1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Iran: Shumë viktima nga shpërthimi në ceremoni përkujtimore

3 Janar 2024

Gjatë ceremonisë përkujtimore për gjeneralin e vrarë iranian Soleimani ndodhën dy shpërthime. Sipas mediave shtetërore të paktën 103 vetë kanë gjetur vdekjen dhe rreth 140 janë plagosur. Irani e quan këtë terror.

Iran Kerman | makina të  shkatërruara prej shpërthimit
Në ceremoninë përkujtimore për gjeneralin e vrarë në Iran Kasem Soleimani shpërthyen dy bomba Fotografi: Tasnim News Agency/AP/picture alliance

Në Iran kanë humbur jetën mbi 100 vetë pas një sulmi në një ceremoni përkujtimore për një gjeneral të Gardës Revolucionare. Dy shpërthime ka pasur në provincën Kerman nga "sulme terroriste" në varrin e Kassem Soleimani, komunikoi të mërkurën (03.01.2024) përfaqësuesi i qeverisë iraniane. Numri i të vdekurve mund të rritet, pasi ka të plagosur rëndë. Ky sulm është më i rëndi në historinë 45 vjeçare të Republikës Islamike. Zëvendësguvernatori i provincës Kerman, Rahman Xhalali, u shpreh për një sulm terrorist, por pa prezantuar dëshmi konkrete.

Shpërthejnë dy bomba në ceremoninë përkujtimore për gjeneralin e vrarë në Iran Kassem Soleimani Fotografi: MEHR NEWS/AFP

Deri tani askush nuk ka marë përgjegjësi për shpërthimin. Në televizionin iranian u transmetuan regjistrime, ku shihen forcat e shpëtimit të Gjysmë Hënës së Kuqe duke u kujdesur për të plagosurit. "Ekipet tona po evakuojnë të plagosurit", tha në televizion drejtuesi i kësaj organizate në provincën Kerman, Reza Fallah. 

Shpërthimet kanë ndodhur në një hark kohor brenda dhjetë minutash, citon agjencia shtetërore iraniane e lajmeve Irna kryebashkiakun e Kerman. Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim njofton, se në vendngjarje kanë shpërthyer dy çanta me lëndë plasëse. Dorasi "me sa duket i ka aktivizuar bombat me telekomandë", njofton agjencia Tasnim. Në një sekuencë të transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni shtetëror dëgjohet një krismë dhe të bërtitura. Gjatë lidhjes së drejtpërdrejtë të një reportereje në sfond shiheshin forcat e shpëtimit duke nxituar me të plagosurit për në spital.

Iran, Kermal Fotografi: MEHR/AFP

Ministri i Brendshëm deklaron një reagim me vendosmëri ndaj këtij sulmi

Nuk është e qartë, se kush mban përgjegjësi për këtë sulm. Deri tani asnjë grupim nuk ka marrë përgjegjësi për shëprthimin. Sulmet terroriste të këtij lloji në Iran janë jashtëzakonsiht të rralla. Irani është mbështetësi më i rëndësishëm i grupeve militante në rajon si Hamasi, Hisbollahi në Liban dhe rebelët Huthi në Jemen. Ministri i Brendshëm i Iranit Ahmad Vahidi deklaroi një reagim me vendosmëri. "Forcat tona të policisë janë vigjilente dhe do t'i nxjerrin para përgjegjësisë ata që e kanë kryer këtë krim", tha ministri. Sipas Vahidit shumica e njerëzve kanë humbur jetën nga shpërthimi i dytë. Detajet e sfondit të ngjarjes do të hetohen.

Gjenerali Soleimani është vrarë në vitin 2020 nga një sulm me dron i SHBA-së duke pasur pikërisht atë në shënjestër.

rtr/ard