1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Konflikte

Iran: Sulm mbi impiantin bërthamor në Natans

dpa afp, Reuters, kna
22 Mars 2026

Irani njoftoi për një sulm ajror ndaj impiantit të pasurimit të uraniumit në Natans. Thuhet se sulmi u krye nga SHBA dhe Izraeli. Rrjedhje radioaktive nuk ka pasur

Pamje e impiantit të pasurimit të uraniumit Natans në Iran pas sulmit
Impianti Natans gjendet rreth 250 kilometra në jug të kryeqytetit TeheranFotografi: Satellite image ©2026 Vantor/AFP

Irani njoftoi për një sulm ajror mbi impiantin e tij bërthamor në Natans. Impianti, që gjendet rreth 250 kilometra në jug të kryeqytetit Teheran, është bërë objekt sulmesh nga SHBA dhe Izraeli, tha agjencia shtetërore e lajmeve Tasnim. Ushtria izraelite mohoi çdo përfshirje në sulm. Radioja shtetërore e Izraelit njoftoi, duke iu referuar burimeve të panjohura, se sulmi ajror ishte kryer nga Shtetet e Bashkuara, të cilat përdorën bomba "shkatërruese bunkerësh”.

IAEA u bën thirrje palëve që të përmbahen

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) njoftoi se ishte informuar nga Teherani në lidhje me sulmin. Por Irani nuk ka raportuar për ndonjë rritje të nivelit të rrezatimit jashtë impiantit. Tani IAEA po shqyrton raportin.

Drejtori i IAEA-s, Rafael Grossi, u bëri thirrje palëve të përfshira në luftë që të përmbahen nga veprimet e armatosura.Fotografi: Kyodo/picture alliance

Drejtori i IAEA-s, Rafael Grossi, u bëri njëkohësisht thirrje palëve të përfshira në luftë që të përmbahen nga veprimet e armatosura. Ai shkroi në platformën X se duhet shmangur çdo rrezik për një aksident bërthamor. Fabrika e mirëmbrojtur bërthamore në Natans ishte goditur edhe në javën e parë të luftës aktuale. Fotografitë satelitore tregojnë se disa ndërtesa me sa duket janë dëmtuar gjatë sulmit.

Natans – Qendra e pasurimit të uraniumit në Iran

Natans është impianti më i njohur i pasurimit të uraniumit në Iran. Eksistenca e tij u zbulua në vitin 2002. Ai përbëhet nga një impiant mbi tokë dhe një impiant nën tokë me gjithsej thuajse 70 kaskada, ku centrifugat janë të lidhura njëra pas tjetrës. Numri i përgjithshëm i centrifugave shkon në më shumë se 10,000.

Natans është impianti më i njohur i pasurimit të uraniumit në Iran.Fotografi: Vantor/AFP

Sipas Shtëpisë së Bardhë një nga qëllimet kryesore të luftës aktuale është të parandalojë që Irani të zotërojë ndonjë ditë armë bërthamore. Kurse Izraeli e konsideron programin bërthamor dhe programin iranian të raketave si kërcënimin e tij më të madh ekzistencial.

dpa afp, Reuters, kna agjenci lajmesh
Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW