1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Košice, kryeqytet i kulturës evropiane 2013

Silcke Bartlick / Elert Ajazaj4 Janar 2013

Qyteti ka një traditë të gjatë multikulturore. Ai ka probleme të konsiderueshme. Tani do t'i jepet formë së ardhmes, sepse në 2013-n Košice është njëri prej kryeqyteteve kulturore të Evropës.

Kaschau Kosice Slowakei Kulturhauptstadt 2013Fotografi: picture alliance / Arco Images G

Klientët e hotelit "Golden Royal" duhet të përdorin hyrjen e pasme. Rruga dhe trotuari para hyrjes kryesore janë zhdukur, e tërë vija është kthyer në një kantier të madh ndërtimi (automjete të rënda, kabllo, tuba, pirgje zhavorri. Košice, qyteti i madh në lindje të Sllovakisë, po hijeshohet. Ai është në 2013-n kryeqytet kulturor i Evropës, me këtë rast do të hidhet para e madhe. 60 milionë vijnë vetëm nga Bashkimi Evropian. Si rrjedhojë ka rrugë dhe sheshe të reja, lulishte dhe natyrisht projekte. Projekte të vogla, të decentralizuara dhe fare të mëdha, futuriste si zgjerimi i një kazerme tanimë të papërdorshme në një qendër kulture e krijimtarie ose kthimi i një pishine të prishur në një sallë multifunksionale arti.

Katedralja e Shën Elisabetës

Mundet që askush të mos besojë aktualisht në përfundimin e punimeve brenda afatit. "Nuk ka gjë", thotë Jan Sudzina, drejtor i shoqërisë për përgatitjen e projekteve të kryeqytetit kulturor. Në fund të fundit, thotë ai, në 2013-n nuk do të zhvillohet festival. Më tepër po punohet për transformimin afatgjatë të Košices nga një qytet i kohës passocialiste në një qytet modern. Konkretisht kjo do të thotë: Košice e shfrytëzon vitin si kryeqytet kulture evropiane dhe avantazhet e lidhura me këtë, si paratë dhe vëmendja, për t'u transformuar rrënjësisht.

Plane të mëdha

Sikur gjithçka të vejë sipas planit, atëherë brenda një kohe jo shumë të largët qyteti do të bëjë përpara duke u kthyer në një platformë të bashkëpunimit krijues të sipërmarrjeve me artistë në rajonin e Sllovakisë lindore. Atëherë këtu do të lindë një qendër e prodhimit artistik dhe industrial, atëherë Košice nuk mund të anashkalohet. Sot Košice as nuk arrihet lehtë. Me autobus, tren apo me makinë koha e udhëtimit është e gjatë (500 kilmetra janë nga Varshava, 1.140 nga Berlini, 1.550 nga Brukseli. Dhe lidhje fluturimi të drejtpërdrejta ka vetëm për Vjenë, Bratislavë dhe Pragë. "Aeroporti ynë kryesor", thotë Iveta Ninajova e shoqatës turistike "Visit Košice", është Budapesti në Hungari, tri orë udhëtim me tren.

Blloqe banimi nga koha e komunizmit. Në këto pallate banojnë mijëra romë pa energji elektrikeFotografi: DW/S. Bartlick

Košice duhet të ketë qenë dikur një qytet i lulëzuar dhe i pasur. Për këtë dëshmojnë katedralja e madhe e Elizabetës në stilin e artit të vonët gotik, teatri historik nga fundi i shekullit XIX dhe gjithë ndërtesat madhështore në pjesën e vjetër të qytetit, të cilat u kanë mbijetuar dy luftërave botërore. Lulëzimin e vet qyteti ia detyron pozicionit në një rrugë tregtare dhe kolonëve gjermanë, të cilët lanë gjurmën e tyre në "Kaschau", siç e quanin ata. Košice ka qenë për dekada një nga qytetet më të mëdha e të rëndësishme të Mbretërisë së Hungarisë.