1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëLindja e Mesme

Iran: Mbi 100 të arrestuar lidhur me helmimet e nxënëseve

12 Mars 2023

Prej muajsh një valë misterioze helmimesh të nxënëseve nëpër shkolla po mban Iranin në ankth. Tani autoritetet njoftuan, se janë kapur mbi 100 të dyshuar.

Në Frankfurt mbi Main më 11 mars demonstruesit solidarizohen me nxënëset në Iran
Në Frankfurt mbi Main më 11 mars demonstruesit solidarizohen me nxënëset në IranFotografi: Bernd Kammerer/picture alliance/Presse- und Wirtschaftsdienst

Agjencia iraniane e lajmeve IRNA duke iu referuar Ministrisë së Brendshme njofton, se të dyshuarit lidhur mevalën e helmimeve janë kapur në njëmbëdhjetë provinca të vendit. "Më shumë se 100 vetë, që janë përgjegjës për rastet e fundit nëpër shkolla, janë identifikuar, arrestuar dhe kontrolluar", ka deklaruar ministria sipas këtyre informacioneve.

Që prej tre muajsh në Iran herë pas here njoftohet për helmim masiv të vajzave nëpër shkolla. Autoritetet dyshojnë, se pas kësaj qendron përpjekja për t'i përjashtuar vajzat nga arsimi. Gjatë një vale sulmesh me helmim që nga fundi i nëntorit vajzave u ka rënë të fikët, kanë vuajtur nga të përzierët, asifksia dhe simptoma të tjera, pasi kanë nuhatur erëra „të këqia" në territorin e shkollës. Disa vajza janë trajtuar në spital. Sulmet e pandehura me helm në rreth 230 shkolla kanë ndodhur në 25 provinca nga 31 që ka gjithsej në Iran, kjo ka shkaktuar frikë e indinjatë tek prindërit e nxënëseve.

Njoftohen dënime të ashpra

Të hënën (06.03.2023) udhëheqësi fetar i Iranit, Ayatollah Ali Chamenei, bëri thirrje që dorasit "krimit të pafalshëm" të përndiqen "pa mëshirë". Po në të njëjtën ditë kreu i drejtësisë iraniane Mohseni Edschei, deklaroi se të arrestuarit në kontekstin e helmimeve duhet të akuzohen për "korrupsion në tokë", gjë që nënkupton dënimin me vdekje.

Pas helmimeve masive të nxënëseve nëpër shkolla qeveria në Teheran të martën (07.03.2023) komunikoi për arrestimet e para. Ministria e Brendshme deklaroi, se shërbimet e sigurisë dhe ato sekrete kanë arrestuar në gjashtë provinca "disa persona". Ata dyshohen se kanë prodhuar lëndë të rrezikshme.

Lidhje me grupe "armiqësore"?

Ministria deklaroi edhe se, dorasit e pandehur mund të kenë lidhje me grupe "armiqësore". "Ndër të arrestuarit ka persona me motive armiqësore dhe me qëllim të ngjallin frikë në popull dhe tek nxënësit për të mbyllur shkollat." Kjo deklaratë u referohet lidhjeve të mundshme me një grupi opozitar të iranianëve në ekzil, që janë strehuar në Shqipëri dhe të cilët Teherani i ka shpallur si organizatë "terroriste", fjala është për muxhahedinët oose Mujahedeen-e-Khalq (MEK). "Hetimet vazhdojnë kundër këtyre personave kriminelë, duke përfshirë edhe zbulimin e lidhjeve të mundshme të tyre me organizatën terroriste Mek dhe të tjera",thuhet më tej. Ministria shtoi, se numri i rasteve të helmimeve në shkolla është në rënie gjatë ditëve të fundit.

Helmimet filluan dy muaj pas protestave, që shpërthyen në shtator në Iran pas vdekjes së 22 vjeçares kurde Jina Mahsa, e cila u arrestua për shkelje të rregullores së veshjes për gratë. Udhëheqja iraniane bën përgjegjës për protestat forcat armiqësore jashtë vendit, që janë të lidhur me kryearmiqtë si SHBA, Izraeli dhe aleatët e tyre.

 

Shënim: Ky artikull përmbante fotografi nga agjencia SalamPix. Fotografitë janë hequr nga artikulli në datën 12 mars 2026, pasi Picture Alleance dhe Imago na informuan, që fotografitë e SalamPix janë tërhequr për shkak të rezervave lidhur me burimin dhe manipulime të mundshme.

 

kle/ehl (afpe, efe, IRNA)

 

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW