të do të përfshihen dhe vendet gjermanishtfolëse, Austria e Zvicra, pra do të jetë panairi gjermano-austrio-zvicerian i biznesit. Do të ketë pranverën e ardhshme një panair rajonal të artizanëve, që do të mundësohet nga bashkëpunimi me partnerët gjermanë të Koblencit.

“Kemi në plan dhe organizimin e seminareve kualifikuese me përfaqësues të biznesit. Njëri prej tyre me titull: 'Si të bësh biznes me Gjermaninë'. Kjo është në ndihmë të familjarizimit të sipërmarrësve vendas me mënyrën se si operohet në Gjermani, për të marrë njohuri për legjislacionin, procedurat etj. Por të njëjtin informacion ne e japim dhe për bizneset e interesuara gjermane, që duan të vijnë apo të bashkëpunojnë me partnerë shqiptarë”.

Në 2010 konferenca gjermano-shqiptare e biznesit në Hamburg

Por një nga pjesët më të rëndësishme të axhendës 2010 për Unionin e Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë është fillimi i qershorit. Atëherë pritet të mbahet konferenca gjermano-shqiptare e biznesit, këtë herë në Hamburg.

“Çështjet kryesore mbi të cilat do të diskutohet janë infrastruktura, tregëtia dhe logjistika. Janë tema interesante mendoj që do të tërheqin vëmendjen e qarqeve të larta të biznesit e politikës. Aty do të ketë jo vetëm forume debate për aktualitetin dhe perspektivën, por dhe mundësi për kontakte të drejtëpërdrejta mes kompanive e firmave nga të dyja vendet”, thotë për Deutsche Welle-n, Oliver Rohrbach.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Eliana Xhani