Nuk do të lejojmë secesionin e Republikës Srpska
27 Nëntor 2017Valentin Inzko, përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje-Hercegovinë, thotë se secesioni i Repulikës Srpska nuk do të lejohet. „Bashkësia ndërkombëtare i ka në duar të gjitha instrumentet për të vepruar. Ne kemi mandatin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk do të lejojmë secesionin", deklaroi Inzko, në një intervistë ekskluzive me Deutsche Wellen. Në këtë mënyrë ai drejtpërdrejt kundërshton pretendimet e disa politikanëve në Republikën Srpska për ndarje nga Bosnje-Hercegovina dhe bashkim me Serbinë, gjë që gjatë një interviste me DW i ka shprehur edhe Milorad Dodik, duke vizatuar kufij të ri në Ballkan.
Inzko ka përshëndetur deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nuk do të ketë bashkim të Republikës Srpska me Serbinë. Duke komentuar vizatimin e kufijve nga ana e Dodikut, Inzko tha se ndryshimi i kufijve në Ballkan është gjithmonë shumë i rrezikshëm. "Kjo punë ka përfunduar, të paktën për sa jam unë me mandatin e përfaqësuesit të lartë në B-H. Brenda B-H mund të bëjmë gjithçka, por le të provohemi në garën se kush do të jetë më i suksesshëm", thotë ai.
I pyetur nëse së shpejti do të përdorë pushtetin që i jepet me dokumentet ndërkombëtare, për të zgjidhur problemet, ai përgjigjet: "Situata këtu ndonjëherë nuk është e mirë, ndaj ka shumë përfaqësues ndërkombëtarë që mendojnë se mund të përdoren të drejtat që jepen me dokumentet e Bonit. Por ky është vetëm një proces i pjekjes së qëndrimeve politike, sepse deri tani nuk ka pasur ndonjë vendim në këtë drejtim", thotë Inzko. Ai shton se një vendim i tillë mund të merret, por kjo varet prej situatës në terren. Përfaqësuesi i lartë mund të ndërhyjë nëse arrihet deri tek shkeljet e rënda të Marrëveshjes së Dejtonit. Por deri tani ka pasur vetëm kërcënime hipotetike.
„Shkelje e rëndë e Marrëveshjes së Dejtonit do të ishte natyrisht mbajtja e një referendumi për pavarësinë e Republikës Srpska. Kjo do të ishte linja e kuqe", pohon Inzko.
Në pyetjen se çfarë do të bënte në rast organizimi të referendumit për pavarësinë e RS, ai përgjigjet: „Unë do të bëj gjithçka që kjo të mos ndodhë". Ndërsa në pyetjen se çfarë do të bëj nëse megjithatë referendumi mbahet, ai tha: "Kjo është vetëm hipotetike, por me siguri që do të kisha një plan, të cilin nuk do ta bëj publik ne media".
Në konstatimin se pikërisht Dodiku para kamerave televizive tha se po punohet për krijimin e një atmosfere politike për organizimin e referendumit, Inzko thotë: "Ne po punojmë konkretisht dhe kemi disa plane në këtë drejtim. Ju e dini se në Republikën Serpska ishte planifikuar edhe referendumi për gjyqësorin në B-H, por kjo nuk ka ndodhur". I pyetur për të saktësuar këtë pohim, pra nëse bashkësia ndërkombëtare ka vepruar kundër mbajtjes së këtij referendumi, ai tha: „Bashkësia ndërkombëtare nuk ka ndërhyrë. Por ajo ka bërë të qartë se një referendum i këtillë do të ishte në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit."
Kritikat ruse
Inzko në intervistë me DW flet edhe për rolin e Rusisë dhe kritikat në llogari të punës së tij që vijnë nga Moska. "Në këtë drejtim jam i relaksuar. Qesharake dhe plotësisht të pakuptimta janë akuzat se unë jam serbofob. Më duhet të them edhe diçka: nuk ka popuj të këqinj", thotë Inzko për DW.
"Rusia kërkon më shumë dialog në Bosnje dhe konsensus. Unë jam dakord me rusët kur flitet për shumë çështje, por çfarë duhet të bëjmë, kur nuk ekziston konsensusi dhe dialogu nuk është i suksesshëm." Në pyetjen e drejtpërdrejt nëse do ta shkarkojë Milorad Dodikun nga posti i presidentit të RS, Inzko përgjigjet: „Ky hap ende nuk është ndërmarrë. Për këtë nuk kemi biseduar në bashkësinë ndërkombëtare. Ndoshta ka pasur ide të tilla më parë, por unë ende nuk kam menduar për këtë masë".