1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Iraku i varfër shpërthen: Dhjetëra të vdekur për 4 ditë

6 Tetor 2019

Protestat e përgjakshme në Irak me të paktën 93 të vdekur kanë sfond social, ato drejtohen kundër varfërisë, ndërprerjes së rrymës elektrike, por me gjasë edhe kundër influencës së Iranit.

Irak Proteste
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/K. Mohammed

Situata në Irak është dramatik. Brenda katër ditësh të paktën 93 të vdekur, mes tyre mjaft demonstrues, ka bërë të ditur Komisioni për Drejtat e Njeriut në Irak të shtunën (05.10).. Protestat e ditëve të fundit në Irak kanë qenë të përgjakshme. Sipas komisionit janë plagosur më shumë se 4.000 vetë, shumica demonstrues. Po ashtu janë dëmtuar edhe një sërë ndërtesash.

Si filluan protestat?

Protestat nuk ishte krejt të papritura. Edhe vitet e fundit ka pasur gjithnjë valë protestash, sidomos në vitin 2018, në qendrën e naftës irakiane, Basra. Shkak atëherë ishte se shumë irakianë u sëmurën nga uji i ndotur. Ndryshe nga protestat e mëparshme, pas të cilave ka qëndruar gjithmonë një parti, këto protesta popullore duket se janë spontane. Fitilin me sa duket e solli spostimi nga detyra i gjeneralit popullor, Abdel-Vahab al-Saadi, deri më tani zëvendësdrejtues i njësisë antiterror, një figurë e rëndësishme në luftimin e të ashtuquajturit, Shteti Islamik, IS. Përkrahësit e tij besojnë, se ai u mënjanua, pasi pengon ndikimin e Iranit tek milicët shiitë, të afërt me këtë vend. Portrete të tij shiheshin në ditët e kaluara në Irak, një shenjë, se protestat drejtohen edhe kundër ndikimit të Iranit në vend.

Fotografi: picture-alliance/AP Photo/H. Mizban

Megjithatë parësore është pakënaqësia sociale në Irak. Protestat në Bagdad dhe provinca të tjera drejtohen kundër korrupsionit dhe keqekonomisjes. Ekspertët paralajmërojnë nga shpërthimi i revoltës, sidomos tek rinia që vuan mjaft nga papunësia. Daniel Gerlach, kryeredaktor i revistës gjermane për Lindjen e Afërt „Zenith" thotë, se këto nuk janë protestat e para, ka vite që gjendja është e tillë. Sipas ekspertit gjerman arsyet për protestat janë të ndryshme. "Kryesisht mungesa e furnizimit me energji dhe e shërbimeve publike, por edhe papunësia e lartë dhe varfëria, kjo para pagave të majme për deputetët. Dhe sidomos korrupsioni. Irakianët kanë ndjesinë, se nga njëra shteti ndërhyn kudo, zhvillohet, një pjesë pasurohet gjithnjë e më shumë, nga ana tjetër njerëzit e thjeshtë në rrugë janë tërësisht të nënvlerësuar."

Pse vuan një vend i pasur me naftë nga mungesa e energjisë elektrike?

Iraku bën pjesë tek prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, me një ekonomi tërësisht të varur nga nafta. Fakti që shumë irakianë vuajnë nga varfëria dhe në temperatura deri në 50 gradë në verë përballen me ndërprerjen e rrymës elektrike, ka të bëjë me korrupsionin, sipas ekspertit Gerlach. Në indeksin e Transparency International Iraku zë vendin e 168-të nga gjithsej 180 vende. Eksperti Gerlach mendon, se Iraku, një demokraci ende e papjekur dhe një shtet multietnik dhe me disa fe vuan nga ekonomia klienteliste e disa aktorëve që sundojnë. Liderë të disa grupeve fetare dhe politike përvetësojnë burimet e vendit dhe i shpërndajnë ato tek përkrahësit e tyre, sipas tij.

Fotografi: Reuters/K. Al-Mousily

Parlamenti irakian u mblodh të shtunën në një seancë krize. Më parë kryeministri irakian, Abdel Mahdi, u përpoq të qetësojë gjendjen. Në një fjalim televiziv ai i quajti protestat të drejta dhe premtoi, se qeveria do të kërkojë një zgjidhje. Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres i bëri thirrje qeverisë të fillojë dialogun me demonstruesit. Të gjitha palët duhet të tregojnë „vetëpërmbajtje të madhe", tha ai në Nju Jork. Presioni ndaj qeverisë së kryeministrit, Adel Abdel Mahdi është shtuar ndërkohë. Kleriku shiit me influencë, Muktada Al-Sadr kërkoi dorëheqjen e tij. Koalicioni i tij fitoi shumicën e vendeve në parlament dhe e kishte mbështetur deri tani qeverinë. Al-Sadr ka bërë thirrje që parlamentarët të bojkotojnë seancat e parlamentit.